Kërko

 Esercizi Spirituali, 2019.03.10 Esercizi Spirituali, 2019.03.10

Ushtrimet Shpirtërore të rëndësishme për ta dëgjuar me vëmendje Fjalën e Zotit

Ushtrimet shpirtërore janë vendimtare për jetën e çdonjërit. Nuk duhet të harrojmë se vetë Jezusi, gjatë jetës së tij, e këtë na e dëshmojnë Ungjijtë, tërhiqet mënjanë, në vetmi, për t’u lutur, për të medituar, për të dialoguar me Biblën, Shkrimet Shenjte e me Atin Qiellor. Në historinë e krishterë kjo kërkesë është e gjithpranishme, sepse ka çaste kur njeriu ndjen nevojën për të medituar e reflektuar mbi momente të rëndësishme të jetës, ka çaste ku ndjehet i lodhur, e ngadalëson hapin

R.SH. / Vatikan

Kisha katolike “përhap, mbështet dhe vlerëson pjesëmarrjes në Ushtrimet Shpirtërore”, sepse ato janë “përjetim” i dashurisë së Hyjit. Papa e Kuria Romake, çdo vit në kohën e Krezhmëve mbajnë ushtrimet e shpirtit. Po jo vetëm Papa e bashkëpunëtorët e tij por edhe ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët e besimtarët e krishterë kudo në botë, kanë traditë të mbajnë ushtrimet shpirtërore disa herë në vit, varësisht nga kalendari kishtar dhe nga ngjarjet e nevojat shpirtërore personale.

Por pse ka kaq shumë rëndësi që i krishteri t’i ndërpresë veprimtaritë e përditshme e t’ia kushtojë një pjesë të kohës Zotit, përmes ushtrimeve shpirtërore, ose në mënyra të tjera të mundshme?

Përgjigja është se ushtrimet shpirtëror janë vendimtare për jetën e çdonjërit. Nuk duhet të harrojmë se vetë Jezusi, gjatë jetës së tij, e këtë na e dëshmojnë Ungjijtë, tërhiqet mënjanë, në vetmi, për t’u lutur, për të medituar, për të dialoguar me Biblën, Shkrimet Shenjte e me Atin Qiellor. Në historinë e krishterë kjo kërkesë është e gjithpranishme, sepse ka çaste kur njeriu ndjen nevojën për të medituar e reflektuar mbi momente të rëndësishme të jetës, ka çaste ku ndjehet i lodhur, e ngadalëson hapin, i zvogëlohen forcat. Atëherë e ndjen nevojën për ta marrë përsëri shpirtërisht veten, për ta ushtruar shpirtin, për t’iu kushtuar Fjalës së Zotit, rishikimit të jetës, lutjes, në mënyrë që jeta jonë të gjallërohet rishtas.

Mësuesi i madh i ushtrimeve shpirtërore është pa dyshim shën Injaci i Lojolës, themeluesi i Jezuitëve, por praktika e këtyre ushtrimeve është jetuar në mënyra të ndryshme që në agimet e krishterimit. Mjafton të mendojmë për jetën murgare, për shën Bazilin e Madh, shën Antonin, Abat, shën Françeskun, për dominikanët, karmelitanët e kështu me radhë… Pra, sigurisht është shën Injaci i Lojolës ai që përcaktoi metodën e ushtrimeve shpirtërore, pak a shumë në formën që përdoret edhe sot. Por për këto ushtrime shpirtërore flitej shumë kohë përpara tij. Për këtë traditë na flet gjithë historia murgare e Kishës . Është fjala për të ndjekur këshillin që jepnin etërit e shkretëtirës: “Ik, hesht, qetësohu!” – që do të thotë hiqu mënjanë, zhytu në heshtje, rigjej paqen e shpirtit.

Duke medituar Fjalën e Zotit, Shkrimin Shenjt e duke u lutur, njeriu rigjen forcën shpirtërore për të vijuar udhën drejt Mbretërisë qiellore. Për murgjit ushtrimet shpirtërore kanë kuptimin e vetmisë e të lutjes; edhe shën Françesku i vinte rëndësi të dorës së parë lutjes, ndërsa në ushtrimet shpirtërore të përcaktuara nga shën Injaci ka shumë peshë meditimi e ndër karmelitanë, kundrimi. 

Janë mënyra të ndryshme, por që të çojnë në të njëjtin cak: të ndihmojnë të bësh kthesën e madhe të jetës, të gjesh në fjalën e Zotit, limfën për jetën personale shpirtërore! E këtë sepse  njerëzit kanë nevojë ta njohin Hyjin “jo me të dëgjuar”. Prandoa “të ofrosh Ushtrimet Shpirtërore do të thotë ta ftosh dikë për të përjetuar Hyjin, dashurinë dhe bukurinë e tij”.

E kush “i përjeton ushtrimet Shpirtërore ”kthehet“ i përtërirë dhe i shndërruar shpirtërisht në jetën e zakonshme, në punë e në shërbesë dhe në marrëdhëniet e përditshme, duke "mbartur me vete parfumin e Krishtit”. Njerëziz e sotëm kanë nevojë ta takojnë Hyjin, ta njohin ‘jo me të dëgjuar’ (khs Jb 42,5). Drejt kësaj orientohen krejtësisht Ushtrimet shpirtërore, si një kohë e privilegjuar për ta dëgjuar më me vëmendje Fjalën e Zotit, në heshtje, në lutje dhe meditim. Këto ushtrime ndihmojnë për të përtërirë tek ai person që merr pjesë në ushtrime shpirtërore, lidhjen pa kushte me Jezu Krishtin dhe për të kuptuar se lutja është mjeti i pazëvendësueshëm i bashkimit me Të. 



 

18 shkurt 2024, 15:54