Kërko

Në Muzetë e Vatikanit, Krezhmë nën shenjën e shpresës!

Edhe këtë vit, në javët para Pashkëve, Muzetë e Papës ofrojnë disa vizita të veçanta për të hyrë në misterin e vdekjes dhe të ringjalljes së Jezusit. Motra Emanuela Edwards pohon: “Çdo vizitë është mundësi unike për ungjillizimin nëpërmjet mjeteve të fuqishme të artit. Bukuria e veprave na çon nga soditja e përciptë, në soditjen konkrete të realitetit të dashurisë së Zotit"

R.SH. - Vatikan

"Krishti u ngjall!  Me të vërtetë u ngjall!". Siguria e fitores së Jezusit  një herë e përgjithmonë mbi vdekjen, jehon rishtas në urimin e Pashkëve që të krishterët vijojnë ta shkëmbejnë që në shekujt e parë, kur nisën të kremtonin Pashkët.

"Shpresa e sigurt" që Françesku i Asizit i kërkon të Gjithëpushtetshmit qe e rrënjosur mirë në fenë e të krishterëve të parë. E tregojnë këtë dëshmitë që na vijnë prej tyre. Dëshmi për këtë është edhe Sarkofagu i Mundimeve ose Anàstasi i vendosur në zemër të Muzeut Pio Cristiano brenda Muzeut të Vatikanit. Që këtu nis vizita me prijës në koleksionet papnore, e ofruar gjashtë të shtuna radhazi gjatë Kreshmëve.

© Muzetë e Vatikanit
© Muzetë e Vatikanit

© Muzetë e Vatikanit

Nga sipërfaqja, në kundrim

"Arti", shpjegon për Vatican News Motra Emanuela Edwards, drejtuese e Zyrës së Veprimtarive Didaktike të Muzeve të Vatikanit, "mund të jetë  mjet i fuqishëm për të na kujtuar çastet kryesore të jetës së Jezusit. Në veçanti, misteret e Pashkëve. Kryeveprat e mëdha na ndihmojnë t'i rijetojmë Mundimet dhe Ngjalljen e Zotit e bukuria e veprave na merr për dore e na çon në soditjen konkrete të realitetit të dashurisë së Zotit, parë me sytë tanë".

Art e lutje

Duke soditur relievet e gdhendura në mermerin e sarkofagëve të hershëm të krishterë, kuptojmë menjëherë se arti krijon atmosferë të favorshme për lutjen. Bie në sy mungesa e skenës së kryqëzimit. Motra Emanuela Eduard sqaron menjëherë arsyet: “Të krishterët e hershëm zakonisht përdornin analogji të Besëlidhjes së Vjetër për simbolikën e vdekjes dhe të ringjalljes së Zotit, si p.sh., skenën e Danielit në shpellën e luanëve ose historinë e Jonës, sepse skena e kryqëzimit u dukej tepër e tmerrshme!

© Muzetë e Vatikanit
© Muzetë e Vatikanit

Shpresa e Ringjalljes

“Në sarkofagun e Anastasis, Ringjallja paraqitet me simbolin e kryqit, vendosur mbi monogramit të Krishtit për të treguar se Zoti fitoi mbi vdekjen”. Ndërsa ligështia e njeriut përballë madhështisë së këtij misteri simbolizohet me ushtarët, të rënë në gjumin e vdekjes. “Të krishterët e parë ishin të sigurt se Zoti u ringjall, ndaj kjo pamje shpreh bindjen e tyre se një ditë edhe ata do të ringjallen me Krishtin, siç thotë Shën Pali në Letrën drejtuar Romakëve. Ky sarkofag i madh tashmë është mjet për të pasqyruar shpresën e Ngjalljes”- shton murgesha.

© Muzetë e Vatikanit
© Muzetë e Vatikanit

Një jetë e re

Nga fuqia e simbolit - te realizmi i Fjalës së mishëruar. Vizita vazhdon në Galerinë e Arteve të Vatikanit, ku përballë “Zbritjes nga Kryqi” të Caravaggio-s, shikimi i Nikodemit dhe pamja e gurit të varrit na bëjnë pjesëmarrës në dramën e pikturuar nga Michelangelo Merisi në trupin e pa jetë të Krishtit. Motra Emanuela Edwards na fton të shijojmë edhe hollësi mjeshtrore, që i shpëtojnë një vizite sipërfaqësore. Çdo gjurmë që ka la aty peneli, është e mbushur me kuptim: «Në këndin e poshtëm, dallohen shenja shprese, ndërsa një bimë vjen në jetë. Eshtë simbol i jetës së re dhe fitores së afërt të Jezu Krishtit mbi vdekjen”.

© Muzetë e Vatikanit
© Muzetë e Vatikanit

Me ne, deri në fund të botës

Në Galeritë e Epërme na presin sixhadet e shekullit të 16-të të Scuola Nuova. Ndalemi sakaq te “Ringjallja”, në të cilën "Krishti del vrullshëm nga terrinat e varrit me flamurin e fitores". Çka na bie në sy është vështrimi i Tij, që na ndjek, si të donte të na kujtonte fjalët që i buruan nga Ngjallja: “Ja, unë jam me ju gjithmonë, deri në fund të botës”. Vizita përfundon në Kapelën Sistine. Kreu i Zyrës së Veprimtarive Arsimore të Muzeve të Vatikanit nuk ka asnjë dyshim: “Gjyqi i Fundit është kryevepra e shpresës par excellence. Në këtë afresk shohim ringjalljen e të vdekurve, fryt i Misterit të Pashkëve, krijuar në të gjitha detajet e tij të lavdishme nga artisti fiorentin”.

© Muzetë e Vatikanit
© Muzetë e Vatikanit

Fuqia e artit

Kjo vizitë e organizuar për Kreshmën mund të rezervohet online  për të gjithë, nga familjet me fëmijë - deri tek personat me aftësi të kufizuara shqisore, motorike dhe intelektuale.

Vizitë, që u përket të gjithëve
Vizitë, që u përket të gjithëve

Ndërmjet pjesëmarrësve ka "edhe kureshtarë për fenë"  e edhe "vizitorë të interesuar për simbolikën artistike e fetare të veprave": "Çdo vizitë - vëren motra Emanuela Edwards - është mundësi unike për ungjillëzimin, përmes “armës” së fuqishme të artit".

© Muzetë e Vatikanit
© Muzetë e Vatikanit
22 shkurt 2024, 14:27