Kërko

Krezhmët: të Mërkurën e Përhime, Papa në Kishën e Shën Anselmit në Aventin

Të Mërkurën e Përhime, më 14 shkurt, besimtarët e krishterë hyjnë në Kohën e Krezhmëve, periudhë e përgatitjes shpirtërore për pritjen dhe kremtimin e Ngjalljes së Krishtit, të festës së Pashkëve. Të Mërkurën e Përhime, Papa Françesku do të kryesojë një kremtim në formën e “Stacioneve”.

R.SH. / Vatikan

Të Mërkurën e Përhime, më 14 shkurt, besimtarët e krishterë hyjnë në Kohën e Krezhmëve, periudhë e përgatitjes shpirtërore për pritjen dhe kremtimin e Ngjalljes së Krishtit, të festës së Pashkëve. Të Mërkurën e Përhime, Papa Françesku do të kryesojë një kremtim në formën e “Stacioneve”.

Në orën 16.30, në Kishën e Shën Anselmit, në Aventin, në Romë, do të fillojë liturgjia “stacionare”, që do të pasohet nga procesioni pendestar drejt Bazilikës së Shën Sabinës. Në të do të marrin pjesë kardinaj, kryeipeshkvij, ipeshkvij, murgjërit benediktinë të Shën Anselmit, etërit domenikanë të Shën Sabinës dhe besimtarët. Në përfundim të procesionit, në Bazilikën e Shën Sabinës do të kremtohet Eukaristia, riti i bekimit dhe vendosjes së hirit.

“Stacionet” krezhmore për të cilat bëhet fjalë në këtë njoftim, janë një traditë e lashtë e Kishës romake, që përmendet, që në shekullin V. “Stacioni” është para së gjithash vigjëlim, i shoqëruar nga agjërimi, me të cilin përgatitemi të jetojmë një ngjarje të rëndësishme. Kisha përdor këtu terminologjinë ushtarake, prandaj “stacioni” na çon tek përfytyrimi i rojes, që vigjëlon mbi kampin ushtarak. Kjo ka të bëjë drejtpërdrejt me Krezhmët, gjatë të cilave, besimtarët duhet të vigjëlojnë, të kenë kujdes e të bëjnë vepra bamirëse, të pendohen, të agjërojnë e të kthehen në udhën e Zotit. Këto vepra çojnë drejt kthimit rrënjësor të zemrave.

Konkretisht, “stacioni” është një takim me bashkësinë e krishterë, e cila mblidhet në të ashtuquajturit “tituli”, pra, në famulli të lashta ose shenjtërore, ku janë varrosur martirë. Është takimi i besimtarëve me ipeshkvin, pjesë e së cilës është edhe procesioni nga një kishë e afërt tek kisha stacionare ose tek një nga bazilikat e mëdha, ku ruhet kujtimi i martirit.

Krezhmët janë porta, përmes së cilës hyjmë në një përmasë shpirtërore e kishtare, që e bën të shndrisë gjithçka të krishterë – kthimin personal, bamirësinë ndaj të afërmit, thjeshtësinë e jetës – kaq fuqishëm, sa të duken si diamante në vitrinën e një argjendari. Por nuk do të vlenin asgjë – një rrëfim, një lëmoshë, një agjërim më shumë – nëse përveçse në kokë, të mos binte edhe në zemër një grusht me hi, pra, nëse secili prej atyre gjesteve liturgjike të mos ishte fryt i një akti të vetëdijshëm përvuajtërie para Zotit, sikur na kujton Ugjilli e na mëson Kisha, gjithnjë në kërkim të dashurisë së Zotit.

08 shkurt 2024, 12:28