Kërko

Kardinali You Heung sik Kardinali You Heung sik

Kardinali You: të formojmë meshtarë, që sjellin dritë në botë

Nga data 6 deri më 10 shkurt mbahet, në Vatikan, Konferenca për formimin e vazhdueshëm të meshtarëve, ku marrin pjesë rreth 1000 vetë nga 60 vende. Në program, lutje, shkëmbime, por edhe dëgjim në grupe të vogla në stilin sinodal. Prefekti i Dikasterit për Klerin nënvizon dëshirën për të reflektuar mbi vështirësitë konkrete të jetës meshtarake, por edhe për të treguar bukurinë e saj, falë shumë “dëshmive të mrekullueshme”

R.SH. – Vatikan

“Ringjalle dhuratën e Zotit që është në ty” (shih 2 Tim 1,6): kjo është tema e "Konferencës Ndërkombëtare për formimin e vazhdueshëm të meshtarëve", e cila filloi sot, e martë, 6 shkurt, në Vatikan dhe përfundon në datën 10. Nisma organizohet nga Dikasteri për Klerin, në bashkëpunim me Dikasterin për Ungjillizimin dhe me Dikasterin për Kishat Lindore. Objektivi është të fillojë një proces i përbashkët me të gjitha Kishat lokale për të përforcuar shoqërimin e meshtarëve.

Kardinali Ju Heung-sik: një takim në stilin sinodal

Çdo sesion i Konferencës parashikon dëgjimin e relacioneve, ndarjen në grupe gjuhësore për shkëmbimin e përvojave dhe të reflektimeve mbi temat e propozuara, në stilin sinodal. Rezultatet e takimit do të paraqiten të shtunën, më 10 shkurt, nga prefektët e tre dikastereve të përfshira. Në vijim, kardinali Lazzaro You Heung-sik, prefekt i Dikasterit për Klerin, do të kryesojë meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit. Në mikrofonin e Radio Vatikanit / Vatican News, kardinali flet për konferencën dhe për përgjigjen që u duhet dhënë nevojave të priftërinjve, në një kuadër të vështirë shoqëroro-kulturor dhe fetar…

Nëse shohim meshtarët në botën e sotme, e kuptojmë se ata kanë nevojë për mbështetje. Shën Pali, në Letrën e tij, shkruan se, në atë kohë, Timoteu ishte shkurajuar pak, ndaj e ndjen se duhet t’i thotë: " Ringjalle dhuratën e hirit të Zotit që është në ty". Sepse bukuria e të qenit dishepuj sot nuk vjen papritur, por kërkon gjithmonë një lloj zhvillimi, edukimi, formimi të gjithanshëm, komunitar dhe misionar. E meshtarët kanë nevojë vazhdimisht për formim dhe shoqërim, në mënyrë që të jetojnë gjithmonë të gëzuar dhe të lumtur. Këtë duam ne.

Hirësi, kjo konferencë ka si pikënisje sondazhin, dërguar para disa muajsh të gjitha Konferencave Ipeshkvnore, mbi “Ratio Fundamentalis Institutionis sacerdotalis”, dokument i vitit 2016 për formimin e meshtarëve. Cilat janë rezultatet e këtij sondazhi? Cili është realiteti i formimit të vazhdueshëm të priftërinjve, që del prej tij?

Na mbërritën rreth 800 përgjigje nga e gjithë bota. Përmes tyre mund të shohim bukurinë, praktikat e mira, dëshmitë e mira ekzistuese, por edhe gjithçka mungon: nevojitet një formim më i mirë, prandaj, ky është hap shumë i rëndësishëm për ne dhe për Dikasteret tona, që, së bashku me këshilltarët dhe ekspertët, po punojnë konkretisht për këtë. Në program ka shumë praktika të mira, dëshmi të mrekullueshme, të cilat janë shumë të dobishme. Më pas, do të përurojmë një faqe interneti të Dikasterit për Klerin për të realizuar kështu një rrjet botëror, në mënyrë që ta ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të ecim përpara së bashku. Vërej se shumë priftërinj ankohen për vetminë, sepse bota e sotme është shumë e shekullarizuar. Në këtë kuadër, kemi nevojë të kujdesemi për njëri-tjetrin, të moshuar e të rinj, duke u bërë dhuratë e ndërsjellë.

Hirësi, të enjten më 8 shkurt do të takoni Papën Françesku në një audiencë private. Mund të na shpjegoni si është strukturuar konferenca dhe sa meshtarë marrin pjesë?

Kemi rreth 1000 pjesëmarrës nga më se 60 vende, sigurisht shumica janë meshtarë, por edhe laikë, përfshirë gratë, të cilat na ndihmojnë në formimin dhe në shoqërimin e priftërinjve. Papa është gjithmonë udhërrëfyesi ynë dhe do të na japë një mesazh të fuqishëm për të ecur përpara, mesazh që duhet vënë në jetë. Përmes kësaj konference shpresoj të kuptojmë ku jemi, cilën rrugë të marrim, cilën Kishë, ç’lloj meshtari, ç’lloj formimi duhet të realizojmë e me këtë frymë do të ecim përpara. Meshtarët duhet të sjellin gëzim në botë dhe kështu, Kisha bëhet gjithnjë e më e lumtur, më e guximshme dhe ecën përpara me dëshminë e saj konkrete.

06 shkurt 2024, 14:22