Kërko

Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin

Kardinali Parolin: fermerët duhet të dëgjohen, duhet dialog

Sekretari i Shtetit të Vatikanit u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, pasi mori pjesë në një takim në Pallatin Borromeo, në Romë, kushtuar 40-vjetorit të Konkordatit dhe paraqitjes së marrëveshjes ndërmjet Italisë dhe Selisë së Shenjtë për selinë e re të spitalit “Bambino Gesù”. Për protestat e fermerëve evropianë, kërkoi të mbahet parasysh “qëndrueshmëria e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, ndërsa për Lindjen e Mesme, uroi të gjendet një zgjidhje, që përfshin lirimin e pengjeve

R.SH. – Vatikan

“Duhet të dëgjohen, duhet të ketë dialog, në funksion të qëndrueshmërisë së firmave të vogla dhe të mesme dhe të ardhmërisë për zonat rurale”. Këtë deklaroi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, për protestat e vazhdueshme të fermerëve, që kanë dalë në rrugë me traktorë në mbarë Evropën, kundër kostove të larta të prodhimit. Duhet vënë gjithnjë njeriu në qendër, nënvizoi kardinali, në mënyrë që “t’i ruhet dinjiteti e të mund të japë vërtet propozimet më të mira”.

Kardinali Parolin iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, pas një konference në Pallatin Borromeo - seli e ambasadës italiane në Selinë e Shenjtë - për 40-vjetorin e Konkordatit, nënshkruar në vitin 1984 nga kryeministri i atëhershëm Bettino Craxi dhe Sekretari i Shtetit i Vatikanit, kardinali Agostino Casaroli. Marrëveshje, që “nuk është diçka e së kaluarës, por projektohet në të ardhmen”, theksoi kardinali, i cili vërejti se ajo përmban “pikat, që mund të zhvillohen sot”, duke u nisur nga ç’u parashikua katër dekada më parë.

Shpresat për zgjidhje në Lindjen e Mesme

Në të njëjtën konferencë, u paraqit marrëveshja ndërmjet Italisë dhe Selisë së Shenjtë për selinë e re të spitalit “Bambino Gesù”, ku mjekohen fëmijë nga e gjithë bota, edhe nga Shqipëria: “Si pala italiane, ashtu edhe Selia e Shenjtë, do të përcaktojnë kërkesat për këtë operacion”, shpjegoi kardinali, pa dhënë hollësi të tjera.

Më tej, ai u ndal në konfliktin e Lindjes së Mesme, ku armëpushimi dhe marrëveshja për kthimin e pengjeve, që ende janë në duart e Hamasit, duken gjithnjë e më larg. “Po bëhen bisedime për këtë…” vërejti Sekretari i Shtetit të Vatikanit. “Sigurisht, duket sikur shpresat nuk po konkretizohen, këto shpresa, që lindin herë pas here. Por, shpresojmë që dalëngadalë të arrihet një marrëveshje dhe një zgjidhje, që përfshin lirimin e pengjeve dhe armëpushimin. E pastaj, të fillojnë negociatat për një zgjidhje përfundimtare të problemit”.

09 shkurt 2024, 10:38