Kërko

 Kardinali Parolin gjatë meshës me pjesëmarrësit në Konferencën Ndërkombëtare për  Formimin e Priftërinjve Kardinali Parolin gjatë meshës me pjesëmarrësit në Konferencën Ndërkombëtare për Formimin e Priftërinjve 

Kard. Parolin: kujdesi për njerëzimin e plagosur, mjeshtri e meshtarëve

Mesha e Sekretarit të Shtetit, Kardinalit Parolin, në Bazilikën e Shën Pjetrit, për pjesëmarrësit e konferencës ndërkombëtare kushtuar formimit të vazhdueshëm të meshtarëve, organizuar nga Dikasteri i Vatikanit për Klerin, e cila filloi dje, më 6 shkurt, në Vatikan.

R.SH. / Vatikan

Meshtarëve të shumtë që “dhurojnë çdo ditë jetën duke i shërbyer kauzës së Ungjillit, shpesh në heshtjen e bujkut që hedh farën, nganjëherë në vetmi e moskuptim", Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin u shprehu mirënjohjen gjatë Meshës, kremtuar në Altarin e Katedrës të Bazilikës së Vatikanit, mëngjesin e së martës, 6 shkurt, gjatë hapjes së konferencës ndërkombëtare për formimin e vazhdueshëm të priftërinjve. 

Takimi, i cili do të përfundojë të shtunën, më 10 shkurt, organizohet nga Dikasteri i Klerit në bashkëpunim me Dikasteret për Ungjillëzimin - Seksioni për Ungjillëzimin e parë dhe Kishat e reja të veçanta, si dhe për Kishat Lindore.

Gjatë homelisë, kardinali Parolin kujtoi se shumë meshtarë, në disa rrethana, provojnë “edhe indiferencën apo armiqësinë e persekutimit, por duke ruajtur gjithmonë në zemrat e tyre mahnitjen e fesë që përtërihet çdo ditë në gurrën e dashurisë së Krishtit, për të rrjedhur, më pas, dhe për  t’u përhapur si uji i gjallë në ushtrimin e shërbesës baritore”. Meshtari - nënvizoi Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë kardinali Parolin - është "dishepull i vënë për udhë  në ndjekje të Zotit" dhe, pasi pranoi me gëzim thirrjen e tij, "hyn në historinë e Popullit të Zotit si ndërmjetës", duke shoqëruar ata që iu besuan dhe duke u bërë për ta Ungjill i gjallë, shenjë dhe mjet i dashurisë së mëshirshme të Atit. Nuk është rastësi që Ratio fundamentalis institutionis sacerdotalis në n. 61 - kujtoi Kardinali Paroli - "pohon se prifti është dishepull në sstegtim e, njëkohësisht, misionar dhe dëshmitar i Ungjillit".

 Në këtë drejtim, kardinali Parolin vuri në dukje nevojën për priftërinj të cilët, “duke ndjekur gjurmët e Jezusit, Bariut të Mirë, në unitet me ipeshkvin dioqezan dhe me njëri-tjetrin” do ta shkrijnë jetën “për t'i shërbyer fesë së vëllezërve dhe kërkimit të tyre”. Të bashkuar me Krishtin - shtoi Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë - meshtarët "janë të thirrur të jetojnë si Ai", domethënë "të mos mburren me privilegjin e thirrjes dhe të rolit që kanë, por të hyjnë në zemrën e njerëzimit të plagosur, të shtypur dhe nevojtar”.

Me duart lartuar drejt qiellit e njëkohësisht të përkulura në tokë për të larë këmbët e vëllezërve, t’u shpallë atyre Fjalën e Zotit që shpëton, duke thyer për ta bukën të jetës së përjetshme, duke i shoqëruar dhe duke i udhëhequr në udhëtimin e tyre”. Sekretari i Shtetit të Vatikanit kujtoi, më pas, fjalimin e Papës Françesku drejtuar meshtarëve të pranishëm në Katedralen e Shën Terezës në Juba, më 4 shkurt 2023, gjatë udhëtimit apostolik në Sudanin e Jugut: «Duhet të jetë specialiteti i barinjve, të ecin në mes: në mes të vuajtjeve, në mes të lotëve, në mes të urisë për Zotin dhe etjes për dashurinë e vëllezërve dhe të motrave". Nuk bëhet fjalë për “një detyrë të thjeshtë", prandaj nuk duhet harruar kurrë "se edhe priftërinjtë janë burra, me ligështitë e tyre, me lodhjet, me frikën, me sfidat e vjetra e të reja, që ua pengojnë shërbesën".  

Në Vatikan, një konferencë ndërkombëtare për formimin e meshtarëve

Konferenca ndërkombëtare për formimin permanent të meshtarëve, organizuar në Romë, nga Dikasteri i Vatikanit për Klerin, në bashkëpunim me Dikasterin për Ungjillëzimin, nisi më 6 shkurt, ka si temë "Ringjalle dhuratën e Zotit që është në ty" (2Tm 1,6). Për këtë arsye - kujtoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit kard. Parolin - është e nevojshme të "ripërtërihet me entuziazëm angazhimi për formimin e vazhdueshëm", i cili bazohet para së gjithash "në kujdesin e marrëdhënies personale me Zotin dhe është gjithmonë një udhëtim në bashkësi".

Në lutjen solemne të Solomonit, marrë nga Libri I i Mbretërve – shtoi kard. Parolin - vetë monarku mund të ndërmjetësojë për njerëzit vetëm "duke ngritur duart kah Zoti e duke e njohur si Zot të qiellit dhe tokës". Në mënyrë të ngjashme, në Ungjillin e Markut, Jezusi "këshillon të shkohet përtej fesë në dukje, në mënyrë që të ketë lidhje koherente dhe përkim intim ndërmjet buzëve dhe zemrës, domethënë ndërmjet kultit, që  shpallim dhe asaj që realisht e kemi në shpirt". Është ftesë për të kapërcyer “tundimin e një feje, e cila pas veshjes dhe rolit që ne luajmë, nuk ka të bëjë me marrëdhënien e vërtetë me Zotin dhe me pranimin e vërtetë të Ungjillit”.

Së fundi, duke kujtuar temën e konferencës: “Ringjalle dhuratën e Zotit, që është në ty” (2 Tim 1, 6), kardinali Parolin shpjegoi se me këto fjalë Shën Pali Apostull e inkurajoi Timoteun e ri që «të mos dorëzohej përballë barrës së rëndë të kontradiktave dhe sfidave të rrethanave shumë të vështira kishtare e shoqërore, duke e nxitur atë të ringjallë bukurinë dhe gjallërinë e hirit të Zotit, që e mori si dhuratë në ditën e shugurimit”.

(nga L'Osservatore Romano)

07 shkurt 2024, 13:03