Kard. Czerny bekon, në Juba, një varkë për refugjatët e Sudanit
R. SH. - Vatikan
Nuk është thjesht varkë. Është simbol. Simbol i një jete të re në “ujëra më të qeta”, që lë pas urrejtjen, dhunën dhe hakmarrjen. Në ditën e fundit të udhëtimit në Sudanin e Jugut, kardinali Michael Czerny, prefekt i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, bekoi sot një varkë për të gjithë migrantët e detyruar të kalojnë Nilin. Ajo do të quhet Giuseppina Bakhita, emër i Shenjtores nga Darfuri, skllave që nderohet si Pajtore e të gjitha viktimave të skllavërisë së vjetër dhe të re. Karitasi lokal do ta përdorë varkën prej druri dhe hekuri për të transportuar refugjatë nga Sudani fqinj, i shkatërruar nga konflikti i dhjetë muajve të fundit, me pasojë një emergjencë humanitare të përmasave të mëdha me 25 milionë njerëz që, sipas Kombeve të Bashkuara, kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje.
Ujëra të qeta
Varka do t’i ndihmojë njerëzit që ikin nga vendi për të kapërcyer rrugën e gjerë ujore, ku ka shumë rreziqe dhe pengesa, duke nisur nga kufiri Renk e deri në Malakal. “Do të jetë një varkë që do ta lërë pas stuhinë e konfliktit, të dhunës, urrejtjes dhe ankesave, e do të lundrojë në ujëra më paqësore, drejt viseve ku njerëzit mund të jetojnë së bashku si vëllezër dhe motra” - pohoi Czerny, pa fshehur emocionet e tij, gjatë ceremonisë në portin e Jubës. Ky ishte akti i fundit i udhëtimit, që nisi më 2 shkurtin e kaluar për të rikujtuar thirrjen e Papës për paqe, një vit pas "shtegtimit" ekumenik në këtë tokë të plagosur, krah për krah me primatin anglikan Justin Welby
Vizita në Renk dhe Malakal
Rrugëtimi i prefektit të Dikasterit për Zhvillim e Gjithanshëm pati disa etapa. E fundit ishte ajo e Malakalit, për Meshën e Ditës Botërore kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, gjatë së cilës kardinali stigmatizoi "zotat" a "idhujt" e rremë, si lakmia për para dhe pushtet, pangopësia për kontroll dhe sundim, përjashtimi, pasojë e nacionalizmit fisnor, që ende sot shkatërron jetët e të tjerëve, duke "shkatërruar" kështu edhe vetë Sudanin e Jugut. Gjithnjë në Malakal, Kardinali Czerny mundi të shihte dhe të vlerësonte punën e mirëpritjes, kryer nga dioqeza dhe bashkësia vendase, pavarësisht nga fakti se burimet lokale janë të kufizuara. Në Renk, më pas, kardinali vizitoi vendin e pritjes për të riatdhesuarit dhe refugjatët sudanezë. Në kryeqytetin Juba, ku të dielën e kaluar kryesoi një Eukaristi në Katedralen e Shën Terezës, kreu i Dikasterit vatikanas deshi ta vuloste këtë shtegtim në gjurmët e Papës me një gjest simbolik, shenjë e vëmendjes së madhe të Kishës ndaj emergjencave dhe, shpesh, tragjedive që sjell migrimi.
Vazhdoni misionin
Përpara këtij reflektimi, kardinali Czerny u ndalua tek Ungjilli i Lukës, i zgjedhur për këtë rast (Lk 8, 22-25) mbi stuhinë e qetësuar nga Jezusi. Një fragment - kujtoi - që "na ndihmon të vlerësojmë rëndësinë e kësaj varke, mbasi mund të mendojmë se stuhia në det është simbol që të kujton konfliktet dhe vuajtjet e tmerrshme të Sudanit të Jugut”. Jezusi në barkë – shtoi - e qetësoi stuhinë në mënyrë që dishepujt të arrinin shëndosh e mirë në breg. Ky është një mesazh që na kujton se ne mund dhe duhet “t’i vazhdojmë misionin tonë, rrugëtimin tonë, detyrat tona”.
Shenjë e pranisë shëruese të Zotit
Varka Giuseppina Bakhita "do të bëjë punën e Kishës" - shtoi Czerny - "Jemi shumë mirënjohës për të mirën që do të bëjë. E jemi mirënjohës sidomos për bekimin e Zoti, që kjo varkë të mund t'i shërbejë gjithmonë qëllimit për të cilin është bërë e ribërë, dhe të mund të jetë vërtet shenjë e dashurisë së Zotit, e pranisë së Jezusit, e pranisë së Tij shëruese, e Krishtit mes nesh, që i paqëton të gjitha stuhitë, të cilat na shqetësojnë në rrugën tonë”.