Kërko

Doracaku "Na mëso të lutemi”, përgatitur nga Dikasteri vatikanas për Ungjillëzimin Doracaku "Na mëso të lutemi”, përgatitur nga Dikasteri vatikanas për Ungjillëzimin

Jubileu, doracak për t’u përgatitur me lutje

Doracaku "Na mëso të lutemi”, përgatitur nga Dikasteri vatikanas për Ungjillëzimin është në dispozicion në internet. Ai është pjesë e një sërë mjetesh të menduara për t’i shoqëruar besimtarët drejt Vitit të Shenjtë. Ka disa seksione për bashkësitë famullitare, familjet, të rinjtë, manastiret, katekezat, ushtrimet shpirtërore

R.SH. – Vatikan

“Na mëso të lutemi”: ky është titulli i doracakut të përgatitur nga Dikasteri vatikanas për Ungjillëzimin me rastin e Vitit të Lutjes, dëshiruar nga Papa në përgatitje për Jubileun 2025. Aktualisht, ai mund të konsultohet në portalin e Dikasterit në italisht, por së shpejti do të mund të shkarkohet edhe në spanjisht, portugalisht, frëngjisht, anglisht, polonisht. Është pjesë e një sërë mjetesh të menduara për t’i shoqëruar bashkësitë e krishtera dhe besimtarët drejt Vitit të Shenjtë.

Broshura, titulli i së cilës është marrë nga kapitulli 11 i Ungjillit sipas Lukës, frymëzohet nga mësimet e Papës Françesku dhe synon të jetë ftesë për ta intensifikuar lutjen si dialog personal me Zotin, në mënyrë që secili të reflektojë mbi fenë dhe impenjimin e tij në botën e sotme, në fusha të ndryshme në të cilat jemi thirrur të jetojmë, në mënyrë që të marrë hov të ri ungjillizimi i njeriut modern. Gjithashtu, jepen indikacione dhe këshilla për të jetuar më plotësisht dialogun me Zotin në marrëdhëniet me të tjerët, përmes seksioneve të ndryshme, në të cilat ndahet.

Lutja, busull që orienton

Në faqet e para të doracakut kujtohet se “në katekezat e tij, Papa ka theksuar në disa raste se lutja është mënyra për t’u vënë në kontakt me të vërtetën më të thellë të vetvetes, ku është e pranishme vetë drita e Zotit, siç mësonte Shën Agustini”. Ati i Shenjtë Françesku na inkurajon “të lutemi me këmbëngulje”, sepse lutja e vazhdueshme e transformon “jo vetëm individin, por edhe bashkësinë që e rrethon, edhe aty ku duket se mbizotëron e keqja”. “Lutja, pra, të jetë për çdo të krishterë busulla që orienton, drita që ndriçon rrugën dhe forca që e mbështet në shtegtimin, i cili do ta çojë në kapërcimin e Portës Shenjte” të Jubileut, pohohet më tej në hyrjen e doracakut. Lutja, nënvizohet në të, është mjet për "të mbërritur me zemrën e gatshme për të mirëpritur dhuratat e hirit dhe të faljes, që do të na japë Jubileu".

Pikërisht për këtë arsye, Dikasteri për Ungjillëzimin bën ftesë për "lutje, në një dialog të vazhdueshëm me Krijuesin, duke zbuluar gëzimin e heshtjes, paqen e lëshimit në dorë të Zotit dhe forcën e ndërmjetësimit të bashkësisë së shenjtorëve". Kapitulli i parë i doracakut i kushtohet "Mësimit të Papës Françesku për lutjen", i dyti mënyrave të ndryshme të lutjes, ndërsa kapitujt në vijim kanë të bëjnë me "Lutjen në bashkësinë famullitare", "Lutjen në familje", "Lutjen e të rinjve”, me “Ushtrimet shpirtërore kushtuar lutjes”, “Katekizmin mbi lutjen”, me “Lutjen e klaustraleve”, “Lutjen në shenjtërore” dhe, së fundi, paraqitet “Lutja e besimtarëve për Jubileun 2025”.

21 shkurt 2024, 12:15