Kërko

Viti i Ri kinez Viti i Ri kinez

“Jezusi është dielli e ne jemi hëna”: kardinali Tagle kremton Vitin e Ri kinez me studentët katolikë

Pro-prefekti i Dikasterit vatikanas për Ungjillëzimin, kardinali Luis Antonio Tagle, kremtoi më 10 shkurt, Vitin e Ri kinez, që bie në këtë periudhë, pasi populli i Kinës dhe popuj të tjerë ndjekin kalendarin hënor. "Dielli, drita", shpjegoi kardinali, "është Jezu Krishti dhe Kisha, ashtu si hëna, duhet të varet nga drita që vjen nga Jezusi"

R.SH. – Vatikan

Kisha nuk shkëlqen me dritën e saj. Mund t'i japë botës vetëm dritën e Krishtit, duke e pasqyruar atë me korpin e saj opak, siç bën hëna me dritën e diellit. Ky është imazhi emblematik, i marrë hua nga Etërit e Kishës, me të cilin kardinali Luis Antonio Tagle, pro-prefekt i Dikasterit vatikanas për Ungjillëzimin, foli për gurrën dhe natyrën e veprës misionare, që Krishti ia besoi Kishës së tij.

 E bëri këtë me rastin e Vitit të Ri Hënor, që festohet në vende dhe ndër popuj, të cilët e llogarisin kohën mbi bazën e kalendarit hënor. Kardinali kujtoi atë që Etërit e Kishës e quanin "Mysterium Lunae". Të shtunën, më 10 shkurt, pikërisht ditën e “Vitit të Ri Hënor”,​​kardinali Tagle kremtoi liturgjinë eukaristike në Kolegjin Papnor të Shën Palit, me bashkësinë e studentëve katolikë kinezë të Romës.

Mesha e kremtuar nga kardinali përfaqësoi çastin kulmor të ditës, e cila përfundoi me një drekë të këndshme. Dhjetra meshtarë, murgesha, seminaristë dhe diakonë kinezë, që studiojnë në universitetet romake, morën pjesë në festë, së bashku - ndër të tjerë - me kryeipeshkvin Fortunatus Nwachukwu, Sekretar i Dikasterit për Ungjillëzimin, dhe me don Samuele Sangalli, zv.sekretar i të njëjtit dikaster misionar.

Hëna - kujtoi kardinali në pjesën e fundit të homelisë së tij, duke iu referuar "Vit të Ri Hënor" - ka "një vend të veçantë" në reflektimet e Etërve të parë të Kishës. Dhe është diçka që ka të bëjë “me misionin e Kishës, me misionin tonë”. Disa Etër - kujtoi kardinali - e përshkruan misionin e Kishës si një "shërbim hënor", duke folur për "Mysterium Lunae". "Dielli, drita", shpjegoi pro-prefekti i Dikasterit për Ungjillëzimin "është Jezu Krishti dhe Kisha, ashtu si hëna, duhet të varet nga drita që vjen nga Jezusi".

 E ndarë nga dielli - vazhdoi kardinali Tagle - hëna nuk ka dritë. E, gjithsesi, hëna nuk e mban për vete dritën, që merr nga dielli, por e përthyen drejt tokës, e “ndan” me tokën. "Shpresa ime", pohoi kardinali në fund të homelisë "është që çdo vit, me rastin e Vitit të Ri Hënor, ne të krishterët ta përtërijmë "shërbimin tonë hënor": të kthehemi drejt Jezusit, të marrim dritën e Jezusit dhe të ndajmë me botën dritën e Krishtit, jo dritën tonë. Jezusi është "lumen Gentium", drita e njerëzve. Ne jemi hëna”.

12 shkurt 2024, 15:42