Kërko

Imzot Gabriele Caccia Imzot Gabriele Caccia

Imzot Caccia: mbrojtja e familjes është themelore për të garantuar zhvillimin shoqëror

Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara foli dje në Nju Jork, në sesionin e 62-të të Komisionit, që punon për zbatimin e Axhendës 2030: duhet të impenjohemi "për të varfrit e për njerëzit në gjendje të vështirë". T’u garantohet arsimi të gjithëve, pagesa e drejtë dhe një sistem më i mirë pensioni

R.SH. – Vatikan

“Për shumë njerëz, plotësimi i nevojave bazë mbetet luftë e përditshme”: e nisi kështu fjalimin e tij imzot Gabriele Caccia në Nju Jork, në sesionin e 62-të të Komisionit të OKB-së për Zhvillimin Shoqëror, detyra e të cilit është të mbështesë politikat, që shpejtojnë zbatimin e Agjendës 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe arritjen e objektivit të çrrënjosjes së varfërisë. Në fjalën e tij, edhe rëndësia e familjes, “qëndrore për zhvillimin shoqëror, jo dytësore e aq më pak, e dëmshme”.

Për zhvillimin: arsim, punë dhe paga të mira

Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara theksoi detyrimin e veçantë të organizatës "ndaj të varfërve dhe njerëzve në gjendje të vështirë", duke vënë në pah se "për të zbutur pasojat e varfërisë”, duhet ndërhyrë fillimisht në shkaqet e saj rrënjësore. Imzot Caccia përmendi disa rrugë për përmirësimin e mbrojtjes shoqërore si, për shembull, përmirësimin e sistemeve të pensioneve, pastaj, arsimimin për të gjithë - që për Papën Françesku, kujtoi ai, është "mjeti kryesor i zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, sepse i bën individët të lirë dhe të përgjegjshëm".

Kusht themelor për zhvillim është edhe "puna e denjë, me pagesë të drejtë për të gjithë", “në kushte dinjitoze dhe të sigurta", duke u dhënë mundësinë "punonjësve të shijojnë jetën dhe kohën e lirë familjare". Kryeipeshkvi Caccia vërejti se sot, shumë të rinj përballen me papunësinë dhe me punën e paguar keq, ndërsa të moshuarit detyrohen ta shtyjnë pensionin, për shkak të pasigurisë ekonomike.

Familja është qendrore, shpesh e nënçmuar dhe e denigruar

Familja është në qendër të zhvillimit, theksoi përfaqësuesi papnor. Është, "shoqëria e parë që njeh secili prej nesh". Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e përcakton si "grupin natyror dhe themelor të shoqërisë", duke i njohur "të drejtën për mbrojtje nga shoqëria dhe shteti". Por, kjo nuk ndodh gjithmonë. “Me rastin e 30-vjetorit të Vitit Ndërkombëtar të Familjes, - denoncoi prelati - delegacioni im është thellësisht i shqetësuar për faktin se familja nënçmohet, ose denigrohet gjithnjë e më shumë në forumet ndërkombëtare”. Ajo nuk është diçka dytësore e, aq më pak, e dëmshme.

Imzot Caccia citoi Papën Françesku, sipas të cilit familja është "shkollë humanizmi", "vendi i parë, ku jetohen dhe transmetohen vlerat e dashurisë dhe të vëllazërimit, të bashkimit, të vëmendjes dhe të kujdesit për të tjerët". “Për këtë arsye – përfundoi Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë – politikat sociale duhet ta mbështesin familjen në rolin e saj thelbësor në arritjen e drejtësisë dhe të zhvillimit social”.

13 shkurt 2024, 16:07