Kërko

Due anni di guerra in Ucraina Due anni di guerra in Ucraina
Editorial

Ukraina, e deri kur?

Pas dy vjet lufte, bombardimesh dhe vuajtjesh në Ukrainë, pyesim veten se çfarë duhet të ndodhë ende, që agresioni të ndalet, të ulemi rreth një tryze e të bisedojmë për një paqe të drejtë?

R.SH. / Vatikan

Andrea Tornielli

Edhe nëse lajmi i tmerrshëm që erdhi nga Toka Shenjte muajt e fundit, e tani vdekja e disidentit rus Navalny, i lanë në hije lajmet e luftës nga Ukraina, sot duam t’i kujtojmë. Po e bëjmë këto ditë, duke u dhënë zë dëshmitarëve, atyre që nuk i nënshtrohen logjikës së urrejtjes, atyre që vazhdojnë të luten dhe vazhdojnë të veprojnë për t’i lehtësuar vuajtjet e një popullsie të shtypur nga bombardimet prej njëzet e katër muajsh. Ne e bëmë këtë duke i lënë numrat të flasin, sepse realiteti i ashpër i asaj që po ndodh, shpesh edhe larg vëmendjes, përshkruan çnjerëzimin absurd të kësaj lufte. Dhjetëra mijëra jetë njerëzore flijohen për të pushtuar disa kilometra territor, dhjetëra mijëra të rinj dhe të moshuar plagosen ose gjymtohen, qytete të tëra ukrainase bëhen rrafsh me tokë, miliona njerëz të zhvendosur jetojnë jashtë vendit, mijëra miniera destinohen për të minuar jetën e ardhshme të popullatës së pafajshme... Çfarë duhet të ndodhë ende që agresioni të ndalet dhe krerët të ulen rreth një tryeze për të miratuar një paqe të drejtë?

Thirrjet e panumërta të Papës Françesku për të tërhequr vëmendjen drejt "Ukrainës së martirizuar" bien në vesh të shurdhër. Lufta dhe dhuna duket se janë bërë mënyra për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet. Gara e armatimeve në funksion të luftërave të ardhshme tashmë është fakt, edhe ky i pranuar si i pashmangshëm. Paratë, që nuk mund të gjenden kurrë për të ndërtuar kopshte dhe shkolla, për të financuar shëndetësinë funksionale, për të luftuar urinë apo për të nxitur tranzicionin ekologjik me mbrojtjen e planetit tonë në zemër, janë gjithmonë gati, kur bëhet fjalë për armatimet. Diplomacia duket se nuk ka zë, përballë sirenave luftarake. Fjalët si paqja, bisedimet, armëpushimi, dialogu shihen me dyshim. Evropa dëgjohet shumë pak, përtej protagonizmit të vetmuar të liderëve të veçantë.

Asnjëherë më parë nuk ka pasur nevojë të tillë për të mos iu dorëzuar logjikës së luftës. Është e nevojshme të vazhdojmë të kërkojmë dhuratën e paqes nga Perëndia, siç vazhdon të bëjë pa u lodhur Pasardhësi i Pjetrit, duke ditur ta dallojë prushin e shpresës, që digjet nën  shtresën gjithnjë e më të trashë të hirit të urrejtjes. Ka nevojë për udhëheqje të reja profetike, krijuese dhe të lira, të afta të guxojnë, të vënë bast mbi paqen dhe të marrin përgjegjësinë për të ardhmen e njerëzimit. Ne kemi nevojë për angazhimin e përgjegjshëm të të gjithëve për të dëgjuar me forcë dhe vendosmëri zërin e atyre që nuk i dorëzohen logjikës “kainiste” të “komandantëve”, të cilët rrezikojnë të na çojnë drejt vetëshkatërrimit.

24 shkurt 2024, 20:35