Kërko

Venecia Venecia

Bienalja e Venecias 2024: pavijon i Selisë së Shenjtë për të drejtat e njeriut dhe për të mënjanuarit

Dikasteri vatikanas për Kulturën dhe Edukimin është promotor i Pavijonit në Ekspozitën e 60-të Ndërkombëtare të Artit, e njohur si bienalja e Venecias, që sivjet ka për temë "Të huaj kudo - Foreigners Everywhere”. Kësaj radhe, mendja pas Bienales është ajo e Adriano Pedrosa-s

R.SH. – Vatikan

Dikasteri i Vatikanit për Kulturën dhe Edukimin merr pjesë si Ent Promovues i Pavijonit të Selisë së Shenjtë në Ekspozitën e 60-të Ndërkombëtare të Artit – e njohur si Bienalja e Venecias – për të cilën, këtë vit, është kujdesur braziliani Adriano Pedrosa. Titulli “Të huaj kudo - Foreigners Everywhere”. Pavijoni i kushtohet temës së të drejtave të njeriut dhe të fundmëve, banorë botësh të mënjanuara, ku rrallë arrijnë sytë e të gjithëve.

Ideja është të inkurajohet kultura e takimit, strumbullari i Magjisterit të Papës Françesku. Nga kjo dëshirë lindin ndërthurje historish, që shpesh, mund të duken të huaja, por, në të vërtetë, kanë të bëjnë me të gjithë, sepse flasin për të njëjtën etje për dashuri, të njëjtën dëshirë për jetë e për përzemërsi, të njëjtin shqetësim për t’i dhënë kuptim jetës, gjithçka që arti përpiqet ta pasqyrojë e ta përfaqësojë gjithmonë.

Në bashkëpunim me Departamentin e Administrimit të Burgjeve të Ministrisë Italiane të Drejtësisë, nga data 20 prill deri më 24 nëntor 2024, në Burgun e Grave Giudecca do të paraqitet projekti i titulluar “Me sytë e mi”. Propozimi artistik përdor fjalët e Atit të Shenjtë, kur na nxit të dalim e të shohim me sy ato realitete, që shpesh konsiderohen periferike dhe lihen jashtë debatit kulturor.

Komisari, kardinali José Tolentino de Mendonça, prefekt i Dikasterit për Kulturën dhe Edukimin, ka emëruar ndërkaq, si kuratorë për Pavijonin e Selisë së Shenjtë, Chiara Parisi-n dhe Bruno Racine-n. Përfshihen në projekt artistë të njohur ndërkombëtarisht: Maurizio Cattelan, Bintau Dembélé, Simone Fattal, Claire Fontaine, Sonia Gomes, Corita Kent, Marco Perego & Zoe Saldana, Claire Tabouret, me pjesëmarrjen e veçantë të Hans Ulrich Obrist, i njohur unanimisht si një ndër kuratorët e artit më të rëndësishëm të botës. Pavijoni do të paraqitet në një konferencë zyrtare për shtyp në ditët e para të marsit, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë.

08 shkurt 2024, 15:58