Kërko

Papa Françesku me imzot Flavio Pace Papa Françesku me imzot Flavio Pace

Bashkimi i të Krishterëve, imzot Flavio Pace sekretar i ri i Dikasterit

Lombard, 46 vjeç, i shuguruar meshtar nga kardinali Martini, Papa i dha titullin personal të kryeipeshkvit. Françesku emëron edhe kryeipeshkvin Giampiero Gloder, më parë nunc në Kubë, si nunc apostolik në Rumani dhe Moldavi

R.SH. Vatikan

Që nga shkurti i vitit 2020 si nënsekretar në Dikasterin e Kishave Lindore, don Flavio Pace emërohet sot nga Papa Françesku si sekretar i Dikasterit për nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve. Njëkohësisht, Ati i Shenjtë i jep edhe titullin personal të kryeipeshkvit. Shugurimi ipeshkvnor do të kremtohet më 4 maj, në katedralen e Milanos.

Studimet dhe shërbimi

Prelati i ri, lindur në vitin 1977, me origjinë nga Monza, mori shugurimin meshtarak në vitin 2002 nga duart e kryeipeshkvit të atëhershëm të Milanos, kardinalit Carlo Maria Martini. Pas vitesh pune baritore me të rinjtë në Abbiategrasso, si mësues feje në shkollat ​​shtetërore dhe si kapelan në Shtëpinë lokale për të Moshuarit, në vitin 2010, imzot Pace mori një certifikatë në studimet islame nga Instituti Papnor i Studimeve Arabe dhe i Islamistikës në Romë, duke bashkëpunuar në disa nisma të Kishës Ambrosiane, që kishin të bënin me marrëdhëniet me Islamin. Është kapelan i Institutit “Teresa Grillo Michel” të Motrave të Vogla të Provanisë Hyjnore.

Nunci i ri në Rumani dhe Moldavi

Ndër emërimet e Françeskut, edhe ai i nuncit të ri apostolik në Rumani dhe Moldavi, detyrë në të cilën Papa ka caktuar kryeipeshkvin Giampiero Gloder, më parë nunc në Kubë. Me origjinë nga provinca e Vicenzës, në Itali, 65-vjeçar, prelati hyri në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë në korrik 1992, duke shkuar në nuciaturën e Guatemalës. Punoi në Sekretarinë e Shtetit për disa vite deri në emërimin e tij, në vitin 2013, në kryesinë e Akademisë Kishtare Papnore.

23 shkurt 2024, 13:48