Kërko

Preghiera Preghiera

Vatikan: ushtrime shpirtërore të Kreshmës në tërheqje "personale"

Edhe sivjet, nga data 18 deri më 23 shkurt, Papa Françesku fton bashkëpunëtorët e tij më të afërt të jetojnë një periudhë pezullimi të aktiviteteve të tyre për t'iu përkushtuar individualisht lutjes e meditimit siç ka ndodhur që nga pandemia.

R.SH. / Vatikan

Një shkëputje nga puna për t’iu kushtuar lutjes e meditimit, sipas traditës, në "kohën e fortë" liturgjike të Kreshmës. Edhe një herë, siç njofton Zyra e Shtypit e Vatikanit, Papa Françesku i fton kardinajtë rezidentë në Romë, krerët e dikastereve të Vatikanit dhe eprorët e Kuries romake, të jetojnë fillimin e kësaj kohe liturgjike të vitit liturgjik të Kishës në mënyrë personale, me një periudhë ushtrimesh shpirtërore nga pasditja e së dielës së 18 shkurtit deri në pasditen e së premtes 23 shkurtit të ardhshëm. Në atë javë, saktëson njoftimi i Zyrës së Shtypit të Vatikanit, të gjitha angazhimet e Papës do të pezullohen duke përfshirë audiencën e përgjithshme të mërkurën më 21 shkurt.

Prandaj edhe këtë vit, siç ka ndodhur që nga shpërthimi i pandemisë në vitin 2020, përsëritet modaliteti personal i tërheqjes shpirtërore për Kreshmë, ndryshe nga sa ndodhi në vitet e mëparshme dhe që nga fillimi i papnisë, me ushtrimet shpirtërore të jetuara bashkërisht nga Papa dhe bashkëpunëtorët e tij të Kuries Romake në Ariccia, afër Romës, mysafirë të qendrës Casa Divin Maestro që drejtohet nga rregulltarët Paolinë.

Shën Injaci Lojolës përcaktoi metodën e ushtrimeve shpirtëror

Kujtojmë se është Shën Injaci i Lojolës ai që përcaktoi metodën e ushtrimeve shpirtërore. Por për këto ushtrime flitej shumë kohë përpara tij. Për këtë traditë na flet gjithë historia e monakizmit, që na mëson se duke medituar për Shkrimin Shenjt e duke u lutur, njeriu rigjen forcën shpirtërore për të vijuar udhën drejt Mbretërisë qiellore. Për monakizmin ushtrimet shpirtërore kanë kuptimin e vetmisë e të lutjes. Shën Françesku i Asizit i vinte rëndësi të dorës së parë lutjes; në ushtrimet shpirtërore të përcaktuara nga Shën Injaci ka shumë peshë meditimi, ndërsa ndër karmelitanë, kundrimi. Janë mënyra të ndryshme, por të çojnë në të njëjtin cak: të ndihmojnë të bësh kthesën e madhe, të gjesh në fjalën e Zotit, limfën për jetën tënde shpirtërore!

16 janar 2024, 15:03