Kërko

 Casa Divin Maestro conclusione Esercizi Spirituali, 2020.03.06 Casa Divin Maestro conclusione Esercizi Spirituali, 2020.03.06

Ushtrimet shpirtërore, të nevojshme për çdo të krishterë

Duke medituar Fjalën e Zotit, Shkrimin Shenjt dhe duke u lutur, njeriu rigjen forcën shpirtërore për të vijuar udhën drejt Mbretërisë së Zotit. Për murgjit ushtrimet shpirtërore kanë kuptimin e vetmisë, lutjes e meditimit. Ushtrimet shpirtërore ndihmojnë të bësh kthesën e madhe të jetës, të gjesh në fjalën e Zotit, limfën për jetën personale shpirtërore!

R.SH. / Vatikan

Papa e Kuria Romake, çdo vit në kohë Krezhmësh mbajnë ushtrimet e shpirtit. Po jo vetëm Papa e bashkëpunëtorët e tij por edhe ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët e besimtarët e krishterë kudo në botë, kanë traditë të mbajnë ushtrime shpirtërore disa herë në vit, varësisht nga kalendari kishtar e nga ngjarjet dhe nevojat shpirtërore personale.

Ushtrimet shpirtëror vendimtare për jetën e çdonjërit

Ushtrimet shpirtërore janë një lloj reflektimi dhe lutja e përqendruar e kryer nga anëtarët e besimit të krishterë, qoftë vetëm ose në grup. Por pse ka kaq shumë rëndësi që i krishteri t’i ndërpresë veprimtaritë e përditshme e t’ia kushtojë një pjesë të kohës Zotit, përmes ushtrimeve shpirtërore, ose në mënyra të tjera të mundshme?

Përgjigja është se ushtrimet shpirtëror janë vendimtare për jetën e çdonjërit. Nuk duhet të harrojmë se vetë Jezusi, gjatë jetës së tij – e këtë na e dëshmojnë Ungjijtë – tërhiqet mënjanë, në vetmi, për t’u lutur, për të medituar, për të dialoguar me Biblën, Shkrimet Shenjte e me Atin Qiellor. Në historinë e krishterë kjo kërkesë është e gjithpranishme, sepse ka çaste kur njeriu ndjen nevojën për të medituar e reflektuar mbi momente të rëndësishme të jetës, ka çaste ku ndjehet i lodhur, e ngadalëson hapin, i zvogëlohen forcat. Atëherë e ndjen nevojën për ta marrë përsëri shpirtërisht veten, për ta ushtruar shpirtin, për t’iu kushtuar Fjalës së Zotit, rishikimit të jetës, lutjes, në mënyrë që jeta jonë të gjallërohet rishtas.

Mësuesi i madh i ushtrimeve shën Injaci i Lojolës

Mësuesi i madh i ushtrimeve shpirtërore është pa dyshim shën Injaci i Lojolës, themeluesi i Jezuitëve, por praktika e këtyre ushtrimeve është jetuar në mënyra të ndryshme që në agimet e krishterimit. Mjafton të mendojmë për jetën murgare, për shën Bazilin e Madh, shën Antonin, Abat, shën Françeskun, për dominikanët, karmelitanët e kështu me radhë…

Pra, sigurisht është shën Injaci i Lojolës ai që përcaktoi metodën e ushtrimeve shpirtërore, pak a shumë në formën që përdoret edhe sot. Por për këto ushtrime shpirtërore flitej shumë kohë përpara tij. Për këtë traditë na flet gjithë historia murgare e Kishës . Është fjala për të ndjekur këshillin që jepnin etërit e shkretëtirës: “Ik, hesht, qetësohu!” – që do të thotë hiqu mënjanë, zhytu në heshtje, rigjej paqen e shpirtit.

Duke medituar Fjalën e Zotit, Shkrimin Shenjt dhe duke u lutur, njeriu rigjen forcën shpirtërore për të vijuar udhën drejt Mbretërisë qiellore. Për murgjit ushtrimet shpirtërore kanë kuptimin e vetmisë e të lutjes. Edhe shën Françesku i Asizit i vinte rëndësi të dorës së parë lutjes, ndërsa në ushtrimet shpirtërore të përcaktuara nga shën Injaci ka shumë peshë meditimi e ndër karmelitanë, kundrimi. Janë mënyra të ndryshme, por që të çojnë në të njëjtin cak: të ndihmojnë të bësh kthesën e madhe të jetës, të gjesh në fjalën e Zotit, limfën për jetën personale shpirtërore!

16 janar 2024, 16:05