Kërko

Kard. Parolin: “të vendosur kundër çdo forme antisemitizmi, asnjë arsye nuk e përligj”

Me rastin e kremtimeve të 200-vjetorit të vdekjes së Kard. Consalvi (më 24 janar 1824), Sekretari i Shtetit të Vatikanit reflekton për Ditën e Kujtimit, më 27 janar: “Antisemitizmi fatkeqësisht po ringjallet për shkak të ngjarjeve në Gaza. Arsyet e palestinezëve duhet të njihen, por asgjë nuk e përligj lëvizjen antisemite. Për rikthimin e mundshëm të Trump në Shtëpinë e Bardhë, Parolin shprehet:“Nuk do të ndërhyjmë, shpresojmë që zgjedhjet të jenë mjet për të siguruar mirëqenien e të gjithëve"

R.SH. / Vatikan

"Asnjë arsye nuk mund ta përligjë antisemitizmin". E përsëriti, pas thirrjes së Papës në audiencën e sotme të përgjithshme, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin. Në përfundim të kremtimeve me rastin e dyqindvjetorit të vdekjes së Kardinalit Consalvi (Romë, 8 qershor 1757 – Romë, 24 janar 1824), Sekretari i Shtetit të Vatikanit reflektoi për Ditën e Kujtimit, më 27 janar: "Mendoj se duhet të jemi shumë të vendosur kundër çdo forme të antisemitizmit, që fatkeqësisht po ringjallet lidhur edhe me ngjarjet në Gaza”. “Nuk ka asnjë arsye që mund të justifikojë një fenomen të tillë”. Arsyet e palestinezëve duhet të njihen, por na vjen keq që nuk pranohet linja e dy shteteve, gjë që nuk justifikon absolutisht ekzistencën e një lëvizjeje antisemite”- nënvizoi Kardinali.

Kur u pyet nëse kthimi i Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë pas fitores së tij në New Hampshire mund të shkaktojë shqetësim, Sekretari i Shtetit u përgjigj: "Është padyshim lojë e brendshme e Amerikës, besoj se nuk duhet të ndërhyjmë absolutisht: mund të kemi preferenca personale, por pa shprehur publikisht asnjë prirje". Kardinali shpreson se "këto zgjedhje do të jenë mjet për të garantuar mirëqenien e të gjithëve dhe mënyrë për liderët e kombeve, që ta kenë për zemër të mirën e shoqërisë, të vendit dhe mbi të gjitha, të shtresave më të varfra të popullsisë".

Për sa i përket projektligjit për autonominë e diferencuar, miratuar dje në Senatin italian, Kardinali Parolin bën një pyetje, si shtytje për të menduar: “A është kjo mënyrë për t'u bërë më solidarë, që edhe Italia të bëhet më solidare? Që të mund të ndihmojmë njëri-tjetrin, pa e harruar as hendekun e madh që ekziston ndërmjet njërës pjesë të Italisë dhe tjetrës? Po të jetë kjo, mirë se  të vijë - pohoi - po të mos jetë, vërtet duhet ta pyesim veten a ia vlen ta marrim këtë rrugë”.

Në bisedën me gazetarët, një referencë e shkurtër për lirimin, javët e fundit, të 19 përfaqësuesve të Kishës Katolike në Nikaragua, përfshirë ipeshkvijtë Rolando Alvárez dhe Isidoro Mora, mirëpritur tashmë në Romë nga Selia e Shenjtë. Kardinali pohoi se nuk është në dijeni për ndonjë audiencë me Papën, veçanërisht për Imzotin Alvárez, në burg për më shumë se një vit e gjysmë: "Nuk e di cilët janë hapat e ardhshëm, ndërkohë jemi të lumtur që ai mbërriti këtu e që mundi të dilte nga burgu”.

24 janar 2024, 14:32