Kërko

Ambienti, Laudato si, uji, ekologjia Ambienti, Laudato si, uji, ekologjia 

Nga Laudato si'-te Laudate Deum, kurs online në Ekologjinë Integrale

Nisi botimi në anglisht i nismës së aleancës për kujdesin e shtëpisë sonë të përbashkët të Universiteteve Papnore dhe Ateneve të Romës. Do të ofrohet online, në bashkëpunim me grupe të shumta të rëndësishme, të përfshira në fushën e kujdesit ndaj krijimit. Pjesëmarrësit e regjistruar në Universitetin Papnor Gregorian do të jenë në gjendje të bëhen zyrtarisht Laudato si' Animators, në përfundim të nismës.

R, SH. - Vatikan

Më 4 tetor 2023, me rastin e festës së Shën Françeskut të Asizit, Pajtor i ekologjisë, Papa Françesku botoi Laudate Deum, thirrje apostolike, që pason letrën enciklike historike Laudato si' të vitit 2015. Me thirrjen e re, Papa Françesku larton rishtas zërin e tij profetik, duke na ftuar të kujdesemi për shtëpinë tonë të përbashkët dhe për njëri-tjetrin, veçanërisht për më të pambrojturit ndër ne. Siç nënvizon Papa, "ne nuk reagojmë sa duhet" dhe "bota, që na mirëpret, po shkatërrohet e, ndoshta, po i afrohet fundit" (LD, 2). Na kujton edhe se “nuk na kërkohet asgjë më shumë sesa përgjegjësia e caktuar për trashëgiminë që do të lëmë pas kalimit tonë nga kjo botë” (LD, 18). Samiti i fundit i klimës në Dubai (COP28) tregoi, me dhimbje, se ne vazhdojmë të jemi të shurdhër ndaj "klithmës së tokës" dhe "klithmës së të varfërve", që po trandë dheun (LS, 49). Koha e ka një cak! A mund të zgjohemi ende me tmerrin e kërcënimit ekzistencial për jetën dhe qytetërimin në këtë planet, që e quajmë "shtëpi"?

Diplomë e përbashkët në Ekologji Integrale

Sfida e pashoqe, me të cilën po ndeshen planeti dhe njerëzit, mund të trajtohet vetëm nga këndvështrimi i një vizioni integral ekologjik, që Papa Françesku ofroi në Laudato si'. Rindërtimi i shtëpisë sonë të përbashkët dhe familjes sonë të përbashkët njerëzore e biotike kërkon aleancë ndërmjet të gjithë anëtarëve të familjes dhe të gjitha segmenteve të shoqërisë. E pikërisht në frymën e këtij misioni profetik, Universitetet Papnore të Romës u mblodhën menjëherë pas botimit të Laudato si' për të nisur Diplomën e Përbashkët në Ekologjinë Integrale (2016), me patronazhin e Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor dhe mbështetjen e Lëvizjes Laudato si'. Në përvjetorin e shtatë të kësaj përpjekjeje kolektive dhe të frytshme, botimi në anglisht i kësaj nisme do të ofrohet online, në bashkëpunim me grupe të shumta përkatëse të përfshira në fushën e kujdesit ndaj krijimit.

Në kurs, akademikë, liderë dhe aktivistë nga e gjithë bota

Kursi i ekologjisë integrale udhëhiqet nga një bashkësi e mirënjohur akademikësh, liderësh dhe aktivistësh nga e gjithë bota, që përfaqësojnë disa nga institucionet dhe grupet kryesore të përfshira në fushën e kujdesit për krijimin. Përbëhet nga gjashtë takime prej 90 minutash, të cilat do të zhvillohen nga janari deri në qershor 2024 (çdo të enjte të tretë të muajit nga ora 13:30 deri në orën 3 pasdite), si dhe një seminar, në mars, dhe një konferencë ndërkombëtare në internet mbi Laudate Deum, në maj. Kursi do të përurohet zyrtarisht më 25 janar dhe regjistrimi do të mbetet i hapur deri më 31 mars 2024. Pjesëmarrësit do të regjistrohen në Universitetin Papnor Gregorian të Romës me hyrje në shërbimet online si biblioteka dixhitale, materialet mësimore etj. Tarifa e hyrjes është qëllimisht e ulët, për të lehtësuar pjesëmarrjen, me synimin e krijimit të një lëvizjeje të gjerë të njerëzve për t'u kujdesur për shtëpinë tonë të përbashkët dhe për njëri-tjetrin, në epokën aktuale të emergjencës planetare. Në fund të kursit, studentët do të mund të marrin një çertifikatë, sipas kërkesës. Pjesëmarrësit do të mund të bëhen zyrtarisht Laudato si' Animators, falë Lëvizjes Laudato si'.

17 janar 2024, 14:25