Kërko

Kard. Parolin: Vatikani i shqetësuar për përshkallëzimin e mundshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, shpreh "shqetësimin e tij të madh" për mundësinë që "nëse nuk merren masa të duhura" do të ketë "një përshkallëzim" të konfliktit" në Lindjen e Mesme. Kardinali Prolin kujton thirrjen e Papës drejtuar pjesëmarrësve në Davos për "një ekonomi gjithëpërfshirëse e sociale" dhe shpreson që vlerat e krishtera, si ajo e jetës, "mund të gjejnë hapësirë ​​në politikën e sotme dhe të mishërohen në realitet".

R.SH. – Vatikan

Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin i shikon "me shqetësim të madh" sulmet e fundit në Detin e Kuq nga rebelët Houthi, përshkallëzimin e dhunës në Gazë si dhe sulmin me raketa iraniane në Erbil, në Kurdistanin irakian. Frika, “nëse nuk merren masa të duhura”, ekziston rreziku për “një zgjerim, për një përshkallëzim” të konfliktit: e kjo është “pikërisht ajo që ne donim të shmangnim”. Pikërisht për këtë ka shprehur shqetësimin e tij edhe Papa në audiencën e përgjithshme të kësaj së mërkureje.

“Një nga pikat themelore është që ky konflikt të mos përhapet…”, tha kardinali Parolin në bisedë me disa gazetarët, në kuadrin e një aktiviteti mbajtur dje në Senatin italian, në Palazzo Giustiniani, në Romë, mbi figurën e paharrueshme të kardinalit Achille Silvestrini. "Rreziku ekziston, shpirtrat janë kaq të ndezur dhe situata është tejet delikate... Duhet të sigurohemi që të gjithë të përpiqen të kontrollojnë reagimet e tyre në mënyrë që të mos ketë zjarr të përgjithshëm".

Dy popuj, dy shtete "zgjidhja"

Duke hyrë në detaje të konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit, kardinali Parolin ripohon me vendosmëri atë që për Selinë e Shenjtë është "zgjidhja": dy popuj, dy shtete. Hipotezë historike që Hamasi, përmes fjalëve të sotme të liderit të saj të jashtëm Khaled Meshal, tha se e hedh poshtë kategorikisht. “Për ne, megjithatë, dy popuj, dy shtete vazhdojnë të jenë zgjidhja. E rëndësishme është gjithashtu që të gjendet një mënyrë për të vendosur dialogun në mënyrë që të mund të realizohet realisht”.

Dimensioni humanitar në Ukrainë

Kardinali Parolin shikon më pas me shqetësim fatin e Ukrainës dhe ripohon përfshirjen e Selisë së Shenjtë për një zgjidhje paqësore: “Edhe nëse kufizohemi, të paktën deri më tani, në dimensionin humanitar”, sqaron kard. Parolin. “Një nga dhjetë pikat e të ashtuquajturës platformë paqeje të Zelenskyt ka të bëjë me çështjet humanitare dhe pikërisht këtu i përqendron përpjekjet Selia e Shenjtë”.

Lidhur me konferencën e nivelit të lartë të paqes të kërkuar nga vetë Zelensky në Davos, ku foli në Forumin Ekonomik Botëror, i cili filloi pardje, kardinali Parolin shpjegon se, si në tre edicionet e mëparshme (i fundit në Arabinë Saudite), Selia e Shenjtë do të marrin pjesë sigurisht: “Tani për tani në këtë takim merr pjesë përfaqësuesi i përhershëm i Vatikanit në Gjenevë, Imzot Ettore Balestrero, i ngarkuar nga Sekretaria e Shtetit të Selisë së Shenjtë”.

18 janar 2024, 11:24