Kërko

 Kardinali Parolin në Akademinë Papnore Kishtare (17 Jnar 2024) Kardinali Parolin në Akademinë Papnore Kishtare (17 Jnar 2024) 

Kard. Parolin; jo kotësi, por përvujtëri në zgjidhjen e konflikteve

Sekretari i Shtetit të Vatikanit kryesoi, në Akademinë Kishtare Papnore, Mbrëmësoret e dyta në kujtim të Shëna Ndout Abat. Dha edhe këshilla praktike për kryerjen e misionit "të mundimshëm, por magjepsës" të paqes, që i takon diplomacisë papnore: "Mos kërkoni të dukeni në qendër të vëmendjes. Ushtroni përvujtërinë, duke kryer vepra të mira e të fshehura, duke i mbështetur ata që kalojnë çaste të vështira në bashkësi e në zyra e duke mos i lënduar të tjerët me fjalë".

R. SH. - Vatikan

Anëtarëve të ardhshëm të diplomacisë papnore,  të cilët i pret “misioni i mundimshëm, por magjepsës i ribashkimit të armiqve dhe i rizgjidhjes së konflikteve në Kishë dhe në botë”, Kardinali Pietro Parolin u dha këshilla konkrete për kryerjen e një shërbese, që sigurisht nuk është pa "punë të vështira dhe urgjente" e, ndonjëherë, edhe pa shqetësimin e "vetmisë". Posaçërisht, mos kërkoni të tërhiqni vëmendjen, e pastaj të bëni "gjeste të dobishme, falas dhe të fshehura", ndoshta ndaj një njeriu a kolegu, që kalon çaste të vështira në bashkësi a në detyrën e tij, e mos e lëndoni të afërmin me fjalë dhe mos u merrni me ato, që shpesh Papa Françesku i quan "thashetheme". Me fjalë të tjera, jini " të përvujtë", një virtyt që është më urgjent se kurrë në kohën e sotme të urrejtjes dhe konflikteve "shqetësuese".

Të përvujtë, jo të nënshtruar

Sekretari i Shtetit kryesoi Mbrëmësoret e Dyta për “banorët” e Akademisë Papnore Kishtare, e ashtuquajtura “shkolla e nuncëve të ardhshëm”, më 17 janar, me rastin e kujtimit liturgjik të Shëna Ndout Abat. Pikërisht figura e Shenjtit vetmitar, themelues i monakizmit çenobit dhe shembull i besimit të plotë te Zoti, shërbeu si udhërrëfyese për reflektimin e Kardinalit, që u kërkoi priftërinjve-studentë të cilët do të bëhen përfaqësues të Papës në botë, të jenë pikërisht si Shëna Ndou, “të përvujtë”. Gjë që nuk do të thotë të jesh “i nënshtruar dhe dyshimtar”, as “të ndihesh i vogël”, por “të bëhesh i vogël”. Një qëndrim shumë i ndryshëm, i nxitur nga siguria se "kjo vogëlsi është mënyra me të cilën Zoti mund të realizojë punë të mëdha, nëse besojmë tek Ai, pa kërkuar të dalim në pah".

Familje e përhapur në mbarë botën, por jo e ndarë

Sekretari i Shtetit, në homelinë e tij, u ndalua edhe te koncepti i unitetit për të kujtuar se edhe në mes të vështirësive që sjell puna diplomatike, njeriu nuk është kurrë vetëm, por “si familje”. Jo më kot quhet “Trupi” diplomatik, emër që kuptohet “si unitet i shumë pjesëve të ndryshme” dhe mbi të gjitha si “pasqyrim i Korpit të Krishtit, që është Kisha, në të cilën kemi hyrë dhe jemi thirrur ta ndërtojmë në unitet”. Diplomacia papnore është  familje “e shpërndarë nëpër botë, por jo e përçarë”, nënvizoi Kardinali; “Pavarësisht se  zhvillohet kryesisht brenda një zyre, ka të bëjë me jetën e shumë njerëzve dhe bashkësive”, por ndonjëherë provon edhe “vetminë” – kujtoi Prelati.

Vetmia dhe ngushëllimi

Çka duhet bërë në këto çaste, kur ia behë edhe çkurajimi? Është gjithmonë Shën Antoni, që të jep shembullin: disa herë ai "pati një luftë të hidhur shpirtërore, veçanërisht kundër tundimit të keqardhjes për jetën e tij të kaluar". Pas kaq shumë mundimesh Zoti, duke e parë se luftonte, se rezistonte dhe se fitonte, e ngushëlloi dhe e siguroi për ndihmën e tij përgjithmonë. “Mund të na ndodhë edhe ne të jetojmë çaste zhgënjimi dhe hutimi. Në këtë çast ka rëndësi të mos i dorëzohemi ndjenjave tona, por besnikërisë së Zotit” – theksoi Kardinali Parolin.

Nga i koti - te Zoti

Bëhet fjalë për lëvizjen e "qendrës së gravitetit" nga vetja, që shpesh të duket e kotë - te Zoti. Bëhet fjalë për përvujtëri, mjet që ndihmon në kapërcimin e situatave të vështira dhe  të ndjenjës se shumë gjëra shkojnë "nga e keqja - në më të keqen". Një tundim, ky, që ndodh shpesh sot, “duke parë shumë urrejtje dhe konflikte shqetësuese që tërbohen në botë, të cilat mund të rrënjosin njëfarë pesimizmi” - kujtoi Kardinali. Shën Antoni pati gjithmonë përvujtërinë "si shok jete, duke hequr dorë nga vetja për Zotin e duke e vënë Hyjin përpara vetes". Ky është qëndrimi që duhet mbajtur sepse "krijon besim", "na bën të ndihemi të dashur, kurrë të braktisur" dhe na ndihmon të ruajmë qetësinë e plotë shpirtërore.

Larg kotësisë

Së fundi, u kërkoi atyre që e ndiqnin, të ruhen kundër "etjes për lavdi", tundim nga i cili, siç thoshte Pascal, duhet të ruhesh fort, pasi është "i gjithëpranishëm". Përvujtëria është "ilaç" dhe mund të të shërojë "duke treguar vëmendje për të tjerët, duke kryer gjeste të dobishme, falas e  fshehtas".

Mendoj, për shembull - tha kardinali Parolin - për përshëndetjet ndaj një personi që në bashkësi, në zyrë apo në Nunciaturë po kalon një periudhë të vështirë; për kohën kushtuar dëgjimit të një vëllai; për afërsinë me një koleg të largët, që pret mbështetje;  për të mos lënduar  askënd me fjalë dhe, mbi të gjitha për të mos folur keq për të tjerët. Sa shumë na këshillon Ati i Shenjtë për këtë.

Duke menduar pikërisht për Papën Françesku, Sekretari i Shtetit përmendi Shenjtin e Asizit, emrin e të cili e mori Papa. Varfanjaku i Asizit, duke folur për përvujtërinë, thoshte: "Njeriu është njeri, aqsa vlen para syve të Zotit, asgjë më shumë". Ja pra - përfundoi kardinali Parolin - "lavdia jonë është kjo dhe asgjë tjetër".

20 janar 2024, 14:33