Kërko

 Papa Paolo VI MONTINI Papa Paolo VI MONTINI

Françesku: Pali VI, Papa "martir"

Shtëpia Botuese e Vatikanit boton më 18 janar librin "Pali VI, Doktor i Misterit të Krishtit", përmbledhje e predikimeve që kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, shqiptoi nga 6 gushti i vitit 2008 deri në vitin 2014, në përvjetorin e vdekjes së Papës Montini. Vëllimi ka një parathënie të Papës Françesku, të cilën e botojmë më poshtë, dhe një pasthënie të Imzotit Leonardo Sapienza, regjent i Prefekturës së Shtëpisë Papnore

R.SH. / Vatikan

Jam i lumtur që kardinali Marcello Semeraro vendosi të botojë serinë e predikimeve të mbajtura në ditën e Shndërrimit të Zotit, që është edhe përvjetori i ndarjes së Shën Palit VI nga "kjo tokë e dhimbshme, dramatike dhe madhështore", si e quajti ai vetë në Testamentin e tij, domethënë, në shtëpinë e Atit. Jam i lumtur edhe që zgjodhi ta bëjë këtë në vitin 2023,  gjashtëdhjetë vjet pas thirrjes së Giovanni Battista Montinit në fronin e Shën Pjterit.

Pali VI! Shpesh e kam pyetur veten nëse ky Papë duhet apo nuk duhet konsideruar “martir”! Një herë, në një takim privat në pritje të ritit të lumnimit të Papës Montini, ia thashë këtë edhe ipeshkvit Marcello. E pyeta, gjysmë me shaka, nëse duhej të vishja rroba liturgjike të kuqe apo të bardha në rit. Ai nuk më kuptoi dhe më shpjegoi se në ritet e varrimit të Papëve përdoreshin veshjet me ngjyrë e kuqe ... Unë ia shpjegova atë që doja të thoja e ai mbeti i zhytur në mendime.

Kapaku i librit

Në të vërtetë, më 15 dhjetor 1969, me rastin e shkëmbimit klasik të urimeve të Krishtlindjes me Kolegjin e Kardinajve dhe Kurien Romake, Pali VI pati përmendur faktin se Vatikani II kishte “krijuar një frymë vëmendjeje e, në disa aspekte, edhe tension shpirtëro”, duke përfshirë krizën e shumë priftërinjve. Në këtë kontekst - shtoi ai  - "Kjo është kurora jonë me ferra". Nxitja për ta dashur Kishën ishte ndër më të shpeshtat dhe më të përsëriturat në papninë e Palit VI. Për Të, ishte si pasqyrë, në të cilën mund të shihte Krishtin, hapësirën në të cilën do të takohej me Krishtin dhe kjo ishte, për të, unum needum, “e vetmja nevojë”. Të gjithë e kujtojmë lutjen e tij drejtuar Krishtit! Dhe është kjo dashuri unike dhe absolute për Krishtin që kardinali Semeraro synoi të nënvizonte me predikimet e tij, të kontekstualizuara në misterin e Shndërrimit.

Shën Pali VI ishte soditësi, predikuesi dhe dëshmitari i Krishtit të shndërruar. Mund të thuhej se ai donte të hynte në atë skenë ungjillore si shoqërues i tre apostujve të zgjedhur nga Jezusi. E, për më tepër: dëshira e tij intime dhe e fshehtë ka qenë gjithmonë të ishte "cum ipso in monte" dhe kjo e ka bërë vetë jetën e tij të shpërfytyruar.

Jam i lumtur që botohen këto reflektime, sepse figura e Shën Palit VI ka qenë gjithmonë tërheqëse edhe për mua. Tashmë e kam thënë në një rast tjetër se si disa nga fjalimet e këtij Pape - si ato në Manila e në Nazaret...  më kanë dhënë forcë shpirtërore dhe kanë ndikuar pozitivisht mbi jetën time. Dihet që Nxitja ime e parë Apostolike Evangelii gaudium kishte për qëllim të ishte paksa si ana tjetër e medaljes së nxitjes Evangelii nuntiandi,  dokument baritor që e dua shumë. Të gjithë, nga ana tjetër, më kanë dëgjuar shpesh duke përsëritur shprehjen e cila prej aty, më mbeti në zemër: “gëzimi i ëmbël dhe ngushëllues i ungjillëzimit”. E kam përsëritur kur isha ipeshkëv i Buenos Ajres, e përsëris edhe sot.

Titulli i zgjedhur për këtë koleksion është një frazë e Marie-Joseph Le Guillou, një teolog i madh dominikan, të cilin edhe unë e vlerësoj shumë. E shkroi në një vëllim kushtuar madhështisë profetike, shpirtërore, doktrinore, baritore dhe misionare të Koncilit II të Vatikanit. Edhe nga kjo, pra, do të doja të marr frymëzim përpara se të përfundoj këto rreshta që paraqesin librin. Me afrimin e ngjarjes jubilare të vitit 2025, u kam kërkuar të gjithëve të përgatiten për të, duke marrë tekstet themelore të Koncilit II Ekumenik të Vatikanit. T

ani, në librin e tij, Fr. Le Guillou e përshkruan Vatikanin II si një akt soditjeje të Fytyrës së Krishtit. Gjithashtu në këtë këndvështrim, Magjisteri i Vatikanit II duhet rilexuar, duhet studiuar e duhet zbatuar. Një jezuiti, i cili gjatë takimit në Vilnius të Lituanisë, më pati pyetur sesi mund të më ndihmonte, unë iu përgjigja: «Historianët thonë se duhen 100 vjet që një Këshill të zbatohet. Jemi në gjysmë të rrugës. Prandaj, nëse doni të më ndihmoni, veproni në atë mënyrë që të çoni përpara Koncilin në Kishë". Mendoni fytyrën e Krishtit! Në Evangelii gaudium kam shkruar se çdo predikues "është soditës i Fjalës  e i njerëzve”. Dua të them se kështu është edhe Kisha Sinodale. Kundruese e Fjalës e edhe kundruese e popullit të shenjtë besnik të Hyjit. Uroj  me gjithë zemër që këtë të inkurajojnë edhe reflektimet e shkruara në këto faqe.

18 janar 2024, 10:24