Kërko

Vaticano, Palazzo Sant Uffizio, Congregazione per la Dottrina della Fede Vaticano, Palazzo Sant Uffizio, Congregazione per la Dottrina della Fede

Dikasteri për Doktrinën e Fesë: bekimi nuk është miratim i bashkimeve njëgjinore

Një sqarim i Prefektit të Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë kard. Fernandez në përgjigje ndaj polemikave të shumta mbi “Fiducia supplicans”: doktrina mbi martesën nuk ndryshon, ipeshkvijtë mund ta shoshitin aplikimin në varësi të kontekstit, bekimet baritore nuk janë të krahasueshme me ato liturgjike dhe rituale

R.SH. / Vatikan

Botimi i 18 dhjetorit të kaluar i deklaratës Fiducia supplicans nga Dikasteri i Vatikanit për Doktrinën e Fesë mbi domethënien e bekimeve nxiti menjëherë reagime të ndryshme si nga ipeshkvijtë në mënyrë individuale, ashtu edhe nga konferenca të tëra episkopale. Dy javë më vonë, prefekti dhe sekretari i Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë, Kardinali Victor Manuel Fernández dhe Imzot Armando Matteo, i rikthehen temës me një deklaratë për shtyp që u shpall sot paradite.

Kështu, Dikasteri i Vatikanit për Doktrinës së Fesë ndërhyn mbi shqetësimet e ngritura nga disa Konferenca Episkopale mbi Deklaratën Fiducia supplicans. “Po për dallimin a shqyrtimin e situatave lokale, jo për mbylljet ideologjike”. Aty ku homoseksualiteti konsiderohet krim, Kisha promovon "edukimin, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, mësimin e doktrinës sociale të Kishës".

“Deklaratat e kuptueshme të disa Konferencave Episkopale mbi dokumentin ‘Fiducia supplicans’ kanë vlerën e nënvizimit të nevojës për një periudhë më të gjatë reflektimi baritor”. Kështu nis deklarata e Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë, botuar sot për të ripohuar se Deklarata ‘Fiducia supplicans’ nuk është "heretike, në kundërshtim me traditën e Kishës apo blasfemuese". “Ajo që shprehet nga këto Konferenca Ipeshkvnore nuk mund të interpretohet si një kundërshtim doktrinor, sepse dokumenti është i qartë dhe klasik mbi martesën dhe seksualitetin”, vërehet në tekst, ku nënvizohet se Deklarata ‘Fiducia supplicans’ “mbetet e vendosur në doktrinën tradicionale të Kishës katolike në lidhje me martesën, duke mos pranuar asnjë lloj riti liturgjik ose bekime të ngjashme me një rit liturgjik që mund të krijojë konfuzion”.

“Të veprojmë përballë çifteve të parregullta, pa konfirmuar zyrtarisht statusin e tyre apo pa modifikuar në asnjë mënyrë mësimin e përhershëm të Kishës për martesën”, lexohet në deklaratë. Pastaj ripohohet se: “Ritet dhe lutjet që mund të krijojnë konfuzion midis asaj që është përbërëse e martesës, si një “bashkim ekskluziv, i qëndrueshëm dhe i pazgjidhshëm midis një burri dhe një gruaje, i hapur natyrshëm për të krijuar fëmijë” dhe çfarë e kundërshton atë, janë të papranueshme. Kjo bindje mbështetët në doktrinën shumëvjeçare katolike të martesës. Vetëm në këtë kontekst marrëdhëniet seksuale gjejnë kuptimin e tyre të natyrshëm, adekuat dhe plotësisht njerëzor. Doktrina e Kishës në këtë pikë mbetet e qëndrueshme.”

Ky është edhe kuptimi i Përgjigjes së Kongregatës së dikurshme për Doktrinën e Fesë, ku thuhet se "Kisha nuk ka pushtet t'u japë bekime bashkimeve midis njerëzve të së njëjtës gjini. Duke qenë se Kisha i ka konsideruar gjithmonë të ligjshme moralisht vetëm ato marrëdhënie seksuale që përjetohen brenda martesës, ajo nuk ka pushtet të japë bekimin e saj liturgjik kur kjo, në një farë mënyre, mund t'i ofrojë një formë legjitimimi moral një 'bashkimi që supozon të jetë një martesë ose në një praktikë seksuale jashtëmartesore'.

04 janar 2024, 14:14