Vatikan, konkurs për realizmin e një Udhe Kryqi në pikturë, në Shën Pjetër
R.SH. – Vatikan
Konkurs ndërkombëtar për krijimin e një Udhe Kryqi në pikturë, destinuar për ekspozita të përkohshme në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan. Tenderin e shpall Fabrika e Shën Pjetrit, e cila sqaron edhe hollësitë e rastit. Pjesëmarrja në konkurs, lexohet në deklaratën e saj, është falas dhe e hapur për kandidatët e të gjitha kombësive, që kanë mbushur moshën madhore. Ata, që dëshirojnë të marrin pjesë, duhet të plotësojnë formularin përkatës në faqen e internetit kushtuar nismës, duke filluar nga data 8 janar 2024, përmes një lidhjeje nga faqja e internetit institucionale e Bazilikës së Vatikanit. Afati i fundit për dorëzimin e formularëve është 31 janari 2024.
Fitimtari do të shpallet brenda shtatorit 2024
Në njoftimin për shtyp bëhet e ditur se kërkesat do t'i nënshtrohen vlerësimit të një komisioni formuar enkas nga Fabrika e Shën Pjetrit, që do ta shprehë mendimin e vet brenda datës 15 mars 2024, pas së cilës do të njoftojë kandidatët se janë pranuar në konkurs. Projekti fitimtar do të shpallet brenda 30 shtatorit 2024 dhe Fabrika e Shën Pjetrit do t'i japë artistit çmimin prej 120 mijë eurosh dhe detyrën e krijimit të katërmbëdhjetë ndalesave të Udhës së Kryqit. Artistët e tjerë të konkursit do të pajisen me certifikatë pjesëmarrjeje.
Ndalesat e Udhës së Kryqit
Udha e Kryqit, realizuar në pikturë, do të ekspozohet për herë të parë në Shën Pjetër duke filluar nga data 18 shkurt 2026, gjatë Krezhmëve. Temat e katërmbëdhjetë ndalesave janë ato tradicionale: Jezu Krishti dënohet vdekje; Jezu Krishti ngarkohet me kryq; Jezu Krishti bie për herë të parë; Jezu Krishti takon nënën e tij; Jezu Krishti ndihmohet për të mbajtur kryqin nga Simoni i Cirenës; Veronika fshin fytyrën e Jezu Krishtit; Jezu Krishti bie për herë të dytë; Jezu Krishti ngushëllon gratë e Jeruzalemit; Jezu Krishti bie për të tretën herë; Jezu Krishtin e zhveshin; Jezu Krishtin e gozhdojnë në kryq; Jezu Krishti vdes në kryq; Jezu Krishtin e ulin prej kryqit dhe Jezu Krishti vendoset në varr. Ndalesat e Udhës së Kryqit do të pikturohen nga artistët, duke e zgjedhur lirisht teknikën e ekzekutimit dhe të interpretimit në ngjyra të temës.