Kërko

Thirrje e Selisë së Shenjtë: të drejtat e njeriut, guri i themelit të botës

Thirrje e Selisë së Shenjtë për përgjegjësinë universale të kujdesit ndaj të tjerëve e ndaj Krijimit, në takimin e nivelit të lartë, organizuar më 8 dhjetor nga Misioni i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare në Gjenevë

R.SH. - Vatikan

“Universaliteti i të drejtave të njeriut dhe përgjegjësia universale e kujdesit për to”: ky, titulli i takimit të nivelit të lartë, organizuar më 8 dhjetor nga Misioni i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare në Gjenevë. Dy janë arsyet: për të përkujtuar 75-vjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut (Uhdr) dhe për të paraqitur Nxitjen Apostolike të Papës Françesku kushtuar krizës klimatike Laudate Deum. Takimi u hap nga Kryeipeshkvi Ettore Balestrero, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB-në e Gjenevës: Uhdr - kujtoi ai - është "gur themeli i jetës dhe i veprës së OKB-së", pasi njeh "dinjitetin e njeriut dhe mbron e promovon të drejtat e njeriut, që rrjedhin prej tij”.

Prelati, më pas, nënvizoi se rrënjët e këtyre të drejtave "janë në dinjitetin e personit njerëzor të krijuar nga Zoti" dhe përsëriti se "e drejta për jetë, e parashikuar në nenin 3 të Uhdr, duhet të mbrohet në të gjitha fazat, nga zënia - në vdekjen natyrore, veçanërisht kur jeta është më e rrezikuar: në sëmundje, në luftë, në punë dhe kur njerëzit ikin nga konfliktet dhe efektet e ndryshimeve klimatike". Në këtë pikë të fundit, Imzot Balestrero citoi Papën Françesku, duke nënvizuar se "bota në të cilën jetojmë po shembet".

Më pas fjalën e mori motra Alessandra Smerilli, sekretare e dikasterit për nxitjen e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor: të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e krijimit janë "dy anët e së njëjtës medalje", theksoi ajo, duke kujtuar se si kujdesi për të tjerët, ashtu edhe toka, janë "të dyja të rrënjosura në një truall të vetëm: në njohjen e jetës si dhuratë e Zotit".

Murgesha nënvizoi gjithashtu se si "miti i shtimit të pakufizuar", ashtu  edhe "logjika e rreme meritokratike" përfunduan "duke justifikuar  pragmatizmin e paskrupullt ekonomik dhe shfrytëzimin e pamatur të burimeve natyrore".

Ndërsa Tatiana Valovaya, drejtoreshë e përgjithshme e Zyrës së OKB-së në Gjenevë, e vlerësoi UHDR si "testament i një angazhimi të përbashkët që vendos vlera të përbashkëta përtej kufijve, kulturave dhe besimeve". Nga Valovaya arriti edhe ftesa për "një multilateralizëm të rinovuar, si  imperativ diplomatik". Ndërsa Gilbert Houngbo, drejtor i përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, u ndalua tek tema e punës, duke nënvizuar se puna e kryer me kujdes ndihmon "në rivendosjen e dinjitetit të plotë njerëzor" dhe siguron "një të ardhme të qëndrueshme për brezat e ardhshëm".

Më pas, një reflektim më vete për emigrantët, me ndërhyrjen e Amy Pope, drejtoreshë e përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin. Pope shprehu keqardhje për faktin se bashkësia ndërkombëtare "nuk është në nivelin e duhur" kur bëhet fjalë për "popullatat emigrante ose të zhvendosura". Politikat e shumë vendeve i konsiderojnë emigrantët "si inferiorë" ose si njerëz, që nuk kanë "të njëjtën vlerë, si qeniet e tjera njerëzore", duke i privuar ata nga "vota, nga zëri, nga të drejtat". Për këtë arsye, Papa kujton me këmbëngulje se është tejet e nevojshme  të "punohet për një të ardhme, në të cilën çdo individ ka dinjitetin e tij, pavarësisht nga origjina dhe nga gjendja". Më në fund, filozofi dhe dramaturgu Fabrice Hadjadj kujtoi se "të kujdesesh për jetën njerëzore do të thotë të shpresosh kundër çdo shprese, të besosh në Provaninë, dhe jo në programe". E në përfundim, përsëriti ftesën e Papës për "të ndjekur rrugën e unitetit".

(nga L'OSSERVATORE ROMANO, 11 dhjetor 2023)

11 dhjetor 2023, 16:51