Kërko

Dozimetër për rrezatimet Dozimetër për rrezatimet

Selia e Shenjtë në OKB: kujdes e mbrojtje për gratë e ekspozuara ndaj rrezatimeve

Imzot Caccia foli në Nju Jork, gjatë Takimit të Shteteve Anëtare në Traktatin për Ndalimin e Armëve Bërthamore. Në qendër të dy relacioneve të tij, suksesi i zbatimit të traktateve ekzistuese në kuadrin e ndalimit të armëve bërthamore dhe nevoja për të mbrojtur gratë dhe fëmijët në barkun e nënës, kur ekspozohen ndaj rrezatimit: një gjuhë mbi "gjininë", e pabazuar në identitetin biologjik mashkull-femër, ka mundësi të vërë në rrezik zbatimin e Traktatit, nënvizoi ai

R.SH. – Vatikan

Traktati për Ndalimin e Armëve Bërthamore (TPNW) dhe Traktati për Ndalimin e plotë të Eksperimenteve Bërthamore (CTBT) plotësojnë njëri-tjetrin, prandaj, është e natyrshme që të promovohen paralelisht. Ky është rekomandimi i imzot Gabriele Caccia-s, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, i cili foli më 1 dhjetor, në Nju Jork, në ditën e fundit të Takimit të dytë të Shteteve anëtare në Traktatin për Ndalimin e Armëve Bërthamore, filluar më 27 nëntor. Dokumenti, i cili hyri në fuqi më 22 janar 2021, për herë të parë në histori, vendosi të ndalojë globalisht përdorimin dhe testet e armëve bërthamore.

Traktati i Mospërhapjes, gur themeli për çarmatimin

Për të kontribuar në zbatimin e detyrimeve të përcaktuara në Traktat, Selia e Shenjtë fton të shfrytëzohet plotësisht Sistemi Ndërkombëtar i Mbikqyrjes (IMS) dhe të dhënat e tij. Traktati për Ndalimin e Armëve Bërthamore integron Traktatin e Mospërhapjes Bërthamore (NPT), i cili, vërejti imzot Caccia, "megjithë përpjekjet e kufizuara", që janë bërë për zbatimin e tij, "mbetet gur themeli për çarmatimin dhe mospërhapjen".

Delegacioni i Selisë së Shenjtë vlerësoi edhe raportin e hartuar nga ekspertët e OKB-së, i cili perqendrohet gjerësisht në zonat pa armë bërthamore, me qëllim që të zvogëlojë shtrirjen gjeografike të strategjive të mundshme të përhapjes së këtyre armëve, të forcojë angazhimet për mospërhapjen dhe të promovojë sigurinë rajonale. Së fundi, në fjalimin e tij, Vëzhguesi i Përhershëm shprehu mbështetjen për bashkëpunimin më të madh ndërmjet shteteve anëtare të Traktatit dhe Komitetit Shkencor të OKB-së mbi Efektet e Rrezatimit Atomik (UNSCEAR): “Mund të nxisë kuptimin e dëmit për njerëzit dhe ambientin, që shkaktohet nga veprimtaritë me armë bërthamore dhe të kontribuojë në përpjekjet për trajtimin e tij”.

Ndikimi i rrezatimeve tek gratë

Në një fjalim tjetër, pjesë e një diskutimi mbi zbatimin e dispozitave gjinore të Traktatit për Ndalimin e Armëve Bërthamore, imzot Caccia, duke u bazuar në provat e reja shkencore, foli mbi ndikimin e ndryshëm të rrezatimit bërthamor mbi gratë dhe vajzat. Dihet tashmë se "vajzat e ekspozuara ndaj rrezatimit që nga lindja deri në moshën pesë vjeç" kanë "pothuajse dhjetë herë më shumë mundësi të zhvillojnë kancer në krahasim me një mashkull tipik evropian". Delegati i Selisë së Shenjtë shprehu shqetësimin se "normat aktuale për ekspozimin ndaj rrezatimit, në përdorim në mbarë botën, nuk mbrojnë si duhet gratë, fëmijët dhe foshnjet në barkun e nënës”.

Të krijohet një bazë e fuqishme shkencore

Selia e Shenjtë vë në dukje nevojën për studime të mëtejshme mbi faktorët, që shkaktojnë këtë ndikim të ndryshëm. “Pa një bazë të fuqishme shkencore, do të jetë e vështirë të zbatohen frytshëm detyrimet e Traktatit”, vërejti imzot Caccia. Ai bëri thirrje të kryhen studime "mbi pasojat e ekspozimit ndaj rrezatimit në shëndetin e nënës dhe të fetusit, duke pasur parasysh se rrezatimi bërthamor mund të çojë në humbje të fertilitetit, aborte dhe difekte të lindura". Njëkohësisht, ai kërkoi që “gratë e ekspozuara ndaj rrezatimit jonizues të marrin trajtimin e duhur për ruajtjen e shëndetit të tyre dhe të fëmijëve”.

Jo gjuhës së papërcaktuar për "gjininë"

Nga ana tjetër, imzot Caccia vuri në dukje se “Selia e Shenjtë nuk mund të mbështesë rekomandimet e Raportit”. Në fakt, theksoi prelati, ndër "elementet më problematike", është përdorimi i një "gjuhe të papërcaktuar mbi gjininë", përdorimi i termave joligjorë kur bëhet fjalë për viktima që kanë nevojë për ndihmë, përdorimi i një gjuhe, që sjell dallime ndërmjet njerëzve, kur është fjala për ndihmën mjekësore, si edhe bazimi tek një tekst i panegociuar, shkruar në zyrat e Kombeve të Bashkuara”. Imzot Caccia sqaroi se sa herë që në Traktat përdoret fjala “gjini”, Selia e Shenjtë e nënkupton të bazuar “në identitetin biologjik mashkullor dhe femëror". “Përpjekjet e disa relatorëve për ta interpretuar këtë term pa e njohur haptazi bazën biologjike të gjinisë,” shtoi Vëzhguesi i Përhershëm, “jo vetëm që vënë në rrezik zbatimin e Traktatit, por edhe e largojnë vëmendjen nga nevojat e vërteta të grave dhe të vajzave të ekspozuara ndaj rrezatimit, që vjen nga veprimtaritë me armë bërthamore".

04 dhjetor 2023, 09:51