Kërko

Sinodi i tetorit 2023 Sinodi i tetorit 2023

Për një Kishë sinodale dhe misionare, hapat drejt Sinodit 2024

Kardinajtë Grech dhe Hollerich u shkruajnë ipeshkvijve të gjithë botës, duke shpjeguar fazat e punës gjatë muajve të ardhshëm, të cilët do të përgatisin asamblenë sinodale përfundimtare të tetorit 2024

R.SH. – Vatikan

Puna e Sinodit për sinodalitetin vazhdon në përgatitje të seancës përfundimtare të tetorit 2024. Kishat e gjithë botës duhet të reflektojnë mbi dokumentin përmbledhës, botuar në tetor, të nxisin këshillime të mëtejshme dhe të përgatisin kontribute për punimet e vitit të ardhshëm. Ipeshkvijtë e mbarë globit kanë marrë kohët e fundit një dokument katër faqësh nga Sekretaria e Sinodit, shoqëruar me një letër të kardinajve Mario Grech (sekretar i përgjithshëm) dhe Jean-Claude Hollerich (relator i përgjithshëm).

Para së gjithash, dokumenti nënvizon rëndësinë e përvojës së jetuar nga anëtarët e Sinodit, duke kujtuar se "dëshmia e tyre mund të transmetojë pasurinë e një përvoje, e cila nuk mund të përmblidhet në asnjë tekst, por është pjesë të pazëvendësueshme e dhuratës së marrë". Më pas, shpjegohet se procesi sinodal do të vazhdojë në disa drejtime. Përmenden për këtë fjalët e Papës Françesku në miratimin e këtij dokumenti: “Sinodi ka të bëjë me sinodalitetin dhe jo me këtë apo atë temë... E rëndësishme është si bëhet reflektimi, pra, në mënyrë sinodale”.

Tematikat e veçanta duhet të trajtohen në nivelin e gjithë Kishës

Përsa u përket tematikave të veçanta, dokumenti nënvizon se disa prej tyre «duhet të trajtohen në nivelin e gjithë Kishës dhe në bashkëpunim me Dikasteret e Kuries Romake, siç është, për shembull, studimi paraprak me synim përditësimin» e Kodit të së Drejtës Kanonike dhe të Ratio Fundamentalis mbi formimin e të shuguruarve, ose thellimi në punën kërkimore teologjike e baritore mbi diakonatin dhe mbi përfshirjen e grave në diakonat. “Si fryt i punës së një Asambleje Sinodale, lista e këtyre temave do t'i dorëzohet Atit të Shenjtë. Pastaj, për temat e zgjedhura prej tij, do të punojnë në mënyrë sinodale grupe ekspertësh nga të gjitha kontinentet, në bashkëpunim me Dikasteret përkatëse të Kuries Romake, në një dinamizëm kishtar të koordinuar nga Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit”. Në tetor 2024, do të paraqitet relacioni mbi ecurinë e kësaj pune.

"Si të jemi Kishë sinodale në mision?"

Pyetja themelore për të vijuar udhën është kjo: "Si të jemi Kishë sinodale në mision?" Objektivi është të gjenden rrugët për t’u ndjekur dhe mjetet, që ndihmojnë në “vlerësimin e origjinalitetit të çdo të pagëzuari dhe të çdo Kishe, në misionin e vetëm për të kumtuar Zotin e Ringjallur dhe Ungjillin e tij në botën e sotme". Prandaj, në dokument nënvizohet se nuk është fjala për t’u kufizuar «në nivelin e përmirësimeve teknike, ose procedurale, që i bëjnë strukturat e Kishës më të frytshme, por për të punuar mbi format konkrete të angazhimit misionar, në dinamizmin ndërmjet unitetit e larmisë, tipike për Kishën sinodale”.

Lidhur me këtë, përmendet numri 27 i “Evangelii gaudium”, teksti programatik i papnisë së Françeskut: «Ëndërroj një zgjedhje misionare, të aftë për të transformuar gjithçka, në mënyrë që zakonet, stilet, oraret, gjuha dhe çdo strukturë kishtare të bëhen kanal i përshtatshëm për ungjillizimin e botës aktuale, më tepër se për vetëmbrojtjen e Kishës. Reforma e strukturave, që kërkon kthesë baritore, mund të kuptohet vetëm kështu: të bëjmë gjithçka që ato të bëhen më misionare...”.

Niveli i Kishës lokale dhe ai i Kishës universale

Çështja e sinodalitetit në Kishë do të trajtohet në dy nivele. Në nivelin e Kishave lokale, do t’i jepet përgjigje pyetjes: si mund të rrisim bashkëpërgjegjësinë në misionin e gjithë anëtarëve të Popullit të Zotit, duke respektuar ndryshimet ndërmjet tyre? Në ç’mënyrë, cilat marrëdhënie, struktura e procese misionare mundësojnë njohjen e kësaj bashkëpërgjegjësie dhe promovimin e saj? Cilat shërbime dhe organizma duhen rinovuar, ose themeluar, për ta shprehur më mirë atë? Ndërsa në nivelin e marrëdhënieve ndërmjet Kishave dhe në atë të marrëdhënieve me Ipeshkvin e Romës, do të shqyrtohet si të "trajtohen në mënyrë krijuese këto marrëdhënie, për të gjetur një ekuilibër dinamik ndërmjet Kishës në tërësi dhe rrënjëve të saj lokale".

Të ftohen teologë, kanonistë ekspertë dhe institucione akademike të territorit

Në dokumentin, që do të shërbejë si udhëzues për këshillimet në çdo Kishë, sqarohet se “nuk duhet filluar nga e para, duke përsëritur procesin e dëgjimit dhe të konsultimit, që karakterizoi fazën e parë. Në këtë fazë, përveç organeve pjesëmarrëse në nivelin dioqezan dhe ekipit sinodal tashmë të krijuar, do të ketë rëndësi përfshirja e njerëzve dhe e grupeve me shumëllojshmëri përvojash, aftësish, karizmash, shërbesash në gjirin e Popullit të Zotit, këndvështrimi i të cilëve është veçanërisht i dobishëm për të kuptuar ‘si’” duhet vijuar udha. Në këtë diskutim, duhen ftuar edhe teologë, kanonistë ekspertë dhe institucione akademike të territorit.

Përmbledhje prej jo më shumë se 8 faqesh

Pasi të marrin kontributet e dioqezave, Konferencat Ipeshkvnore «kanë për detyrë të përpilojnë një përmbledhje prej jo më shumë se 8 faqesh, që do t'i dërgohet Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit deri më 15 maj 2024. Mbi bazën e këtij materiali, do të hartohet» Instrumentum Laboris i ri. Kishat lokale ftohen "ta shqyrtojnë relacionin përmbledhës” për të gjetur sugjerimet më të përshtatshme për situatën e tyre. Kështu, mund të ndërmarrin “nismat më të përshtatshme për të përfshirë gjithë Popullin e Zotit (veprimtari formuese, reflektime teologjike, kremtime në stilin sinodal, këshillime me bazën, dëgjim i pakicave dhe i grupeve në nevojë etj.)”. Çdo Kishë lokale mund t'i dërgojë Konferencës Ipeshkvnore "një dëshmi të shkurtër të punës së kryer dhe të përvojave të jetuara (maksimumi dy faqe), duke ndarë me të tjerët atë praktikë të mirë, që e konsideron të rëndësishme për dinamizmin misionar sinodal".

Konferencat Ipeshkvnore ta shoqërojnë procesin

Së fundi, dokumenti kërkon që Konferencat Ipeshkvnore ta shoqërojnë këtë proces dhe të përgatisin sintezën e kontributeve të ndryshme. Gjithashtu, ipeshkvijve u kërkohet të nxisin iniciativat për zhvillimin e sinodalitetit të Kishës në mision, edhe në nivelin e grupimeve të Kishave; të mbledhin dëshmitë dhe praktikat e mira dhe t'i dërgojnë të gjitha, pa i sintetizuar, në Sekretarinë e Përgjithshme të Sinodit, gjithmonë, deri më 15 maj 2024.

12 dhjetor 2023, 10:49