Kërko

 Mani giunte Mani giunte
Editorial

Një zemër bariu që nuk e mbyll kurrë derën

Deklarata Fiducia supplicans që hap mundësinë e bekimeve të thjeshta për çiftet e parregullta, po, por pa ngatërrim me martesën, qëndrimi i Jezusit dhe mësimi i Papës Françeskut

R.SH. / Vatikan

Andrea Tornielli

"Nemo venit nisi tractus", askush nuk i afrohet Jezusit nëse nuk tërhiqet, shkruante Shën Agustini, duke parafrazuar fjalët e Nazarenasit: "Askush nuk vjen tek unë nëse Ati im nuk e tërheq". Në origjinën e tërheqjes ndaj Jezusit - ajo tërheqje për të cilën foli Benedikti XVI duke kujtuar mënyrën se si përhapet feja - është gjithmonë veprimi i hirit. Zoti na paraprin gjithmonë, na thërret, na tërheq, na bën të bëjmë një hap drejt Tij ose të paktën ndez në ne dëshirën për ta bërë atë hap edhe nëse ende ndjejmë se nuk kemi forcë dhe ndihemi të paralizuar.

Zemra e një bariu nuk mund të qëndrojë indiferente para njerëzve që i afrohen me përulësi duke i kërkuar të bekohen, pavarësisht nga gjendja e tyre, historia e tyre, rruga e tyre e jetës. Zemra e bariut nuk e shuan dritën përvëluese të atyre që ndiejnë paplotësinë e tyre duke e ditur se kanë nevojë për mëshirë dhe ndihmë nga Lart. Zemra e bariut sheh në atë kërkesë për bekim një çarje në mur, një vezullim të vogël përmes së cilës hiri i Zotit mund të jetë tashmë në veprim. Dhe prandaj shqetësimi i tij i parë është të mos e mbyllë çarjen e vogël, duke mirëpritur e kërkuar bekimin dhe mëshirën e Zotit, në mënyrë që njerëzit që ka para të fillojnë ta kuptojnë planin e Zotit për jetën e tyre.

Ky ndërgjegjësim bazë tejduket në Fiducia supplicans, Deklaratën e Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë mbi kuptimin e bekimeve, e cila hap mundësinë e bekimit të çifteve të parregullta, madje edhe të çifteve të të njëjtit seks, duke sqaruar qartë se bekimi në këtë rast nuk do të thotë miratim i zgjedhjeve të tyre të jetës, e duke ripohuar edhe nevojën për të shmangur çdo ritualizim apo elementë të tjerë që mund të imitojnë edhe nga larg një martesë.

Fiducia supplicans është një dokument që thellon doktrinën mbi bekimet, duke bërë dallimin midis bekimeve rituale e liturgjike dhe bekimeve spontane që karakterizohen, më tepër, si akte përkushtimi të lidhura me devotshmërinë popullore. Është një tekst që konkretizon, dhjetë vjet më vonë, fjalët e shkruara nga Papa Françesku në “Evangelii gaudium”: “Kisha nuk është doganë, është shtëpi atërore ku ka vend për çdonjërin me jetën e tij të lodhshme”.

Origjina e Deklaratës është ungjillore. Pothuajse në çdo faqe të Ungjillit, Jezusi thyen traditat dhe rekomandimet fetare të kohës, respektin dhe konventat shoqërore. Dhe bën gjeste që skandalizojnë njerëzit që konsiderohet të drejtë, të vetëquajturin “të pastër”, ata që përdorin normat dhe rregullat si mburojë për të larguar, refuzuar, mbyllur dyert. Pothuajse në çdo faqe të Ungjillit shohim doktorët e ligjit që përpiqen ta turpërojnë Mësuesin Jezus me pyetje të njëanshme dhe më pas murmuritin të indinjuar përballë lirisë së tij të mbushur me mëshirë: "Ky njeri i mirëpret mëkatarët dhe ha me ta!".

Jezusi ishte gati të vraponte në shtëpinë e centurionit të Kafarnaumit për të shëruar shërbëtorin e tij të dashur, pa u shqetësuar se do të ndotej veten duke hyrë në shtëpinë e një pagani. Ai e lejoi mëkataren t’ia lante këmbët para shikimeve gjykuese dhe përçmuese të të ftuarve, pa paaftë të kuptonin se pse nuk e largoi. Jezusi e shikoi dhe e thirri Zakeu tagrambledhës, ndërsa ai ishte ulur në degët e fikut, pa pritur që përpara se të merrte atë pamje plot mëshirë, do të konvertohej dhe do të ndryshonte jetën e tij. Jezusi nuk e dënoi gruan kurorëshkelëse, e cila, sipas ligjit, i duhej ti nënshtrohej goditjes me gurë, por çarmatosi duart e xhelatëve të saj duke i kujtuar se edhe ata - si të gjithë - ishin mëkatarë.

Jezusi tha se erdhi për të sëmurët dhe jo për të shëndoshët, e krahasoi veten me figurën unike të një bariu të gatshëm të linte 99 dele pa mbikëqyrje për të shkuar dhe për të kërkuar të vetmen që humbi. Ai e preku të gërbulurin, duke e shëruar nga sëmundja dhe stigma e të qenit një i dëbuar "i paprekshëm". Këta të “refuzuar” takuan vështrimin e Jezusit dhe u ndjenë të dashur, marrës të një përqafimi plot mëshirë që iu dhurua pa asnjë parakusht. Duke u ndjehur të dashur dhe të falur, ata e kuptuan se çfarë ishin: mëkatarë të varfër si gjithë të tjerët, nevojtarë për konvertim, lypës për gjithçka.

Papa Françesku u tha kardinajve të rinj në shkurt 2015: “Për Jezusin ajo që ka rëndësi, mbi të gjitha, është të arrijë dhe të shpëtojë ata që janë larg, të shërojë plagët e të sëmurëve, të riintegrojë të gjithë në familjen e Zotit. Dhe kjo skandalizon ndokënd ! Dhe Jezusi nuk ka frikë nga ky lloj skandali! Ai nuk mendon për njerëz mendjembyllur që madje skandalizohen nga një shërim, që skandalizohen para çfarëdo hapjeje, nga çfarëdo hapi që nuk përshtatet me modelet e tyre mendore dhe shpirtërore, ndaj çdo përkëdheljeje a butësie që nuk korrespondon me zakonet e tyre të mendimit dhe pastërtinë e tyre rituale”.

"Doktrina e përhershme katolike mbi martesën", thekson Deklarata, nuk ndryshon: vetëm në kontekstin e martesës midis një burri dhe një gruaje "marrëdhëniet seksuale gjejnë kuptimin e tyre të natyrshëm, adekuat dhe plotësisht njerëzor". Prandaj, ne duhet të shmangim njohjen e martesës të "asaj që nuk është". Por nga këndvështrimi baritor dhe misionar, tani dera nuk është e mbyllur për një çift "të parregullt" që vjen për të kërkuar një bekim të thjeshtë, ndoshta me rastin e një vizite në shenjtërore apo gjatë një shtegtimi.

Studiuesi hebraik Claude Montefiore e identifikoi veçantinë e krishterimit pikërisht në këtë: «Ndërsa fetë e tjera e përshkruajnë njeriun në kërkim të Zotit, krishterimi kumton një Zot që e kërkon njeriun... Jezusi mësoi se Hyji nuk pret pendimin e mëkatarit, Ai shkon ta kërkoje që ta thërrasë pranë vetes”. Dera e hapur e një lutjeje dhe e një bekimi të vogël mund të jetë një fillim, një mundësi, një ndihmë.

 

18 dhjetor 2023, 19:13