Kërko

>>>ANSA/ SALE A 15 MORTI IL BILANCIO DELLA SPARATORIA A PRAGA >>>ANSA/ SALE A 15 MORTI IL BILANCIO DELLA SPARATORIA A PRAGA

Ngushëllimet e Françeskut për viktimat e të shtënave në Pragë

Në një telegram të nënshkruar nga Kardinali Parolin, Papa shpreh afërsinë shpirtërore me ata që u prekën nga ngjarja, të cilën e quan "tragjedi" të vërtetë. Është fjala për 15 të vdekur dhe rreth njëzet të plagosur. Qeveria e Republikës Çeke e shpalli ditën e nesërme “Ditë zije kombëtare”

R.SH. / Vatikan

Me një telegram, të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, Papa Françesku shpreh ngushëllimet për viktimat e të shtënave në Universitetin Karli IV të Pragës.

Lutjet dhe afërsia shpirtërore

Papa, “thellësisht i pikëlluar” nga lajmi për humbjen e jetëve dhe plagosjet e shkaktuara nga të shtënat në Universitetin e Karolinës, në Pragë, shpreh “afërsinë shpirtërore” me të gjithë ata që u prekën nga kjo “tragjedi”. Ati i Shenjtë ia beson ata që vdiqën në këtë rrethanë "mëshirës së Zotit të gjithëpushtetshëm". Ai i lutet Zotit t’u japë forcën dhe ngushëllimin hyjnor familjeve dhe miqve të tyre të vdekur dhe e siguron kombin për lutjet e tij në këto çaste të vështira.

Nesër, zi kombëtare

Të shtënat e djeshme, 21 dhjetor, shkaktuan 15 viktima, 25 të plagosur, dhjetë prej të cilëve në gjendje të rëndë. Policia çeke po kërkon shkakun që e shtyu David Kozak, i cili njihej si student model, i regjistruar në Fakultetin e Letërsisë dhe me patentë të rregullt armësh, por me arsenal në shtëpi, të kryente një masakër kaq të tmerrshme në universitetin prestigjioz të Pragës. Policia beson se ka vrarë edhe babanë e tij dhe ndoshta dy persona të tjerë: një burrë 32 vjeç dhe vajzën e tij dy muajshe, të cilët u gjetën të vdekur pak ditë më parë në pyllin e Katovicës, në periferi të qytetit.  Ndërkohë, Çekia ka shpallur nesër ditë zie kombëtare.

Një plan i shpallur

Ministri i Brendshëm siguroi se hetuesit nuk dyshojnë për ndonjë lidhje  ideologjie apo grupesh ekstremiste. Nga ata që e njihnin, i riu cilësohej si njeri “i qetë”, por i magjepsur nga armët. Ai u gjet i vdekur buzëmbrëmjes plot tension, i armatosur rëndë me municion: nuk dihet nëse u vetëvra apo vdiq nga plagët shumë të rënda që mori. Plani i tij u njoftua përmes Telegramit: "Dua të qëlloj shkollat ​​dhe ndoshta të bëj vetëvrasje". Dje pasdite, Kozak, që do të ndiqte një leksion të planifikuar, udhëtoi për në Pragë nga fshati i tij i lindjes, Hostoun. Policia u lajmërua dhe shkoi shpejt në vendngjarje, por kjo nuk mjaftoi për ta parandaluar më të keqen.

22 dhjetor 2023, 14:26