Kërko

Në Shën Pjetër përurohen Betlehemi dhe Pema e Krishtlindjes, simbole të paqes e të shpresës

Dje pasdite u përurua skena e lindjes së Krishtit dhe Bredhi i Krishtlindjes, në qendër të Sheshit të Shën Pjetrit, në prani të delegacioneve nga vendet që ia dhuruan Papës. Ushtoi në Shesh thirrja për paqen, në këtë kohë dramatike lufte për tokën e Jezusit. Kardinali Vérgez Alzaga, kryetar i Guvernatoratit: "Sot jemi ne barinjtë e thirrur për t'ua kumtuar Jezusin vëllezërve tanë".

R. SH. - Vatikan

Mbrëmë, në orën 17:00, kur filloi të errësohet, në qendër të Sheshit të Shën Pjetrit u përurua skena e lindjes së Krishtit. Njëherësh u ndezën dritat e bredhit të Krishtlindjes, ndjekur nga admirimi i atyre që ishin të pranishëm për të shijuar të parët një shfaqje që ta emocionon e t’i flet zemrës. Ceremonia tradicionale u kryesua nga kardinali Fernando Vérgez Alzaga, kryetar i Guvernatoratit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit. Me të motra, Raffaella Petrini, sekretare e përgjithshme e Guvernatoratit, në prani të delegacioneve zyrtare, ardhur përkatësisht nga Valle Santa Reatina në dioqezën e Rietit, nga Lazio dhe nga Macra, në dioqezën e Saluzzos, të cilët paradite u pritën në audiencë nga Papa Françesku.

Dy delegacionet

Në veçanti, për Shpellën, ishin të pranishëm ipeshkvi i Rietit, imzot Vito Piccinonna, dy realizuesit e projektit "La Valle del Primo Presepe" dhe skena e lindjes së Krishtit, e vendosur në Sallën Pali VI, Enrico Bressan dhe Giovanna Zabotti si dhe grupi i korit "Kisha e Rietit". Në delegacionin për pemën e Krishtlindjes, një bredh i bardhë i stolisur, së bashku me të tjerë, ishte i pranishëm ipeshkvi i Saluzzo-s, Imzot Cristiano Bodo. E pranishme edhe Banda e Korpusit të Xhandarmërisë, që interpretoi Himnin e Shtetit të Qytetit të Vatikanit, atë të Republikës Italiane dhe White Christmas (Krishtlindhe e bardhë).

Kardinali Vérgez: ne jemi si barinjtë e Betlehemit

Kremtimin e hapi Kardinali Fernando Vérgez. Festojmë, kujtoi, një përvjetor të dyfishtë: 800 vjet nga  Betelhemi i parë në Greccio dhe 800 vjet nga miratimi i Rregullës së Shën Françeskut, prandaj - shpjegoi - nuk mund të mungonte një Betlehem që erdhi nga ajo tokë: ndërsa pema  na flet për bukurinë e natyrës dhe pasurinë e traditave të trojeve nga vjen.   "Sonte, si barinjtë e Greccio, ne jemi protagonistët e skenës së lindjes së Krishtit - vijoi - dhe si ata afrohemi për të admiruar me habi Foshnjen; ne jemi barinjtë që nisen në udhëtimin e tyre; jemi barinjtë që u shpallim Jezusin vëllezërve tanë". Prania e Shën Françeskut - kujtoi më tej - na fton të reflektojmë për mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët, ashtu si bredhi madhështor i zbukuruar me 5000 yje alpine të rritura në fusha është dëshmi e respektit për mjedisin. Pasi të mbarojnë Krishtlindjet, kjo pemë nuk do të kthehet më në pyllin e vet - shpjegoi - por nga druri i saj do të bëhen lodra për fëmijët e palodra. Në përfundim Kardinali Vérgez uroi që kjo pemë të sjellë gëzim dhe secili prej nesh të jetë dritë për ata që e rrethojnë.

Ipeshkvi i Rietit shpreh afërsinë me vendet e lindjes së Shëlbuesit

Më pas imzot Vito Piccinonna shprehu gëzimin e  gjithë Dioqezës së Rietit për mundësinë e ofrimit të kësaj skene të lindjes së Krishtit pikërisht 800 vjet pas Shpellës së parë të dëshiruar nga Shën Françesku. Ishte ëndërr e ëndërruar prej kohësh, tërheqja e vëmendjes së botës mbi skenën e lindjes së Krishtit me gjurmë françeskane. "Por nuk mund të mos mendojmë - kujtoi - edhe për vendet që panë lindjen e Shëlbuesit dhe që sot shohin shkatërrim dhe mijëra vdekje. Nëse është e vërtetë që Fjala e Perëndisë duke u mishëruar, u bashkua me të gjitha krijesat, kjo ngjarje na kujton përgjegjësinë tonë ndaj çdo njeriu”.

Skena e lindjes së Krishtit, si përqafim për Poverello-n dhe Papën

"Nuk e kisha menduar kurrë se do të kisha një mundësi të tillë për të qenë në gjendje të flisja në zemër të Romës dhe botës" – kujtoi Enrico Bressan i cili e përshkroi skenën e lindjes së Krishtit si vepër të vërtetë arti të krijuar në Greccio, një fshat i ndërtuar mbi shkëmbinj në 700 metra lartësi, i cili synon të ringjallë çka dëshironte Shenjti i Asizit. Ideja është propozimi i një lloj sfondi teatror që synon të jetë përqafim i Shën Françeskut me kolonadën e, doemos, me Papën Françesku. Personazhet me përmasa natyrore, janë prej terrakote, pikturuar e montuar në një strukturë hekuri të mbështjellë me petkat e kohës (1200). Bressan kujton me krenari se, para audiencës së përgjithshme të së mërkurës së kaluar, Papa i përshëndeti punëtorët për punën: 103 persona. “Duke soditur pamjet e këtyre ditëve që mbërrijnë nga Toka e Shenjtë - thotë ai - shpresojmë se kjo skenë e lindjes së Krishtit do të jetë shenjë paqeje dhe katalizator energjish, që mund të përhapen në atë tokë”.

Një bredh, që tregon bukurinë e trojeve  prej nga vjen

Pasi u ndezën dritat e Lindjes së Krishtit, erdhi koha për ndërhyrjet e delegacionit të Piemontes, vend nga i cili vjen bredhi 27 metra i gjatë. Ipeshkvi i Saluzzo-s, Imzot Cristiano Bodo, nënvizoi kënaqësinë që mundi të dhurojë bredhin, i cili do të ndriçojë Sheshin e Shën Pjetrit gjatë festave të fundvitit. Pema tregon historinë e vendit nga vjen, vend i pasur me pyje, gjelbërim, shtigje ku nuk mungojnë kapelat e vogla kushtuese. "Në këtë tokë - kujtoi Prelati - lindën dhe u rritën njerëz të shquar, punëtorë, të lidhur me trojet e tyre, të përkushtuar për të mirën e përbashkët. Pema përfaqëson një kishë të vogël vendase, por të gjallëruar nga e njëjta frymë që gjallëron Kishën universale. Dritat e këtij Bredhi u ndezën për herë të parë mbrëmë.

Brohori në Sheshin e Shën Pjetrit

Ushtoi nga brohoritë, duatrokitjet dhe urimet i gjithë Sheshi, kur u ndezën dritat e u dukën me gjithë bukurinë Bredhi e Betlehemi. Ndërsa në Shesh ushtonin urimet: “Gëzuar Vitin e Ri! O Bir i Shpellës, lutu për ne!”.

10 dhjetor 2023, 11:50