Kërko

Në Dubai, Konferenca e pestë e Rinovimit Karizmatik Katolik, organizuar nga Shërbimi Kombëtar i Bashkimit Charis të Emirateve të Bashkuara Arabe Në Dubai, Konferenca e pestë e Rinovimit Karizmatik Katolik, organizuar nga Shërbimi Kombëtar i Bashkimit Charis të Emirateve të Bashkuara Arabe

Në Emiratet Arabe, takimi i Charis. Kard. Farrell: “Promovoni paqen në botën e përçarë”

"Fortifikimi i vëllazërimit": kjo, tema e takimit të Rinovimit Karizmatik Katolik në zonën e Gjirit Persik. Mesazhi i prefektit të Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën: "Në jetën personale, në grupet e lutjes, në ambientet shoqërore e të punës, bëhuni mjete të faljes së Zotit, nxitës të vëllazërimit në një botë të përçarë nga dhuna dhe lufta"

R.SH. – Vatikan

Filloi sot (1 dhjetor) e do të përfundojë të dielën, në Dubai, Konferenca e pestë e Rinovimit Karizmatik Katolik, organizuar nga Shërbimi Kombëtar i Bashkimit Charis të Emirateve të Bashkuara Arabe. Në takimin e mbështetur nga ipeshkvi imzot Paolo Martinelli, Vikar Apostolik i Arabisë Jugore, dhe nga ipeshkvi imzot Aldo Berardi, Vikar Apostolik i Arabisë Veriore, marrin pjesë mbi tre mijë vetë nga vende të ndryshme të rajonit: Omani, Bahreini, Kuvajti, Katari, Arabia Saudite, si edhe nga vetë Emiratet e Bashkuara Arabe.

Njerëz të paqes e pajtimit

Me këtë rast, prefekti i Dikasterit vatikanas për Laikët, Familjen dhe Jetën, kardinali Kevin Farrell, dërgoi një mesazh me temën "Jini të shenjtë, siç jam unë i shenjtë", marrë nga Letra e parë e Shën Pjetrit (1, 16): një meditim i shkurtër mbi shenjtërinë e Zotit e, njëkohësisht, ftesë për të qenë “njerëz të paqes dhe pajtimit", siç kërkon Papa Françesku. Është e pamundur të jetosh së bashku pa falje, në familje, në Kishë, në shoqëri, në bashkësinë ndërkombëtare, vëren kardinali, duke përdorur fjalët e Atit të Shenjtë. “Në jetën personale, në grupet e lutjes, në ambientet shoqërore dhe të punës, kudo ndodheni, të jeni mjete të faljes së Zotit, të shenjtërisë së tij plot dhembshuri për mëkatarët, të jeni nxitës të paqes dhe të vëllazërimit në një botë kaq të përçarë nga urrejtja, dhuna dhe lufta”, shkruan Farrell.

Përtëritje morale

Në letrën e tij, ai përqendrohet në shenjtërinë e kuptuar si marrëdhënie, afërsi, mëshirë, unitet në larmi. "Të krishterët janë krijesa të reja", shkruan prelati, "shpirti i tyre është plot dritë dhe e ‘shikon’ gjithçka me sy të rinj: shikon të vërtetën e Zotit, të vërtetën e njeriut, të vërtetën e jetës. Për këtë arsye dëshirat e të pagëzuarve nuk janë më vetëm tokësore, por janë dëshira për të mirën, për drejtësinë, për të vërtetën, për vëllazërinë, për dashurinë". Farrell është i sigurt se të gjithë anëtarët e Charis, falë "pagëzimit në Shpirtin Shenjt", e kanë përjetuar "këtë risi të jetës dhe përtëritjen morale, që vjen pas saj". "Por - paralajmëron ai – procesi nuk përfundon një herë e përgjithmonë”. Përherë, duhet ndierë prania e Shpirtit Shenjt në jetën e secilit, për të mbetur njerëz të rinj e për t’u përtërirë çdo ditë me lutje, duke ndjekur udhën e virtyteve e duke i përngjarë gjithnjë e më shumë shenjtërisë së Zotit.

Të bëhemi të afërt me të vuajturit

Kreu i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën kujton se thirrja për të qenë shenjtorë është “ftesë, drejtuar secilit, për t'u bërë të afërt me vëllezërit, për të hyrë në marrëdhënie afërsie, kujdesi, dashurie me të tjerët, veçanërisht me ata që vuajnë, me të shtypurit, me të skllavëruarit, jo vetëm për shkak të shfrytëzimit të padrejtë, por edhe me ata, që janë skllevër të mëkatit, të vesit, të mungesës së shpresës e të kuptimit në jetë”. “Çojuani të gjithëve afërsinë e vetë Zotit, veçanërisht, të vuajturve”, nxit kardinali. Së fundi, duke reflektuar për Trininë Shenjte, Farell u kërkon anëtarëve të Charis të vlerësojnë cilësitë e secilit, duke e ruajtur larminë e synimeve, të dëshirave, të dhuntive e të ndjeshmërive, por duke vepruar të bashkuar në shpirt, të frymëzuar nga ajo shenjtëri, që vjen prej Zotit.

01 dhjetor 2023, 08:26