Kërko

Kardinali Ernest Simoni Kardinali Ernest Simoni

Kryevepra të papërlyera: “L’Osservatore Romano” flet për kardinalin Simoni

Në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, në rubrikën “Letra nga Drejtori”, i kushtohet një meditim fjalëve të kardinalit shqiptar Ernest Simoni-Troshani. Është rubrika javore, në të cilën shkruan drejtori aktual i gazetës, Andrea Monda. Artikulli mban datën 9 dhjetor

R.SH. – Vatikan

“Të gjitha qeniet njerëzore janë kryevepra të Zotit”. Ky është fillimi i fjalimit të shkurtër, mbajtur nga kardinali Ernest Simoni në festën shqiptare të organizuar nga Ambasada në Selinë e Shenjtë, më 4 dhjetor (me rastin e festës kombëtare të 28 nëntorit, përvjetorin e Pavarësisë). Këto fjalë më bënë shumë përshtypje kur i dëgjova të shqiptoheshin nga vetë kardinali Simoni dhe m'u kthyen në mendje në festën e Zojës së Papërlyer – shkruan Andrea Monda në gazetën “L’Osservatore Romano”, një ditë pas solemnitetit marian të kremtuar më 8 dhjetor. - Maria është me të vërtetë kryevepra e Zotit, ajo për të cilën Zoti, duke parë krijimin e tij, e pa se "ishte gjë e mirë" (Zan 1,31). Është njeriu ashtu siç duhej dhe duhet të jetë.

Por ka të drejtë kardinali Simoni, të gjithë njerëzit janë një kryevepër. Para së gjithash, ata janë punë: Zoti derdhi djersë, përdori krijimtarinë dhe kujdesin, edhe në detajet më të vogla, në punën e tij “artistike”. E janë një kryevepër, dëshmi sublime artisti, prandaj, çdo ekzemplar i racës njerëzore është unik dhe i papërsëritshëm, i pakrahasueshëm me asnjë ekzemplar tjetër. Qeniet njerëzore nuk prodhohen në seri, por për secilin është përdorur një shabllon, që pastaj është hedhur.

Nuk bën përshtypje vetëm përmbajtja e këtyre fjalëve, por sidomos burimi, autori i asaj deklarate - vijon Andrea Monda komentin e fjalëve të kardinalit Simoni. - Një meshtar shqiptar 95-vjeçar “i mjegullt”, Ernest Simoni, por kur themi "i mjegullt" e kemi fjalën pikërisht për kuptimin e kundërt: në atë “mjegull” ​​gjendet gjithmonë një dritë e fshehtë, gati për t’u zbuluar, për të shpërthyer. I mjegullt së paku deri më 21 shtator 2014, kur Papa Françesku, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Shqipëri, dëgjoi dëshminë prekëse të don Ernestit në Tiranë dhe u përlot. E përqafoi e ia puthi duart dhe dy vjet më vonë e krijoi kardinal.

Tashmë biografia e kardinal Simonit është e famshme: është i vetmi meshtar i gjallë, që dëshmon persekutimin e regjimit të Enver Hoxhës, i cili e shpalli Shqipërinë "shtetin e parë ateist në botë". Arrestuar në vitin 1963 nga policia komuniste, - përshkruan drejtori i “L’Osservatore Romano”-s jetën e kardinalit shqiptar, të mirënjohur në atdhe - kaloi 27 vjet në burg dhe punë të detyruar, ndërmjet torturave dhe izolimit, deri më 5 shtator 1990. Sapo u lirua nga burgu, i fali torturuesit e tij, duke kërkuar mëshirën e Atit Qiellor për ta.

Të gjithë, tha kardinali Simoni, e mes atyre “të gjithëve” ishin edhe torturuesit e tij. Edhe ata, tha më 4 dhjetor, dolën nga duart e Zotit si kryevepra. Deklaratë marramendëse, shkandulluese. Por jemi në kulmin e artit, të artit hyjnor, sepse firma e artistit është falja, aty njihet “dora” e Zotit. Ajo “prekje”, që ende ndihet e gjallë në fjalët e meshtarit 95-vjeçar dhe që e bën atë, në një farë mënyre, "të papërlyer" si Maria, e cila i fali torturuesit e të Birit, duke ndjekur shembullin e fjalëve të Tij të fundit drejtuar Atit nga kryqi. Fjalët e Birit, kryevepër absolute dhe "model i imitueshëm" nga të gjithë njerëzit, kryevepra të Zotit – përfundon reflektimin e tij drejtori i gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”.

11 dhjetor 2023, 11:17