Kardinali Parolin: sinjale pozitive për t'u inkurajuar nga Cop28
R.SH. / Vatikan
Në përfundim të punimeve të ditës së djeshme, 2 dhjetor, kur mbajti fjalimin e nënshkruar nga Papa Françesku përpara asamblesë së krerëve të shteteve dhe qeverive, sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin bëri bilancin fillestar të punës që vijon në Cop28, Konferenca e OKB-së për ndryshimet klimatike, në Dubai.
Vëmendje për njerëzit më të ligshtë
Ndërmjet temave të ndryshme, që dolën nga fjalimet e liderëve botërorë të mbledhur në Dubai, ajo që të frymëzon më shumë nga fjalët e Papës, është tema e përgjegjësisë etike të vendeve më të zhvilluara ndaj vendeve me ekonomitë më të brishta, që shpeshherë mbartin peshën më të rëndë të ndryshimeve klimatike. Për kardinalin Parolin kjo "ishte një nga pikat kryesore të ndërhyrjeve që pasuan njëra-tjetrën gjatë ditës, veçanërisht për shkak të fjalëve të Papës Françesku. Një aspekt etik shumë i rëndësishëm sepse përfshin kujtesën e fortë të të gjithë liderve të pranishëm këtu, veçanërisht atyre të vendeve më të zhvilluara”. Për Kardinalin, kjo ditë e tretë e samitit "ishte shumë intensive dhe gjithashtu shumë e pasur në përmbajtje".
Mos u mbyllni benda interesave personale!
Edhe thirrja e bërë nga Françesku drejtuar liderëve botërorë që të mos mbyllen brenda interesave personale, interesave grupore, interesave kombëtare duket se u pranua, në emër të së mirës së përbashkët”, nënvizon Sekretari i Shtetit të Vatikanit – edhe pse “është kriteri i vetëm që mund të na lejojë realisht të trajtojmë fenomenin e ndryshimit të klimës në një mënyrë serioze dhe të frytshme”.
Rezultatet e para pozitive
Ndër rezultatet e para për t'u mirëpritur është sigurisht zbatimi i Fondit të Humbjeve dhe Dëmtimeve, i cili synon të ndihmojë vendet që vuajnë pasojat më të rënda të ndryshimeve klimatike. "Unë besoj - shpjegon kardinali Parolin - se kjo është një nga shenjat e mëdha të shpresës, e cila të lejon, të paktën deri tani, të bësh një vlerësim thellësisht pozitiv të Konferencës, edhe pse puna që duhet bërë është akoma në vijim”.