Kërko

2023.12.01 il cardinal Parolin parte per Dubai 2023.12.01 il cardinal Parolin parte per Dubai

Kardinali Parolin: Papa bën thirrje për një hov të ri nga Cop28 sepse bota po shkatërrohet

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin, i cili do të jetë sot në Dubai për të marrë pjesë në Konferencën mbi klimën, shpreh në mediat e Vatikanit shqetësimet dhe shpresat e Papës për krizën klimatike, luftërat dhe përçarjet që po copëtojnë planetin. Në lidhje me krizat në Lindjen e Mesme dhe luftën ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, përsërit angazhimin e vazhdueshëm të Selisë së Shenjtë për ndërtimin e paqes.

R.SH. / Vatikan

Massimiliano Menichetti:

Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, do të nisë punën e delegacionit të Selisë së Shenjtë në Cop28, Konferencë e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike, që po zhvillohet në Dubai. Mbërritja është planifikuar për sot, 1 dhjetor, ditë në të cilën Papa duhej të mbërrinte në Emiratet e Bashkuara Arabe. Françeskut “me keqardhje të madhe” iu desh të hiqte dorë nga ky udhëtim, për të shmangur keqësimin e inflamacionit të mushkërive, që e preku ditët e fundit.

Shkëlqesi, Papa nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Klimës në Dubai, siç dëshironte. Cilat janë pritjet dhe shpresat e Françeskut për Cop28?

 Në zemrën e Papës është vetëdija e nevojës për të vepruar për kujdesin e shtëpisë sonë të përbashkët, urgjenca e pozicioneve të guximshme dhe e një shtytjeje të re drejt politikave vendore dhe ndërkombëtare, në mënyrë që njeriu të mos kërcënohet nga partiakë, miopë a grabitqarë. COP28 është thirrur të japë një përgjigje të qartë nga komuniteti politik për trajtimin e kësaj krize klimatike me vendosmëri e në kohët urgjente që kërkon shkenca. Papa nuk mundi të shkonte në Dubai, por vendimi për të qenë atje, hera e parë e pranisë së një Pape, doli qartë nga Laudate Deum, në të cilën kujton se kanë kaluar tetë vjet që nga botimi i letrës enciklike Laudato si', në të cilën ai donte të ndante me të gjithë vuajtjet e planetit dhe "shqetësimet e vazhdueshme" për kujdesin e shtëpisë sonë të përbashkët. Papa shpjegon se "me kalimin e kohës... ne nuk reagojmë sa duhet, pasi bota që na mirëpret po shkërmoqet dhe ndoshta po i afrohet një pike copëtimi" (n. 3). Jo vetëm studimet shkencore nxjerrin në pah ndikimet serioze të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga sjellja antropike, por tashmë është i përditshëm lajmi për fenomene ekstreme natyrore, që ndikojnë fuqishëm në mbarë botën mbi cilësinë e jetës së një pjese të madhe të popullsisë njerëzore e, në veçanti, të komponentit më të cenueshëm ndaj krizës klimatike, e më pak përgjegjës për shkaktimin e kësaj krize.

Ati i Shenjtë e kujton vazhdimisht fjalën guxim, duke u kërkuar qeverive politika për një ekologji integrale, për të mbrojtur njeriun dhe shtëpinë tonë të përbashkët. Cilat janë pritshmëritë për COP28?

Edhe këtu, Laudate Deum flet shumë qartë: «Nëse kemi besim në aftësinë e qenieve njerëzore për të kapërcyer interesat e tyre të vogla dhe për të menduar ato madhështore, nuk mund të heqim dorë nga ëndrra se COP28 do të çojë në një përshpejtim vendimtar të tranzicionit të energjisë, me efektivitet angazhimesh, që mund të monitorohen në mënyrë të vazhdueshme. Kjo Konferencë mund të jetë një pikë kthese, duke dëshmuar se gjithçka që është bërë që nga viti 1992 ka qenë serioze dhe e duhur, përndryshe do të jetë zhgënjim i madh dhe do të rrezikojë të gjitha të mirat që janë arritur deri tani” (n. 54). .

Ndërkaq shpresohet që Cop28 të japë indikacione të qarta për të inkurajuar këtë përshpejtim. Një tranzicion energjetik që mund të shprehet në mënyra të ndryshme, duke filluar nga reduktimi gradual dhe i shpejtë i lëndëve djegëse fosile përmes përdorimit më të madh të energjisë së rinovueshme dhe efikasitetit të energjisë, ashtu si dhe përmes një angazhimi më të madh të edukimit për ekologjinë integrale.

Është mirë të përsëritet ajo që Ati i Shenjtë dhe Selia e Shenjtë e kanë përsëritur shpesh: mjetet ekonomike dhe teknike për të luftuar krizën klimatike janë të nevojshme, por nuk janë të mjaftueshme; është themelore  të shoqërohen nga një proces edukativ, që ndikon në ndryshimin e stileve të jetesës dhe mjeteve të prodhimit dhe të konsumit, i cili synon promovimin e një modeli të rinovuar të zhvillimit integral njerëzor dhe qëndrueshmërisë bazuar në kujdesin, vëllazërinë, bashkëpunimin ndërmjet qenieve njerëzore dhe në forcimin e asaj aleance ndërmjet qenieve njerëzore dhe mjedisit, e cila, siç pohon Benedikti XVI në Caritas in veritate, "duhet të jetë pasqyrë e dashurisë krijuese të Zotit, nga e cila vijmë dhe drejt së cilës jemi për rrugë" (n. 50).

Papa përsëriti se pas Konferencës së Parisit 2015, pati rënie, mungesë interesi. E Hirësia Juaj i ndoqi me vëmendje këto takime. A i kupton bota rreziqet?

Kriza klimatike është shumë e ndërlikuar, por është edhe “problem social global, i lidhur ngushtë me dinjitetin e jetës njerëzore” (Laudate Deum, n. 4). Lidhet edhe me sjelljen njerëzore që rezulton në një rritje të emetimeve të gazrave serrë, me pasoja afatgjata: ato datojnë në periudhën e revolucionit post-industrial të fundit të shekullit të tetëmbëdhjetë e të shekullit të kaluar, por janë theksuar fuqishëm gjatë kohës: siç tregohet nga IPCC, organi shkencor i OKB-së që studion ndryshimet klimatike, mbi 42% e emetimeve totale neto që nga viti 1850 kanë ndodhur pas vitit 1990. Këto janë periudha kohore që shkojnë shumë përtej cikleve të shkurtra zgjedhore, të cilave duhet t'u përgjigjen politikanët. E ky është sigurisht edhe problemi i parë.

Për më tepër, që nga viti 2015 ka pasur një sërë krizash: mendoni vetëm për Covid-in apo problemet e vazhdueshme humanitare që përshkojnë shoqërinë tonë. Konfliktet në Ukrainë dhe në zonën izraelito-palestineze janë vetëm dy shembuj, që dëshmojnë se si konfliktet e lokalizuara jo vetëm që kanë ndikim të papranueshëm dhe shkatërrues mbi popullsinë civile lokale, por kanë pasoja të thella ekonomike dhe sociale në mbarë botën. Këtu lind një problem i dytë: këto kriza rrezikojnë të devijojnë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar drejt çështjes së klimës.

Fatkeqësisht, ndryshimet klimatike vazhdojnë dhe nuk presin që "vullneti i mirë" i qenieve njerëzore të vihet në praktikë. Është e nevojshme që bashkësia ndërkombëtare jo vetëm duhet ta ketë parasysh këtë, por të kuptojë konkretisht se, për të luftuar krizën klimatike, ne ose fitojmë së bashku, ose humbim së bashku. Në COP26 në Glasgow, Ati i Shenjtë dërgoi një Mesazh në të cilin tregoi se "plagët që i hapen njerëzimit [...] nga fenomeni i ndryshimit të klimës janë të krahasueshme me ato që vijnë nga një konflikt global. Ashtu si në pasojat e Luftës II Botërore, sot është e nevojshme që e gjithë bashkësia ndërkombëtare ta ketë prioritet zbatimin e veprimeve kolegjiale, mbështetëse dhe largpamëse”. Armiku i vërtetë për t’u luftuar është sjellja e papërgjegjshme, e cila ka pasoja në të gjithë komponentët e njerëzimit tonë sot dhe nesër.

Përgjigjja duhet të jetë e shpejtë dhe kohezive.

Do të ishte mirë nëse Cop28 do të kontribuonte në zbatimin e shpresës që ka  Papa Françesku në Laudato si': “Ndërsa njerëzimi i periudhës post-industriale ndoshta do të mbahet mend si një nga më të papërgjegjshmit në histori, duhet shpresuar që njerëzimi i majit në fillim të shekullit të 21-të, të mbahet mend për marrjen bujarisht mbi vete të përgjegjësive e tij të rënda” (n. 165). Ka shpresë në këtë, sepse njerëzimi zotëron mjetet dhe aftësitë për të qenë në gjendje t'i marrë këto përgjegjësi.

Cop28 zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërkohë që konflikti ndërmjet Izraelit dhe Hamasit është në vazhdim. Si e sheh Selia e Shenjtë këtë situatë?

Sulmi terrorist i kryer më 7 tetor nga Hamasi dhe organizatat e tjera palestineze kundër popullatës në Izrael shkaktoi një plagë të rëndë dhe të thellë tek izraelitët dhe tek të gjithë ne. Siguria e asaj popullate u rrezikua seriozisht në mënyrë brutale dhe të pabesueshme në një kohë kaq të shkurtër. Ati i Shenjtë e tha menjëherë: "Terrorizmi dhe ekstremizmi nuk ndihmojnë për të arritur zgjidhjen e konfliktit ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, por nxisin urrejtjen, dhunën, hakmarrjen dhe vetëm i bëjnë të dy palët të vuajnë". (Audienca e Përgjithshme, 11 tetor 2023).

E kështu procesi i paqes izraelito-palestineze, i cili tashmë po vuante nga ngadalësimet dhe ngecjet, tani u bë edhe më i ndërlikuar. Nga ana tjetër, ndoshta ky ishte objektivi i terroristëve duke qenë se, siç kanë deklaruar gjithmonë, milicitë e Hamasit nuk kanë paqe me Izraelin në horizontin e tyre, në të vërtetë - në mënyrë të papërgjegjshme - ata do të donin zhdukjen e tij. Megjithatë, kjo nuk korrespondon me dëshirën që Autoriteti i Shtetit të Palestinës, në veçanti presidenti Mahmud Abbas, na e ka siguruar gjithmonë, dmth dëshira për dialog me Shtetin e Izraelit për realizimin e plotë të “Dy e Shteteve”, e promovuar prej shumë vitesh nga Selia e Shenjtë së bashku me një statut të posaçëm për Qytetin Shenjt. Jeruzalemin. Për këtë arsye shpresoj se në të ardhmen do të ketë rrugë të sinqerta dialogu, edhe pse tani i shoh si shumë të ngushta. Në Kopshtet e Vatikanit lëshon shtat ai dru ulliri, që u mboll në vitin 2014 nga presidenti izraelit Shimon Peres dhe presidenti palestinez Mahmud Abbas, së bashku me Papën Françesku dhe Patriarkun Bartolomeu. Vazhdojmë ta ujitim me ujin e shpresës, që buron nga lutja dhe gjithashtu nga puna diplomatike.

Ukraina dhe Lindja e Mesme: Françesku na siguron se dialogu thyen urrejtjen, se është e vetmja rrugë drejt paqes

Megjithatë, ditët e fundit kemi parë një dritëz në negociatat që lejuan  armëpushimin dhe lirimin e disa pengjeve izraelite dhe të kombësive të tjera. Fatkeqësisht sot mësuam se luftimet rifilluan. Selia e Shenjtë shpreson që e gjithë dhuna të pushojë sa më shpejt të jetë e mundur. Besoj se përpjekjet e dialogut të zbatuara nga Egjipti dhe Katari, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë vërtet për t'u vlerësuar, edhe me vullnetin e qeverisë izraelite për të arritur një zgjidhje për të gjithë pengjet sa më shpejt të jetë e mundur. Jam shumë i lumtur që i pashë ata njerëz duke i përqafuar përsëri familjet e tyre. Unë lutem dhe jam pranë ankthit të familjeve të tjera, që ende nuk janë në gjendje të përqafojnë të dashurit e tyre, ende të rrëmbyer në Gaza. Shpresojmë që të gjithë të lirohen së shpejti.

Në të njëjtën kohë, situata humanitare në Rripin e Gazës është burim shqetësimi të madh për Selinë e Shenjtë. Mijëra viktima: flitet për mbi 15 mijë, të plagosur, të zhdukur. Duket se nuk ka vend të sigurt, madje shkollat, spitalet dhe objektet e kultit janë objekt i keqpërdorimit dhe i betejës. Më shumë se një milion të pastrehë duhet të zhvendosen në jug të atij brezi të vogël të tokës palestineze. Roli i Egjiptit është vërtet i lavdërueshëm, pasi po siguron dhe po koordinon ardhjen e ndihmave humanitare, siç është edhe ai i Jordanisë, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe që po përpiqen të ndihmojnë popullsinë palestineze. Ne nuk mund t’i harrojmë e as të mos i inkurajojmë përpjekjet humanitare që po bëjnë Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Gaza. Prandaj, tani është e nevojshme që luftimet të ndalen përfundimisht dhe të gjenden mënyra të tjera për të siguruar që Hamasi dhe organizatat e tjera palestineze të çarmatosen dhe të mos jenë më kërcënim terrorist për izraelitët, por edhe për vetë palestinezët.

Selia e Shenjtë vazhdon të ndjekë nga afër edhe luftën ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Si po vazhdon puna e diplomacisë së Vatikanit në këtë kontekst?

Angazhimi i Selisë së Shenjtë mbetet i pandryshuar, ndaj vazhdon të shqetësohet për të gjitha çështjet humanitare, veçanërisht riatdhesimin e të miturve ukrainas. Shkëmbimet e ndryshme të informacionit mes palës ukrainase dhe ruse, nëpërmjet Nunciaturave Apostolike të pranishme në të dy vendet, kanë bërë të mundur kryerjen e hetimeve për dhjetëra fëmijë. Një rezultat inkurajues, i arritur edhe falë interesit të qartë të Selisë së Shenjtë, siç tregohet nga Zyra e Komisionerit Presidencial për të Drejtat e Fëmijëve të Federatës Ruse, ishte riatdhesimi i Bogdan Yermokhin, i cili u lirua një mbrëmje para se të mbushte 18 vjeç. Për më tepër, mekanizmi i nisur pas misionit të kardinalit Zuppi po perfeksionohet, duke premtuar rezultate më të mira. Shpresojmë që kjo përpjekje të hapë rrugën për dialog edhe për çështje të tjera.

Hirësi, a ia vlen ende të shpresohet në këtë çast kaq të ndërlikuar, të përçarë nga lufta, dhuna dhe mungesat e të gjitha llojeve?

Përballë tragjedive që vazhdojnë të mundojnë njerëzimin, ne të gjithë ndihemi paksa si humbës dhe tundohemi t'i dorëzohemi dëshpërimit e fatalizmit. Me Papën Françesku dua të përsëris edhe unë “të mos lejojmë që të na grabitet shpresa”, sidomos kur rruga e jetës përplaset me probleme dhe pengesa që duken të pakapërcyeshme. Sigurisht, shpresa kërkon realizëm. Kërkon që problemet të quhen me emër, me vetëdijen se krizat e shumta morale, sociale, mjedisore, politike dhe ekonomike që po jetojmë janë të ndërlidhura dhe ato që ne i shikojmë si probleme të vetme, janë në realitet, njëra shkak apo pasojë e tjetrës. Por atëherë të shpresosh kërkon guximin për të vepruar; guxim për ta hedhur zemrën përtej pengesës, për të hequr dorë nga e keqja dhe për t'u larguar nga hapësira e ngushtë e interesave personale ose kombëtare, për të ndërmarrë ato hapa të vegjël të mundshëm të së mirës, çdo ditë në përpjekje për të përmirësuar situatat e ndërlikuara dhe për të mbjellë paqen me durim dhe besim.

01 dhjetor 2023, 17:15