Kërko

SENEGAL SENEGAL  (AFP or licensors)

Kard. Parolin në Senegal: paqja, migrantët, toka, objektiva të përbashkëta

Sekretari i Shtetit të Vatikanit është në vendin afrikan për shugurimin e një Kishe të re kushtuar Zojës në Popenguine, në Dakarin e jugut. Duke takuar gazetarët vendas, Kardinali çoi përshëndetjen e Papës dhe përsëriti angazhimin e përbashkët për paqen në Sahel dhe në botë dhe për sfidën e migrimit: "Shumë humbje grash, fëmijësh, të moshuarish". Kujdesi për shtëpinë e përbashkët , kujtoi, "është garanci e së ardhmes së njerëzimit"

R. SH. - Vatikan

Senegali dhe Selia e Shenjtë së bashku, për objektiva të përbashkëta si "kauza fisnike e paqes dhe drejtësisë në botë", duke filluar nga rajonet e Sahelit, kujdesi për shtëpinë e përbashkët "garancia" e së ardhmes së njerëzimit, ngrohja globale dhe shpërndarja e drejtë e ujit, çështja e emigrantëve përballë kaq shumë humbjeve njerëzore të grave, fëmijëve dhe të moshuarve. Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, po viziton Senegalin, me rastin e shugurimit, sot, më 9 dhjetor, të një Shenjtoreje të re kombëtare mariane në Popenguine, qytet bregdetar në jug të Dakarit. E quajtur Notre-Dame-de-la Délivrande de Popenguine, Shenjtërorja ka, që nga viti 1889, një shtatore të Zojës Zeshkane, të nderuar veçanërisht nga bashkësia katolike senegaleze. Shtatorja u bekua nga Gjon Pali II gjatë vizitës së tij në vendin afrikan, në vitin 1992.

Marrëdhënie të frytshme diplomatike

Gjatë udhëtimit, kardinali Parolin takoi ministrin e brendshëm dhe ministra të tjerë të vendit në një takim dypalësh. Më pas lexoi para mediave lokale një deklaratë përmes së cilës, duke i shprehur qeverisë dhe popullit të Senegalit "urimet për paqe e vëllazëri" të Papës Françesku, kujtoi "marrëdhëniet diplomatike të shkëlqyera dhe të frytshme" të vendosura mbi gjashtëdhjetë vjet më parë dhe "të themeluara mbi respektin reciprok, tolerancën e vëllazërinë, si dhe mbi veprimin e përbashkët të përqendruar në dinjitetin dhe të mirën e çdo njeriu, veçanërisht më të pambrojturve, dhe në nevojat, kërkesat dhe pritshmëritë e tyre materiale e shpirtërore”.

Zgjidhje paqësore e konflikteve

Sekretari i Shtetit foli më pas për "objektivat e përbashkëta", duke filluar nga "shqetësimi për fatin e njerëzimit dhe stabilitetin, duke përfshirë vendet e kontinentit afrikan", e duke vijuar "kërkimin e vazhdueshëm të dialogut të sinqertë dhe vëllazëror për të gjetur zgjidhje paqësore dhe të drejta të konflikteve të vazhdueshme ndërkombëtare”. “E gjithë kjo kërkon një shoqëri të drejtë dhe funksionale, që respekton dinjitetin njerëzor dhe të drejtat themelore të bashkësive dhe të çdo individi”- theksoi Kardinali.

Çështja e emigrantëve

Më pas Kardinali Parolin u ndalua tek çështja e emigrantëve, “temë shumë shqetësuese, veçanërisht për shkak të humbjes së kaq shumë jetëve njerëzore, sidomos ndër më të brishtët: gratë, fëmijët dhe të moshuarit”. Kardinali shprehu të njëjtin shqetësim për "gjithçka që ka të bëjë me ngrohjen globale dhe çështjen e lidhur me shpërndarjen e drejtë të ujit", ndërkohë që siguroi "besimin në përpjekjet e hidrodiplomacisë ndërkombëtare për të gjetur zgjidhjet e duhura". Në këtë kuadër, “garanci për të gjithë, për mbijetesën dhe të ardhmen e njerëzimit, është kujdesi plot përgjegjësi për shtëpinë tonë të përbashkët” - theksoi Kardinali.

Bashkëpunim me Kishën Katolike

Së fundi, Hirësia e Tij siguroi, në emër të Papës dhe të Kishës Katolike Senegaleze, “dëshirën e bashkëpunimit për të mirën e të gjithëve, në frymën e respektit të ndërsjellë, për të inkurajuar dialogun, miqësinë dhe frymën ndërfetare e për një jetë gjithnjë më paqësore e të drejtë”. Më pas Sekretari i Shtetit të Vatikanit falënderoi Presidentin Macky Sall "për vëmendjen që i kushtohet punës së Kishës Katolike në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë" dhe "përfshirjen e Shenjtëroreve kombëtare mariane e dioqezane, vende  adhurimi të Kishës Katolike, në projektin e modernizimit të qyteteve fetare”.

Kapërcimi i kundërvënieve

Prej këndej, një dëshirë e fundit: "Besimi ynë në Zotin, i cili është Dashuri dhe mëshirë, duhet të na lejojë të kapërcejmë të gjitha fatkeqësitë dhe ndarjet që mund të na kërcënojnë" - uroi kardinali Parolin - "Zoti na thërret t'i kapërcejmë, duke kërkuar vëllazërinë universale".

09 dhjetor 2023, 14:33