Kërko

 Pasojat e një sulmi izraelit në një shtëpi në Rafah Pasojat e një sulmi izraelit në një shtëpi në Rafah 

Kard. Krajewski i dërguar nga Papa në Tokën Shenjte për mesazhin e paqes

Lëmoshtari arriti në një nga zonat më të nxehta të botës për t'u lutur, në këtë Kohë Krishtlindjesh, për paqen, së bashku me Patriarkun Pizzaballa dhe Kishën vendase.

R. SH. - Vatikan

“Paqja” është dhurata për të cilën Papa, veçanërisht në këtë Kohë Krishtlindjesh, është lutur vazhdimisht gjatë thirrjeve të shumta për t'i dhënë fund konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, por edhe për Ukrainën e martirizuar, që vuan prej gati dy vjetësh. Në këtë luftë të tretë botërore vende-vende, lutja - lexojmë në një deklaratë nga Dikasteri për Shërbimin e Bamirësisë - bëhet veprim e mision, nëpërmjet kardinalit Konrad Krajewski të cilin Françesku e dërgoi në Tokën Shenjte, "si shenjë konkrete të pjesëmarrjes së tij në vuajtjet e atyre, që i jetojnë drejtpërdrejt pasojat e luftës”.  

“Është dëshira e Atit të Shenjtë - lexojmë - që ky udhëtim të shoqërohet me lutje për dhuratën e paqes në trojet ku vijon zhurma e armëve”. Një paqe për të cilën do të luten Lëmoshtari i Papës, së bashku me Patriarkun Latin të Jeruzalemit, Kardinalin Pierbattista Pizzaballa dhe me gjithë Kishën vendase, "për të kremtuar lindjen e Jezusit, Princit të paqes, Shpresës së vetme të Botës".

Misione lutjeje, ndihme e  paqeje

Për kardinalin Krajewski do të jetë sërish Krishtlindje larg Romës. Vitin e kaluar ishte në Ukrainë për t'i dorëzuar popullatës bluza termale, të dhuruara nga mijëra njerëz, por edhe gjeneratorë të energjisë e dhurata të tjera. Ndihma materiale dhe shpirtërore janë dy rrugët përmes të cilave Lëmoshtari Papanor e kryen detyrën e tij. Edhe për Pashkë, kohë tjetër e rëndësishme për Kishën, u ndje fort afërsia e Papës me popullsinë ukrainase, përmes pamjes prekëse të lutjes së Kardinalit Krajewski përpara varreve masive të Borodjanka, një prej zonave më të shkatërruara nga konflikti.

Kardinali mbërrin në Tokën e Shenjtë me një lutje në zemër, të njëjtën që Papa Françesku ia pati drejtuar Zotit më 8 qershor 2014, në Kopshtet e Vatikanit, në prani të presidentit izraelit Shimon Peres dhe atij palestinez, Mahmud Abbas. Lutje që kujtohet edhe në komunikatën për shtyp të Lëmoshtarit Papnor, shumë e rëndësishme edhe sot:

“O Zot, Hyj i paqes, dëgjoje lutjen tonë!

Na e jep Ti paqen, na e mëso paqen!

Hapi sytë dhe zemrat tona e na jep guximin të themi:

 Kurrë më luftë!  

 Me luftë shkatërrohet gjithçka!

Ngjalle në zemrat tona guximin që të bëjmë gjeste konkrete për paqen;

Ee që  nga zemra e çdo njeriu të zhduken përgjithmonë fjalët përçarje, urrejtje, luftë!

O Zot, çarmatosi gjuhën e duart, përtëriji zemrat dhe mendjet që fjala, e cila na bashkon, të jetë gjithmonë ‘vëlla’,

e stili i jetës sonë të bëhet: shalom, paqe, selam!”.

22 dhjetor 2023, 11:45