Kërko

Mesha për punonjësit e Vatikanit Mesha për punonjësit e Vatikanit  (Vatican Media)

Kard. Gambetti: Qyteti i Vatikanit të rishkëlqejë nga mëshira

Kardinali kryeprift i Bazilikës së Shën Pjetrit, kremtoi Meshën Shenjte në përgatitje të Krishtlindjes për punonjësit në shërbim të Selisë së Shenjtë: mirëpriteni Krishtin me "zemër të virgjër" dhe veproni në përkim me ndjetet.

R. SH. - Vatikan

“Kush bën mirë me dashuri të pastër, ia dhuron shpirtin dhe zemrën Zotit dhe si bir e shërbëtor, do të bashkohet me Zotin e tij”. Kardinali Mauro Gambetti, kryeprift i Bazilikës Papnore të Shën Pjetrit, citon françeskanin Shën Jozefi i Kopertinos dhe "Këngën e së Mirës", krijuar prej tij, në predikimin e Meshës së Krishtlindjes për punonjësit e Shtetit të Qytetit të Vatikanit, kryesuar sot në mëngjes në altarin e Katedrës. Punonjësit e Selisë së Shenjtë duhet ta jetojnë shërbimin ndaj Papës dhe Kishës universale "vetëm për dashuri" - theksoi.

Paraqituni para Zotit me "zemër të virgjër"

Kjo është e mundur - shpjegoi kardinali Gambetti - vetëm duke iu paraqitur Zotit me "zemër të virgjër", si ajo e Marisë, ku "nuk mund të hyjë asgjë e huaj për dashurinë e pastër. Asgjë tjetër përveç dashurisë”.

Ka dy “prova” për të kuptuar nëse keni këtë qëndrim. Njëra është ajo e “gjuhës”. “Goja flet prej thellësisë së zemrës” - nënvizoi Kardinali - prandaj mbi bazë të mënyrës si e përdor gjuhën, mund të kuptojmë se si rreh zemra, “nëse është në dritë, apo në errësirë”. Për këtë arsye të folurit duhet të jetë "i drejtë, i vërtetë, i matur, e njeriu me një, jo me dy fytyra, për të ndenjur larg hipokrizisë dhe gjykimeve”.

Ndjetet duhet të jenë në përkim me veprimet

Prova tjetër është të kuptosh pse janë bërë gjërat. “Nëse qëllimet e tua nuk janë në përputhje me veprimet e tua- vazhdoi kryeprifti i Shën Pjetrit pasi lexoi shkrimin e Shën Jozef Kopertinos, në të cilin numërohen pasojat që ka njeriu, kur vepron me zemër të pa kthyer kah Zoti: Nuk mund ta njohësh Zotin, që bëhet i pranishëm për ditë në jetën e secilit”. Prej këndej, duhet të vishemi mirë “për të nderuar festën, jo për t’u dukur e për t’u admiruar”, duhet të shkojmë në meshë “për të takuar Dhëndrin, jo sepse është detyrë, që duhet përmbushur”. Me pak fjalë, njeriu duhet ta bëjë punën “jo për para apo thjesht për detyrë, por për ta bërë botën më të bukur”, me talentin dhe aftësitë e tij si dhe “për të ndërtuar një botë më të mirë, bashkë me të tjerët”.

Zoti lind gjithnjë ndërmjet nesh

Pak ditë para Krishtlindjes, vikari i Papës për qytetin e Vatikanit përsëriti: “Duhet ta mirëpresim Zotin. Edhe nëse ‘jemi në ankth për luftërat, për varfërinë në rritje, për brishtësinë në zhvillim, për një të ardhme të pasigurt’". Po ne, në vend që t'i kërkojmë Zotit një shenjë, "na pëlqen të merremi me interesat tona të vogla ose të mëdha, t’i largojmë të ligshtit, t'i shikojmë të tjerët në dritë të keqe".

Nga ana tjetër, një zemër e virgjër “përgatitet me gëzim për të takuar Zotin që vjen në çdo situatë”. Vetëm atëhere shëlbimi, paqja e gëzimi për jetën e Zotit, që lind gjithnjë, jo vetëm për Krishtlindje, zbulohet para syve tuaj. Lutja, pra, është që:

"Qyteti i Vatikanit të shkëlqejë në mëshirë, për dashurinë që Zoti Jezus erdhi t’i sjellë secilit prej nesh".

20 dhjetor 2023, 14:47