Kërko

Paraqitja e Mesazhit të Papës për Ditën e 57-të Botërore të Paqës . Paraqitja e Mesazhit të Papës për Ditën e 57-të Botërore të Paqës . 

Kard. Czerny: Papa e qorton përdorimin e paskrupullt të teknologjisë

Prefekti i Dikasterit për Zhvillimin të Gjithanshëm Njerëzor, paraqiti sot, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, së bashku me studiues dhe specialistë të ndryshëm, Mesazhin e Papës për Ditën Botërore të Paqes 2024 me temë "Inteligjenca artificiale dhe paqja", duke vënë theksin mbi nevojën e përdorimit të saj në shërbim të së mirës së përbashkët: "Përdorimi për qëllime lufte është i frikshëm, sepse largon përgjegjësinë njerëzore nga skena e betejës".

R. SH. - Vatikan

Inteligjenca artificiale, tipar dallues i së tashmes, ndryshon vazhdimisht dhe "kërkon shqyrtim të imtë për t'u siguruar se është vërtet në shërbim të së mirës së përbashkët, se mbron vlerën e patjetërsueshme të njeriut dhe se promovon të drejtat tona themelore". Për këtë arsye, Papa Françesku, duke ia kushtuar Mesazhin për Ditën e 57-të Botërore të Paqes inteligjencës artificiale, dëshiron të identifikojë sfidat që paraqesin teknologjitë e reja për ndërtimin e një bote më të drejtë dhe më vëllazërore. Këtë shpjegoi kardinali Michael Czerny, prefekt i Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, në konferencën e shtypit për paraqitjen e Mesazhit, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë. Morën pjesë profesori Mathieu Guillermin, bashkëpunëtor në Université Catholique de Lyon dhe koordinator i projektit ndërkombëtar “Humanizmi i ri në kohën e Neuroshkencës dhe Inteligjencës Artificiale”; At Riccardo Lufrani, profesor i Teologjisë së Shkencave Teknologjike dhe Teologjisë Morale në Universitetin Lumsa të Romës dhe Profesoresha Barbara Caputo, profesoreshë e rregullt në Politeknikun e Torinos, bashkëthemeluese dhe presidente i Focoos.ai.

Sfidat antropologjike

Kreu i Dikasterit theksoi se në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2024 Papa tërheq vëmendjen për "përdorimin e paskrupullt të teknologjisë,  drejtuar vetëm nga dëshira për fitim dhe interesa partiake" që mund të shkaktojë "pabarazi, padrejtësi, tensione, konflikte”. Prej këndej, inteligjenca artificiale nuk paraqet vetëm sfida teknike "por edhe antropologjike, arsimore, sociale dhe politike" - shkruan Françesku - prandaj përdorimi i saj për qëllime lufte është i frikshëm - nënvizoi Kardinali Czerny. Inteligjencat artificiale gjithnjë e më të sofistikuara dhe shkatërruese "zhdukin përgjegjësinë njerëzore nga skena e betejës".

Formim dhe edukim në përdorimin e teknologjive

 “Inteligjenca artificiale mund të kërcënojë edhe drejtësinë sociale”- vazhdoi Kardinali – sepse, për shembull, në botën e punës, “gjithnjë e më shumë vendpunime po zhduken, duke thelluar frikshëm hendekun e varfërisë”. Megjithatë, në sferën e informacionit, ka mënyra të reja për të shtrembëruar qëllimisht fjalët dhe pamjet, për të dezinformuar dhe për të manipuluar, gjë që rrezikon seriozisht rendin civil dhe qeverisjen demokratike". E kështu, siç nënvizon Papa, edukimi është themelor. Duhen formuar ata që hartojnë algoritme dhe teknologji dixhitale, në mënyrë që ata vetë të jenë më të përgjegjshëm - vuri në dukje prefekti i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor - dhe më pas të edukohen të gjithë, veçanërisht të rinjtë, në përdorimin e teknologjive të reja në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të mirëmenduar, kritike ndaj ndikimit të tyre, veçanërisht mbi të varfërit dhe ambientin”.

 Duhen rregullore

Së fundi, kardinali vuri në dukje nevojën për "rregullore efektive brenda shteteve, si dhe marrëveshje shumëpalëshe dhe traktate detyruese" për të qenë në gjendje të "rregullojnë zhvillimin dhe përdorimin me përgjegjësi të inteligjencës artificiale”. Për këtë arsye Françesku, përmes këtij Mesazhi, u kërkon krerëve të shteteve, autoriteteve politike, liderëve të shoqërisë civile të "ushtrojnë bashkëpërgjegjësi", përfundoi Kardinali Czerny që, në përfundim, i ftoi të gjithë "t’i kushtojnë vëmendje dhe të zgjedhin mirë, nëse duam t'i dorëzojmë  breznive të ardhshme një botë më të qetë dhe më paqësore”.

Thirrja e Papës për përgjegjësi

Më pas, duke iu përgjigjur disa pyetjeve të gazetarëve, kardinali Czerny saktësoi se lidhur me inteligjencën artificiale është ende e heret të vihen në të njëjtin plan avantazhet, përfitimet dhe rreziqet, por se Mesazhi i Papës kërkon përgjegjësi të veçantë. Lidhur me përkufizimin e inteligjencës artificiale, për të cilën ende nuk ka qartësi të plotë, profesor Caputo shpjegoi se duhet kuptuar si përpunim automatik i të dhënave dixhitale dhe menaxhim i sasisë gjithnjë në rritje të informacionit dixhital, në të cilin fitimi po bëhet aspekti parësor.

15 dhjetor 2023, 11:11