Kërko

Imzot Fisichella: betlehemi shtëpiak është bukuria e thjeshtësisë

U përurua më 8 dhjetor edicioni i ri i ekspozitës "100 betleheme në Vatikan" me rikrijime të shpellës ku lindi Krishti, nga vende të ndryshme të botës. Ekspozita organizohet nga Dikasteri për Ungjillëzimin, nën shtyllat e Sheshit të Shën Pjetrit, është falas dhe do të mbetet e hapur deri më 7 janar

R.SH. – Vatikan

Skena e Lindjes së Jezu Krishtit ka qenë gjithmonë e njëjtë që kur Shën Françesku i Asizit e imagjinoi pikërisht 800 vjet më parë, duke e marrë nga Ungjijtë dhe nga sa kishte admiruar në mozaikët e Romës. Duar të ndryshme i kanë dhënë betlehemit, skenës së lindjes së Krishtit, që çdo familje e krishterë e ndërton me dashuri për Krishtlindje, forma të pafundme gjatë historisë, jo gjithnjë të njëjta, duke përdorur krijimtarinë e fantazinë. Sepse betlehemi i ndërtuar nga të burgosurit nuk është i njëjtë me atë të krijuar nga kutitë e ilaçeve të nënës së sëmurë. Por secila prej këtyre mënyrave të shprehuri gjen vendin e vet në ekspozitën “100 betleheme në Vatikan”, përuruar nën shtyllat e Sheshit të Shën Pjetrit, në Vatikan, pasditen e 8 dhjetorit. Ekspozitë aftësish krijuese dhe ekspozitë feje, ku ngjyrat, format, dritat, me të cilat pasqyrohet nata, që dy mijë vjet më parë e ndryshoi botën, të bëjnë ta ndiesh rrahjen e zemrës së zejtarit apo zejtarëve, që kanë derdhur në art përjetimin personal të lindjes së Birit të Zotit.

Betlehemi është përjetim zemre

Përjetim, që pasqyron edhe kulturat e shumta të 22 vendeve nga vijnë mbi 120 betlehemet me paraqitjen e Lindjes së Jezusit, nga Ukraina në Tajvan, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Filipine, nga Rusia në Venezuelë. Shën Françesku i Asizit - shpjegon imzot Rino Fisichella, pro-prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin, i cili u kujdes për ekspozitën - "pati një intuitë të madhe dhe kur u kthye në Greccio nuk deshi të bënte tjetër, veçse të ripropozonte atë, që Kisha e kishte pasqyruar gjithmonë. Thjesht, deshi ta bëjë drejtpërdrejt, duke përfshirë njerëzit. Sepse kjo është Krishtlindja, përfshirje e njerëzve".

Betlehem ardhur nga Amerika Latine
Betlehem ardhur nga Amerika Latine

Thelbësorja, që ndërton të ardhmen

Të bën përshtypje fakti se betlehemi - ikonë universale e paqes, pasi pasqyron lindjen e Krishtit, Princit të Paqes - vjen në Vatikan edhe nga vende në luftë me njëri-tjetrin, gati sikur artisti dhe arti i tij të kenë dashur të gjejnë dhe të japin ngushëllim përmes Marisë dhe Jozefit, që mirëpresin Jezusin foshnjë. Vërtet, shpella e Betlehemit është skena më e thjeshtë, por, njëkohësisht, edhe më e fuqishmja, që ia ndryshoi atëherë fatin e njerëzimit dhe mund ta bëjë këtë ende sot, pasi ushqen shpresën dhe sigurinë se urrejtja dhe gjakderdhja do të ndalen para atij grazhdi, ku përmblidhet gjithçka është më thelbësore në jetë. “Skena e lindjes së Krishtit – vëren imzot Fisichella – përmban shumë shenja, por shenja e parë është ajo e thjeshtësisë. Zoti lind aty ku ka pak njerëz - Maria, Jozefi, pak barinj – pra, aty ku ekziston ç’është më thelbësore. E betlehemi shtëpiak është i bukur, pikërisht kur e ka parasysh këtë aspekt. Gjithçka këtu - përfundon prelati - na flet për shpresë. E na fton ta shqyrtojmë të tashmen për ta ndërtuar më mirë të ardhmen”.

Ekspozitë falas

Në përurimin e ekspozitës, e cila bën pjesë në nismat kulturore në përgatitje të Jubileut 2025, ishte i pranishëm ambasadori italian në Selinë e Shenjtë, Francesco Di Nitto, eprori i përgjithshëm i Urdhrit të Fretërve të Vegjël, Át Massimo Fusarelli, së bashku me kryebashkiakun e Greccio-s, Emiliano Fabi, për të kujtuar betlehemin e parë françeskan, tetë shekuj më parë. Ekspozita është falas dhe mund të vizitohet deri të dielën, 7 janar 2024, çdo ditë nga ora 10.00 deri në orën 19.30.

11 dhjetor 2023, 09:11