Kërko

I Lum, Kardinali Pironio. Papa: "Na ndihmo të jemi Kishë në dalje"

Mesha e lumnimit në shenjtëroren e Zojës së Lujanit, Pajtores së Argjentinës, ku është varrosur i Lumi i ri kardinali Pironio, u kremtua nga kardinali Vérgez Alzaga. Gjatë viteve të shërbimit të tij në Kurien Romake, realizoi ëndrrën e Papës Shën Gjon Palit II për DBR-në. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot u kujtua mga Bergoglio si "bari i përulur dhe i zellshëm"; Papa uron që figura e tij të na inkurajojë të jemi të afërm me njerëzit më të ligësht

R.SH. / Vatikan

Kardinali Eduardo Pironio u shpall i Lum më 16 dhjetor, dhe u lartua në nderimet e altarit, në Shenjtëroren e Zojës së Lujanit, Argjentinë. Të nesërmen e ritit, në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së Dielës, Papa Françesku kujtoi bashkëpunimin e Kardinalit Pironio me Papën Shën Gjon Palin II në promovimin e laikëve dhe në Ditët Botërore të Rinisë.

Bari i përulur dhe i zellshëm

Papa Françesku, pasi e ftoi turmën e shtegtarëve mbledhur për lutjen mariane të Engjëllit të Zotit në Sheshin e Shën Pjetrit të duartrokasë për të Lumin e ri, e kujtoi Kardinalin Pironio  si "bari i përulur dhe i zellshëm, dëshmitar i shpresës, mbrojtës i të varfërve":

“Shembulli i tij na ndihmoftë të jemi Kishë në dalje, e cila bëhet shoqe udhëtimi për të gjithë, veçanërisht për më të ligshtit”.

Mbrojtës i palodhur i kauzës së vëllezërve të tij të varfër

“Në Letrën Apostolike për lumnimin, Papa Françesku e përshkruan të Lumin e ri "Bari i përvuajtur sipas frymës së Koncilit II të Vatikanit, dëshmitar i shpresës dhe i durimit ungjillor, mbrojtës i palodhur i çështjes së vëllezërve më të varfër” - kujtoi kardinali spanjoll - për të përmbledhur, më pas, ngjarjet njerëzore të kardinalit Pironio, duke kujtuar kryesisht shërbimin baritor në seminarin e dioqezës së Mercedesit (tani Kryeipeshkvia e Mercedes-Luján), si mësues i letërsisë, dogmatikës, kristologjisë, teologjisë sakramentale, teologjisë themelore dhe filozofisë. Ishte i lidhur pazgjidhshmërisht me Marinë, Zonjën e Lujanit - nënvizoi - "e i nderuar nga besimtarët e gjithë Argjentinës".

Ati, Kryqi dhe Maria

Më pas rilexoi lutjen prekëse të improvizuar nga i Lumi i ri kardinali Pironio të dielën, më 28 shtator 1975, përpara se të nisej për në Romë për të marrë detyrat e tij të reja si pro-prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, i thirrur nga Papa Shën Pali VI. Një lutje që shpreh bindjen ndaj Atit:

“Zot, dua ta vë në zemrën tënde asgjënë time - ishte lutja - kryqin tim, çka më kushton të largohem, e çka më kushton të bëj vullnetin tënd”.

E Pironio e falënderonte Zotin që e bëri të dëgjonte tri gjëra shumë të qarta: “Se Zoti është Ati im dhe më do; se është e nevojshme të jetoj fekonditetin e Kryqit për të qenë farë dhe se Maria, Nëna jonë, do të jetë gjithmonë pranë meje". Ati, Kryqi dhe Maria!

Po lëshohem në dorë të Zotit, si Maria

Ditën e fillimit të shërbesës së tij në Romë, përkrah Papës Shën Palit VI, më 9 dhjetor 1975, kardinali argjentinas Pironio shkroi në ditar:

“Papa më thirri të punoja përkrah tij! Nuk di asgjë, nuk mund të bëj asgjë. Por unë e dorëzoj veten në dorë të Zotit, si Maria: ‘Po, unë jam shërbëtori i Zotit; u bëftë mbi mua sipas Fjalës sate’. Dhe më pas: ‘Sa më kushtoi largimi nga dioqeza dhe Celami, familja e atdheu, miqtë e të afërmit! Tani jam vetëm në rrugë, por Zoti është me mua”.

18 dhjetor 2023, 13:38