Kërko

Grazhdi i Jezusit ndodhet në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe

Në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, në Romë, ruhet një relike që ka qenë gjithmonë e lidhur me fenë e romakëve dhe objekt lutjesh për shtegtarët nga e gjithë bota, qysh në shekujt më të largët

R.SH. - Vatikan

Në bazilikën e Shën Marisë së Madhe, në Romë, ruhet një relike që ka qenë gjithmonë e lidhur me fenë e romakëve dhe objekt lutjesh për shtegtarët nga e gjithë bota qysh në shekujt më të largët. Janë mbetjet e "cunabulum", "djepit të shenjtë", grazhdit, në të cilin, sipas ungjijve, u vendos Jezusi i sapolindur. Ka variante të ndryshme për hollësrat e mbërritjes së tij në Romë.

Pra, një relike që mendohet se është e grazhdit në të cilin Maria vendosi Jezusin Foshnje, ruhet në Bazilikën e famshme Papnore në Romë. Dëshmia e grazhdit të Jezusit gjendet në vargun shtatë të kapitullit të dytë të Ungjillit të Lukës, në një pasazh që përmban kuptimin e Krishtlindjes, pasi kjo fjali gëzon fëmijët dhe prek të rriturit: "Maria lindi djalin e vet të parëlindurin, e mbështolli në shpërgënj dhe e vendosi në grazhd, sepse në bujtinë nuk kishte vend për ta".

"Djepin e shenjtë", grazhdin, në të cilin, sipas ungjijve, u vendos Jezusi i sapolindur, mendohej se e solli në Romë, që në shekullin IV-V, Shën Helena, që kishte sjellë edhe copa të Kryqit të Krishtit nga Toka e Shenjtë; ose disa shtegtarë, që ktheheshin nga Palestina; ose akoma, Siksti III (432-40), themelues i bazilikës, brenda së cilës, në një bodrum, kishte rikrijuar një shpellë të vogël të Lindjes së Krishtit - ndoshta me copa shtufi që vinin nga Jeruzalemi, ku ishte zakon qysh në atë kohë që Papa  të kremtonte tri meshët e Krishtlindjes.

Më i besueshëm është varianti, sipas të cilit këto relike - fillimisht në Betlehem - iu dhuruan në vitin 642 nga Shën Sophronius, patriarku i Jeruzalemit, Teodorit të sapo emëruar papë. E ai i dërgoi në Shën Marinë e Madhe, që u njoh sakaq si Sancta Maria ad Praesepem.

Pesë shufrat e vogla të drurit të panjës ruhen aktualisht në një vitrinë nën altarin e lartë, në kamaren e pjesës së pasme të rrëfimit. Relikuari, vepër e Giuseppe Valadier, u krijua me urdhër të Dukeshës Maria Emanuela Pignatelli, ambasadore e Portugalisë, për të zëvendësuar atë që u zhduk gjatë pushtimit napoleonik. Në anën e përparme paraqitet skena e lindjes së Krishtit, në anën e poshtme, mbi një bazament druri të pikturuar me dorë qëndron një bazë paralelopipedi në argjend me katër basorelieve. Në anën e përparme paraqitet skena e lindjes së Krishtit, në anën e pasme Darka e Mbrame, në anët më të vogla, ikja në Egjipt dhe adhurimi i Tre Mbretërve. Mbi bazë qëndron relikuari i kristalit në formë djepi, që përmban dërrasat e vogla prej druri. Mbi urnën ka një grumbull kashte, mbi të cilën është vendosur Foshnja Hyjnore, pothuajse në përmasa reale.

Në Shën Marinë e Madhe ruhet gjithashtu një relike tjetër, e lidhur me skenën e lindjes së Krishtit: "panniculum", një copë e vogël pëlhure, në madhësinë e një dore - e ruajtur në një vitrinë të dhuruar nga Piu IX - sipas traditës - një skaj i ndrizave, me të cilat Maria e mbështolli Krishtin. Në të kaluarën, gjatë festave të Krishtlindjeve, djepi i shenjtë vendosej në navatën qendrore për nderimin e besimtarëve, por gjendja e keqe e konservimit të mbetjeve e bindi kapitullin e bazilikës që të shmangte lëvizjen e tij.

Bazilika ruan gjithashtu skenën e parë të lindjes së Krishtit në histori, të bërë me shtatore, realizuar në vitin 1288 nga Arnolfo di Cambio, me porosi të Papës Nikolla IV.

21 dhjetor 2023, 08:50