Kërko

Dikasteri për Doktrinën e Fesë: nënat e pamartuara të marrin Sakramentet

Duke iu përgjigjur pyetjes së një ipeshkvi të Republikës Domenikane, i cili nënvizon se si disa nëna të pamartuar nuk marrin Kungimin nga frika se mos i kritikojnë, prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë kujton, me Papën Françesku, se gratë në këtë situatë, në vështirësi thjesht për faktin se kanë zgjedhur jetën, duhet të ndihmohen për të përfituar nga forca shëlbuese e Sakramenteve

R.SH. - Vatikan

Nënat e pamartuara, që kanë zgjedhur t'i mbajnë fëmijët e tyre, lindur jashtë martese, nuk duhet të pengohen, por të inkurajohen për të marrë Sakramentet. Kështu deklaron Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë, në përgjigje të një pyetjeje bërë nga ipeshkvi i San Francisco de Macorís, në Republikën Domenikane, imzot Ramón Alfredo de la Cruz Baldera.

Letër e miratuar nga Papa

Në një letër të nënshkruar nga prefekti, kardinali Victor Manuel Fernández, miratuar dje nga Papa Françesku dhe botuar sot në faqen e internetit të Dikasterit, i jepet përgjigje shqetësimit të ipeshkvit domenikan për faktin se disa vajza-nëna nuk marrin Kungimin, nga frika se mos i kritikojnë. “Në disa vende – citon kardinali ipeshkvin - si meshtarët, ashtu edhe disa laikë, i pengojnë nënat, që pa u martuar kanë fëmijë, të marrin sakramentet, madje, edhe të pagëzojnë fëmijët”. Kohët e fundit, nënvizohet në Letrën e Dikasterit, Papa Françesku kujtoi se "Eukaristia është përgjigja e Zotit ndaj etjes më të madhe të zemrës njerëzore, ndaj etjes për jetën e vërtetë: në të, vetë Krishti është përnjëmend ndërmjet nesh për të na ushqyer, për të na ngushëlluar dhe për të na mbështetur në udhën tonë” (Fjalimi në Komitetin Organizativ të Kongresit Kombëtar Eukaristik të SHBA-së, 19 qershor 2023). Për këtë arsye, “gratë, që kanë zgjedhur jetën dhe, për këtë arsye, përjetojnë ndërlikime të mëdha, duhet të inkurajohen të marrin pjesë e të përfitojnë nga forca shëlbuese e ngushëlluese e Sakramenteve”.

Guximi i vajzave-nëna

Në Letrën e Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë sqarohet se bashkësia katolike duhet të marrë në shqyrtim çdo çështje, duke i dalluar rastet nga njëri-tjetri. Sigurisht, vërehet, “mund të ndodhë që disa nga këto nëna, duke pasur parasysh vështirësitë e jetës, ta shesin trupin e tyre për të mbajtur familjen. Bashkësia e krishterë është e thirrur të bëjë gjithçka është e mundur për t'i ndihmuar që ta shmangin këtë rrezik shumë serioz, në vend që t'i gjykojë ashpër". Për të gjitha vlen rregulla, që vlen edhe për besimtarët e tjerë: pendesa e kthesa. “Ashtu si për gjithë të krishterët e tjerë - nënvizohet në Letër - rrëfimi sakramentor i mëkateve u lejon atyre t'i afrohen Kungimit. Bashkësia kishtare duhet ta vlerësojë faktin se janë gra, që e kanë mirëpritur dhe e kanë mbrojtur dhuratën e jetës, duke luftuar çdo ditë për t’i rritur fëmijët”.

Logjika e dhembshurisë

Kardinali-prefekt vë në dukje komentin, që i bëhet shpesh episodit biblik të gruas kurorëthyese (Gjn 8,1-11), duke nënvizuar frazën e fundit: "shko e mos mëkato më". Natyrisht, “Jezusi na fton gjithmonë ta ndryshojmë jetën, t'i përgjigjemi më besnikërisht vullnetit të Zotit, të jetojmë me dinjitet më të madh. Megjithatë, kjo frazë nuk përbën mesazhin qendror të kësaj perikopeje ungjillore, i cili është ftesa për të pranuar se askush nuk mund të hedhë gurin e parë”.

Ja përse, shton ai, Papa Françesku, duke iu referuar nënave, që duhet t’i rrisin vetëm fëmijët e tyre, kujton se “në situatat e vështira, që përjetojnë njerëzit më në nevojë, Kisha duhet të tregojë kujdes të veçantë për t’i kuptuar, për t’i ngushëlluar, për t’i integruar, duke shmangur imponimin e një serie rregullash sikur të ishin gurë, duke i bërë të ndihen të gjykuar dhe të braktisur pikërisht nga ajo Nënë, që duhet t’u çojë mëshirën e Zotit" (Amoris laetitia, 49). Qëndrimet e tilla, Papa i quan “maskiliste dhe diktatoriale”. “Varet nga ju - përfundon kardinali Fernández, duke iu drejtuar, përmes përgjigjes dhënë ipeshkvit të San Francisco de Macorís, gjithë ipeshkvijve të botës - të siguroheni që një qëndrim i tillë të mos ketë vend në Kishën tuaj lokale”.

14 dhjetor 2023, 09:04