Kërko

La Basilica di San Pietro La Basilica di San Pietro

Deklarata doktrinore flet për bekime të çifteve "të parregullta"

Me“Fiducia supplicans” të Dikasterit për Doktrinën e Fesë, miratuar nga Papa, do të jetë e mundur të bekohen çiftet e "të parregullta" dhe të atyre të formuara nga njerëz të të njëjtit seks, por jashtë çdo ritualizimi dhe imitimi të një martese. Doktrina e Kishës katolike mbi martesën nuk ndryshon, bekimi nuk do të thotë miratim i bashkimit.

R.SH. / Vatikan

Me Deklaratën"Fiducia supplicans" të Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë, të miratuar nga Papa, është e mundur të bekohen çiftet e “parregullta” apo të formuara nga njerëz të të njëjtit seks, por jashtë çdo rituali liturgjik.

Përballë kërkesës së dy personave për t'u bekuar, edhe nëse gjendja e tyre martesore është "e parregullt", do të jetë e mundur që prifti të japë pëlqimin, por duke shmangur që ky gjest i afërsisë baritore të përmbajë elemente madje as të ngjashme me një rit martese. Kështu shkruhet në deklaratën Fiducia supplicans mbi kuptimin baritor të bekimeve, botuar nga Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë dhe miratuar nga Papa Françesku.

Dokumenti thellohet në temën e bekimeve, duke bërë dallimin ndërmjet bekimeve rituale dhe liturgjike, me bekimet spontane që janë më të ngjashme me gjestet e devocionit popullor: pikërisht në këtë kategori të dytë radhitet tani mundësia për të pritur edhe ata që nuk jetojnë sipas normave të doktrinës morale të krishterë, por kërkojnë përvujtërisht të bekohen. Ish-Zyra e Shenjtë (Sant’Uffizio) që nga gushti, 23 vjet më parë, nuk ka publikuar asnjë deklaratë (e fundit ishte Dominus Jesus në 2000) apo dokument me vlerë të lartë doktrinore.

"Fiducia supplicans" hapet me hyrjen e prefektit, kardinalit Victor Manuel Fernández, i cili shpjegon se deklarata thellohet në "kuptimin baritor të bekimeve", duke mundësuar që "kuptimi klasik i tyre të zgjerohet dhe të pasurohet" përmes një reflektimi teologjik, "bazuar në vizionin baritor të Papës Françesku". Një reflektim, i cili «nënkupton një zhvillim të vërtet e real, në krahasim me atë që është thënë për bekimet» deri tani, duke kuptuar mundësinë «e bekimit të çifteve në situata të parregullta dhe çifteve të të njëjtit seks, pa e vërtetuar zyrtarisht statusin e tyre ose pa e ndryshuar atë në asnjë mënyrë mësimin e përjetshëm të Kishës mbi martesën”.

Kjo Deklaratë synon të jetë edhe një nderim për Popullin besnik të Zotit, që e adhuron Zotin me shumë gjeste besimi të thellë në mëshirën e tij hyjnore dhe që me këtë qëndrim vijnë vazhdimisht për t'i kërkuar Kishës Nënë një bekim.

Deklarata që krijon mundësinë e bekimeve të thjeshta për çiftet e parregullta, qëndrimi i Jezusit dhe mësimi i Françeskut

Pas paragrafëve të parë (1-3), ku kujtohet prononcimi i mëparshëm i vitit 2021, i cili tani po thellohet dhe po kapërcehet, deklarata paraqet bekimin në Sakramentin e Martesës (par. 4-6) duke deklaruar «ritet dhe lutjet që mund të krijojnë konfuzion ndërmjet asaj që është pjesë përbërëse e martesës" dhe "asaj që bie në kundërshtim me të", për të shmangur në të gjitha rastet njohjen "si martesë e diçkaje, që nuk është". Përsëritet se sipas “doktrinës shumëvjeçare katolike” konsiderohen të ligjshme vetëm marrëdhëniet seksuale ndërmjet një burri dhe një gruaje, brenda kontekstit të martesës.

Një kapitull i dytë i gjërë i dokumentit (par. 7-30) analizon kuptimin e bekimeve të ndryshme, për njerëzit, objektet e përkushtimit, vendet e jetës. Kujtohet se "nga pikëpamja rreptësisht liturgjike", bekimi kërkon që çka bekohet "të jetë në përputhje me vullnetin e Zotit të shprehur në mësimet e Kishës". Kur me një rit të caktuar liturgjik "kërkohet bekimi në disa marrëdhënie njerëzore", është e nevojshme që "çka bekohet, të jetë në gjendje të korrespondojë me planet e Zotit të shkruara në Krijim" (11). Prandaj, Kisha nuk ka fuqinë për të dhënë bekim liturgjik për çiftet e parregullta ose të të njëjtit seks. Por ne duhet të shmangim rrezikun e reduktimit të kuptimit të bekimeve vetëm në këtë këndvështrim, duke pretenduar edhe për një bekim të thjeshtë "të njëjtat kushte morale që kërkohen për marrjen e sakramenteve" (12).

Pasi analizon bekimet në Shkrimin Shenjt, deklarata ofron edhe kuptimin teologjik-baritor. Kushdo që kërkon një bekim "tregon se ka nevojë për praninë shëlbuese të Zotit në historinë e tij", sepse shpreh "një kërkesë për ndihmë nga Zoti, një lutje, për të jetuar më mirë" (21). Kjo kërkesë duhet pranuar dhe vlerësuar "jashtë një kornize liturgjike" kur njeriu gjendet "në një mjedis me spontanitet dhe liri më të madhe" (23). Duke i parë nga këndvështrimi i devotshmërisë popullore, “bekimet duhet të vlerësohen si akte devocioni”. Për t'u dhënë, prandaj nuk është e nevojshme të kërkohet "përsosja e mëparshme morale" si parakusht.

Ky dallim u shqyrtua në thellësi, në bazë të përgjigjes që Papa Françesku u pati dhënë dyshimeve të kardinajve, botuar tetorin e kaluar, duke i ftuar të dallohej mundësia e "formave të bekimit, të kërkuara nga një ose më shumë njerëz, të cilat nuk përcjellin konceptimin e gabuar të martesës" (26), dokumenti thotë se këto lloj bekimesh «i ofrohen të gjithëve, pa kërkuar asgjë, duke i bërë njerëzit të ndiejnë se mbeten të bekuar pavarësisht gabimeve të tyre dhe se «Ati qiellor vazhdon të dëshirojë të mirën e tyre dhe të shpresojë se më në fund do të hapen ndaj së mirës” (27).

Ka "disa raste kur njerëzit afrohen spontanisht për të kërkuar një bekim, si në shtegtime, në shenjtërore, madje edhe në rrugë, kur takojnë një prift", e këto bekime "u drejtohen të gjithëve, askush nuk mund të përjashtohet". (28). Prandaj, ndërsa ndalimi i aktivizimit të "procedurave apo riteve" për këto raste mbetet, meshtari mund të bashkohet në lutjen e atyre njerëzve që "megjithë një bashkim që në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohet me martesën, dëshirojnë t'ia besojnë veten Zotit dhe mëshirës së tij hyjnore, të kërkojnë ndihmën e tij, të drejtohen drejt një kuptimi më të madh të planit të tij të dashurisë dhe së vërtetës" (30).

Prandaj, kapitulli i tretë i deklaratës (par. 31-41) hap mundësinë e këtyre bekimeve, të cilat përfaqësojnë një gjest ndaj atyre që «duke e njohur veten si të varfër dhe si njerëz që kanë nevojë për ndihmën e Zotit, nuk pretendojnë legjitimimin e tyre, statusin, por lypin që gjithçka e vërtetë, e mirë dhe e vlefshme njerëzore e pranishme në jetën dhe marrëdhëniet e tyre, të mund të shërohet dhe të lartohet nga prania e Shpirtit Shenjt” (31).

Këto bekime nuk duhet të rregullohen, por duhet t'i besohen "dallimit praktik në një situatë të caktuar" (37). Ndonëse bekohet çifti, por jo bashkimi, deklarata përfshin në çka është e bekuar, marrëdhëniet legjitime ndërmjet dy njerëzve: në "lutjen e shkurtër që mund t'i paraprijë këtij bekimi spontan, meshtari i shuguruar mund të kërkojë për ta paqen, shëndetin, shpirtin e durimit, të dialogut dhe të ndihmës së ndërsjellë, por edhe dritën dhe forcën e Zotit për të qenë në gjendje të përmbushin plotësisht vullnetin e tij” (38).

Gjithashtu sqarohet se për të shmangur “çdo formë konfuzioni dhe shkandulli”, kur një çift i parregullt ose i të njëjtit seks kërkon bekimin, “ai nuk do të kryhet kurrë në të njëjtën kohë me ritet e bashkimit civil apo edhe në lidhje me to. As me rroba, gjeste apo fjalë tipike të dasmës” (39). Ky lloj bekimi "mund ta gjejë vendin e tij në kontekste të tjera, të tilla, si një vizitë në një vend të shenjtë, një takim me një prift, një lutje e thënë në grup ose gjatë një shtegtimi" (40).

Së fundi, kapitulli i katërt (par. 42-45) na kujton se «edhe kur marrëdhënia me Hyjin është e trazuar nga mëkati, mund të kërkohet gjithmonë  bekimi, duke zgjatur dorën drejt tij» e duke e dëshiruar «mund të jetë më e mira e mundur në disa situata » (43).

18 dhjetor 2023, 16:24