Kërko

2023.11.30 Premio Ratzinger 2023 2023.11.30 Premio Ratzinger 2023

Benedikti XVI, trashëgimia e tij, shkollë e së ardhmes, dorëzimi i çmimit Ratzinger

U dorëzuan dje në Sala Regia të Pallatit Apostolik, Çmimet e caktuara nga Fondacioni Ratzinger, fituar sivjet nga teologu Pablo Blanco Sarto dhe filozofi Francesc Torralba. Çmimin e dorëzoi Sekretari i Shtetit, që kujtoi vlerën e mendimit të Papës së nderit ndërmjet arsyes e fesë. Atë Federico Lombardi: ai na mësoi të kërkojmë dhe të gjejmë të vërtetën. Edicioni i parë pas vdekjes të Papës teolog, pa praninë e Papës Françesku.

R.SH. / Vatikan

"Joseph Ratzinger ishte i vetëdijshëm për mundësitë dhe rreziqet e shtegtimit të njerëzimit, si dhe për misionin e Kishës në shpëtimin e tij. Ndaj na prin në përpjekjen për të hyrë me përvujtëri e guxim në nivelin më të thellë, për të gjetur dhe për të rizbuluar pika referimi të përbashkëta, të qëndrueshme dhe të domosdoshme”. Ky pohimi i Atë Federico Lombardit, kryetar i Këshillit të Fondacionit vatikanas Joseph Ratzinger, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, dje pasdite, kur çmimi Ratzinger 2023 iu dorëzua Pablo Blanco Sarto-s dhe Francesc Torralba Rosellò-s.

Nuk ishte thjesht mënyrë “për të studiuar jetën dhe mendimet e Papës Ratzinger me shikimin nga e kaluara, por edhe për të dhënë një kontribut – sado të vogël – në vazhdimin e rrugëtimit të tij, me sytë e ngulur mbi së sotmen dhe të ardhmen”.

Dje paradite fituesit morën pjesë në Meshën, e cila kremtohet çdo ditë të fundit të muajit në Kriptën e Vatikanit mbi varrin e Papës Benediktit XVI. Më pas audienca private me Papën Françesku. Të pranishëm, kardinajtë Ladaria dhe Ravasi, si dhe tri Memores Domini, që u kujdesën për Benediktin XVI gjatë 20 vjetëve, të cilat Atë Lombardi i falënderoi publikisht.

Këtë vit Papën Françesku, që nuk ishte i pranishëm në ceremoni, e përfaqësoi kardinali Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit.

Fituesit e paraqiten punën e tyre me një falenderim të shkurtër nga Pablo Blanco Sarto, i cili rrëfeu takimin e tij me teologun Ratzinger, "hermeneutik dhe ekzistencialist" sipas vizionit të tij, me një mirësi të hollë në marrëdhëniet me kolegët e me një vetpërmbajtje tipike për Papën që nuk imponohej kurrë! Sarto është gjithashtu autor i një biografie për njohjen më të thellë të Benediktit XVI, keqtrajtuar disi nga mediat, siç shpjegoi fituesi. Ratzinger është një premtim për të ardhmen, pohoi në vijim  Blanco Sarto.

Francesc Torralba Roselló, i emëruar këshilltar i Këshillit Papnor për Kulturën, u tregua mjeshtër i vërtetë komunikimi. Në fjalën e tij, duke folur për studimet antropologjike dhe etike, profesori, falënderoi bashkëshorten, që e mbështeti në punën e tij. Preku më pas temën e arsyes moderne me një logjikë dhuntie. Ratzinger pretendon legjitimitetin intelektual të teologjisë si studim mbi Zotin. Përtej arsyes së kufizuar këtu dhe, tani Ratzinger - për Torralbën - punon kundër paradoksit të arsyes së gjithëpushtetshme, por të lidhur me empiriken dhe për rrjedhojë, të dobësuar.

Dorëzimi u bë nga Sekretari i Shtetit, Kardinali Parolin, i cili e mbylli aktivitetin me një reflektim, duke menduar veçanërisht për të ardhmen dhe trashëgiminë e mendimit të Benediktit XVI. Papnia e Benedikti nuk ishte politike - kujtoi kardinali Parolin - por Magjister kulturor, parë si sfidë e mijëvjeçarit të tretë. Kështu Caritas in veritate është rrënja e teksteve të Françeskut për kardinalin Parolin, që shton se misioni i Kishës sot është kthimi i pranisë së Zotit në botë, Zotit që foli në Sinai. Plaga e njeriut është largimi nga Zoti - nënvizoi Sekretari i Shtetit i Vatikanit. Arsye pa pozitivizëm apo relativizëm, për të lejuar një dialog të vërtetë me fenë.

Një shembull i guximshëm dhe i ndritshëm i dialogut - pohoi Parolin - pa përshtatje sipërfaqësore. Me një dëgjim që  përfshinte tërësinë e personit.

Kardinali kujtoi vështirësitë e papnisë së Papës Ratzinger si dhe dramën e abuzimit nga kleri. Gjë që nuk e pengoi të hidhte themelet, mbi të cilat punon pasardhësi i tij. Kardinali përfundon duke kujtuar dorëheqjen, që mbetet në historinë e Kishës si shenjë e qartësisë dhe e përvujtërisë.

01 dhjetor 2023, 12:52