Kërko

2023.09.27 Udienza Generale 2023.09.27 Udienza Generale
Editorial

Bekimet, konvertimi baritor dhe rreziku i dëshirës për të kodifikuar gjithçka

Një lexim i deklaratës doktrinore “Fiducia supplicans” mbi kuptimin e bekimeve në dritën e "ndryshimit të epokës" dhe "konvertimit baritor" të nevojshëm për të cilin Papa ka këmbëngulur që nga fillimi i pontifikatit të tij

R.SH. / Vatikan

ANDREA TORNIELLI

Pas tre muajsh Papa Françesku do të hyjë në vitin e dymbëdhjetë të papnisë së tij. Një papni e karakterizuar që në fillim nga kërkesa për një "konvertim baritor", siç lexojmë në Evangelii gaudium, nxitja apostolike që përvijon drejtimin e mësimit të Ipeshkvit aktual të Romës.

Françesku thekson qartë se ne nuk po jetojmë në një epokë ndryshimesh, por një ndryshim epoke. Siç ka nënvizuar tashmë në këto faqe Rocco Buttiglione, duke komentuar deklaratën e fundit e cila hap mundësinë e bekimeve spontane dhe joliturgjike për çiftet e parregullta, përfshirë çiftet një-gjinore, pesëdhjetë vjet më parë homoseksualët ishin me vendosmëri kundër martesës.

Sot, të paktën në shumë raste, kjo nuk është më kështu. Ndonëse – kuptohet – vëmendja mediatike është përqendruar te çiftet homoseksuale, deklarata e shpallur ditët e fundit nga Dikasteri i Vatikanit i Doktrinës së Fersë flet për çifte që nuk jetojnë sipas normave morale të Kishës. Pa hyrë në statistika, mund të thuhet se shumica e tyre janë çifte të përbëra nga një burrë dhe një grua që jetojnë së bashku pa u martuar. Nuk ke nevojë të jesh sociolog për të kuptuar se çfarë ndryshimi epokal ka ndodhur në dekadat e fundit: rënia e martesave fetare a kishtare dhe civile, rritja eksponenciale e bashkëjetesës (edhe mes atyre që janë edukuar në fe).

Konvertimi pastoral për të cilin flet Papa nuk është një operacion makiazhë, një rregullim i thjeshtë i orareve, të disa rregullime të vogla të strukturave. Është diçka më e thellë, që kujton dhe vë në pikëpyetje përgjegjësinë e të gjithëve, sidomos të ministrave a shërbëtorëve të shuguruar. Kuptimi etimologjik i fjalës "konvertim" është "të lëvizësh nga një vend në tjetrin", "të kthehesh drejt dikujt ose diçkaje" "të ndryshosh drejtimin".

Konvertimi baritor për të cilin flet Françesku është ftesa për një ndryshim rrënjësor të këndvështrimit dhe mentalitetit, jo në kuptimin e përshtatjes disi me të menduarit e kësaj bote duke e zbutur mesazhin e krishterë, por pikërisht e kundërta. Është ftesa për të ringjallur shpalljen ungjillore, duke u përqendruar te thelbësorja, te kerygma, duke ditur se kemi të bëjmë gjithnjë e më shpesh me bashkëbisedues që nuk e njohin më atë. Duke ditur se duhet të dalim jashtë, të rrezikojmë, të takojmë njerëz pa paragjykime, të dëgjojmë përpara se të gjykojmë, dhe të mos presim që njerëzit të vijnë të na kërkojnë.

Imazhi i Kishës si një "spital fushor", aq i dashur për Pasardhësin e Pjetrit, është një shembull efekas. Rrënja e konvertimit baritor është thellësisht ungjillore: Jezusi na fton të mos gjykojmë që të mos gjykohemi, të mos përqendrohemi në lëmishten në syrin e personit që kemi përballë, duke harruar traun e ngulur në syrin tonë.

Jezusi ka përmbysur logjikën dhe normat fetare të kohës së tij duke qenë i pari që takoi të paprekshmit dhe mëkatarët publikë. Qëllimi i konvertimit baritor është vetëm një dhe është ai që shpjegon ekzistencën e Kishës: misioni. Kjo do të thotë, të dëshmosh dashurinë e pafund të një Zoti të mëshirshëm që përqafon përpara se të gjykojë dhe që vjen të na takojë për të na ngritur lart nëse e lejojmë atë ta bëjë këtë, edhe nëse ne kemi vetëm dëshirë për ta bërë këtë.

Është një fjalë tjetër vendimtare, e lidhur me ndryshimin e epokës, me konvertimin baritor dhe me opsionin misionar. Është "shoshitja". Një fjalë qendrore edhe në deklaratën e Dikasterit doktrinor të Vatikanit mbi bekimet. Në dokument, ripohohet se doktrina e Kishës katolike mbi martesën nuk ndryshon dhe se Kisha i konsideron të ligjshme vetëm marrëdhëniet seksuale midis një burri dhe një gruaje të bashkuar në martesë, thuhet qartë jo vetëm se duhet të shmanget çdo ritualizim, çdo krijim liturgjish ose paraliturgji për bekimet e çifteve “të parregullta”, por edhe që nuk duhet të priten “udhëzime” të mëtejshme për këtë temë. Pikërisht sepse është lënë në shoshitjen a gjykimin e ministrave apo shërbëtorëve të shuguruar.

Është një kryq dhe një përgjegjësi që rëndon mbi supet e meshtarëve, që janë të thirrur për të marrë përsipër tragjeditë e njerëzve, të thirrur për të dëgjuar historitë e tyre, të thirrur për t'i shoqëruar ata hap pas hapi drejt kuptimit të plotë të planit të Zotit për jetën e tyre. Ky është një aktivitet jashtëzakonisht misionar. Të imagjinosh të "shkarkosh" barrën e aftësisë shoshitëse a dalluese në një manual ose një bekim të paracaktuar do të thotë të biesh në kazistikë.

Sigurisht, do të ishte më e lehtë të kesh një manual ku gjithçka është e qartë, e përcaktuar, e strukturuar dhe e analizuar në detaje. Por nuk mund të ketë një manual të aftë për të menduar shumëllojshmërinë e dramave, historive personale dhe situatave.

Papa Françesku tha në fjalën përshëndetëse për urimet e Krishtlindjes drejtuar Kuries Romake se : «Shoshitja është e rëndësishme për të gjithë ne, ky art i jetës shpirtërore që na zhvesh nga pretendimi se dimë tashmë gjithçka, nga rreziku për të menduar se mjafton të zbatojmë rregullat, nga tundimi për të vazhduar thjesht duke përsëritur modele, pa marrë parasysh se Misteri i Zotit na tejkalon gjithmonë dhe se jetët e njerëzve dhe realiteti që na rrethon janë e mbeten gjithmonë superiore ndaj ideve e teorive”. Sepse "duhet guxim për të dashur".

Feja e krishterë, tha akoma Françesku, "nuk dëshiron të konfirmojë siguritë tona, të na bëjë të vendosemi në siguri të lehta fetare ose të na japë përgjigje të shpejta për problemet komplekse të jetës". Hyji i Jezu Krishtit "na vë në një udhëtim, na nxjerr nga zonat tona të sigurisë, vë në dyshim arritjet tona dhe, pikërisht në këtë mënyrë, na çliron, na transformon".

Sigurisht që deklarata për bekimet, pyetjet, trondit, na detyron të largohemi nga "zonat e sigurisë". Qëllimi është të takojmë njerëzit ku jetojnë dhe si jetojnë, jo si do të donim të jetonin, për të mos fikur dritën që digjet kur përballemi me një kërkesë për bekim, domethënë një kërkesë për ndihmë nga Zoti.



22 dhjetor 2023, 16:34