Kërko

Persone che pregano, indiani in preghiera, Orissa, India Persone che pregano, indiani in preghiera, Orissa, India

Të krishterë e hinduistë, ta ndërtojmë paqen së bashku

Mesazh i Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar me rastin e festës hinduiste të Deepavali-t, që këtë vit kremtohet më 12 nëntor. Duke u bashkuar me ndjekësit e traditave të tjera fetare dhe të gjithë njerëzit me vullnet të mirë, ne mund të punojmë së bashku për të ndërtuar botën tonë mbi themelet e qëndrueshme të së vërtetës, drejtësisë, dashurisë dhe lirisë, në mënyrë që të gjithë njerëzit të mund të gëzojnë një paqe autentike dhe të qëndrueshme

R.SH. - Vatikan

"Të krishterë dhe hinduistë: le të ndërtojmë paqen në të vërtetën, drejtësinë, dashurinë dhe në liri”: kjo është tema e mesazhit të dërguar nga Dikasteri vatikanas për Dialogun Ndërfetar hinduistëve me rastin e festës së Deepavali-t, e cila do të kremtohet më 12 nëntor.

"Si besimtarë dhe udhëheqës të feve tona përkatëse, me bindje të përbashkëta dhe një ndjenjë përgjegjësie të përbashkët për mirëqenien e njerëzimit, ne mundemi, të krishterë dhe hinduistë - siç thuhet në mesazhin e Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar, nënshkruhet nga prefekti, kardinali Ayuso Guixot - të përpiqemi sinqerisht për t’u bërë artizanë të paqes. Duke u bashkuar me ndjekësit e traditave të tjera fetare dhe të gjithë njerëzit me vullnet të mirë, ne mund të punojmë së bashku për të ndërtuar botën tonë mbi themelet e qëndrueshme të së vërtetës, drejtësisë, dashurisë dhe lirisë, në mënyrë që të gjithë njerëzit të mund të gëzojnë një paqe autentike dhe të qëndrueshme".

“Si besimtarë, ne duhet të shprehim aspiratën tonë për paqen përmes përpjekjeve koherente dhe të bashkërenduara, bazuar në një besnikëri të palëkundur ndaj këtyre shtyllave”, kjo thirrja që përmban mesazhi Dikasteri i Vatikanit për Dialogun Ndërfetar  dërguar hinduistëve : “Në përpjekjet tona për të kontribuar në ndërtimin e një bote paqësore, duke përdorur çdo mjet që është në fuqinë sonë, ne duhet t'i forcojmë këto shtylla të paqes. Për këtë arsye, familjet, të udhëhequra nga shembulli i prindërve dhe të moshuarve, si dhe nga institucionet arsimore e mediat, duhet të luajnë një rol të dorës së parë në frymëzimin e dëshirës për paqe dhe në mësimin e vlerave që ndërtojnë paqen tek burrat dhe gratë e të gjitha moshave”.

“Dialogu ndërfetar ka një potencial të madh për të nxitur besimin e ndërsjellë dhe miqësinë shoqërore ndërmjet komuniteteve ndërfetare – thuhet në mesazh – është bërë një kusht i domosdoshëm për të kontribuar për paqen botërore”, ka thënë Papa Françesku. Si të krishterë dhe hinduistë, përfundon mesazhi, mund t’i "bashkojmë përpjekjet me njerëz të traditave të tjera fetare dhe me njerëzit vullnetmirë, për të promovuar, individualisht dhe kolektivisht, frymën e dëshirës dhe të bashkëpërgjegjësisë për ta shndërruar këtë botë në një vendbanim të sigurt për të gjithë, ku secili të jetojë i gëzuar në paqe”.

07 nëntor 2023, 14:37