Kërko

Shën Gjoni në Lateran Shën Gjoni në Lateran

Shën Gjoni në Lateran, 1700 vite histori. Frisina: simbol bashkimi në botë

Me një letër drejtuar dioqezës së Romës, kardinali vikar Angelo De Donatis shpalli një vit veprimtarish për 1700-vjetorin e Bazilikës së Lateranit, Nëna e të gjitha kishave në botë dhe selia e Ipeshkvit të Romës. Drejtori i korit të dioqezës së Romës: kam kompozuar një meshë për festën e Kushtimit

R.SH. – Vatikan

Pikë referimi për besimtarët e dioqezës së Romës, por jo vetëm për ta. Bazilika e Shën Gjonit në Lateran do të kremtojë 1700 vitet e historisë së saj, me një meshë të enjten, më 9 nëntor, në orën 17.30, kur kujtohet kushtimi i Bazilikës së Shëlbuesit Shenjt dhe të Shenjtorëve Gjon Pagëzuesi e Gjon Ungjilltari. Kremtimet do të përfundojnë më 9 nëntor 2024.

Shuguruar nga Papa Silvestri I në vitin 324, në prani të perandorit romak Kostandini, kushtuar të Shëlbuesit Shenjt, Bazilika është vendi, ku janë mbajtur pesë Koncile Ekumenike. Në një letër drejtuar popullit të Zotit, me të cilën shpall vitin e ngjarjeve përkujtimore, kardinali vikar Angelo De Donatis shpjegon se "në këtë vend, të krishterët e Romës shohin Qengjin e Hyjit, që shlyen mëkatet e botës, treguar nga Gjon Pagëzuesi.

Këtu ndiejmë, ashtu si dishepulli i dashur, zemrën e Krishtit Shpëtimtar që rreh, duke u konsumuar nga dashuria për mbarë njerëzimin. Në shkollën e dy Gjonëve, gjejmë vokacionin e veçantë të Kishës sonë, thirrur për të kryesuar në bamirësi”. Një ftesë, ajo e kardinalit De Donatis, drejtuar çdo meshtari, diakoni, rregulltari e murgeshe, laiku e laikeje për të qenë Kishë, që mblidhet rreth bariut të saj, për të kremtuar kushtimin e bazilikës dhe përvjetorë të veçantë si 25, 50, 60-vjetori i shugurimit të meshtarëve dhe rregulltarëve të saj.

Mater e caput omnium ecclesiarum

 “Bazilika konsiderohet nga tradita, si Mater et caput omnium ecclesiarum”, shpjegon për mediat e Vatikanit imzot Marco Frisina, drejtor i korit të dioqezës së Romës. Pikërisht, për hir të këtij titulli të lashtë si Nëna dhe Kreu i të gjitha Kishave, katedralja e Papës, për shkak të origjinës së saj, është e para dhe më e rëndësishmja nga kishat katedrale në botë. Në vitin 324, menjëherë pas persekutimeve, ishte perandori romak Kostandini, që e deshi këtë kishë katedrale dhe, për këtë arsye, ajo merr vërtet rëndësi të jashtëzakonshme”.

Është e vetmja festë kushtimi, që konsiderohet e kremte në kalendarin liturgjik për të gjitha kishat, shton imzot Frisina, me Baptisterin që “i ka dhënë jetë të krishterë gjithë Kishës, sepse është i pari i krishterimit”. Një kujtim, pra, për të nxjerrë në pah rrënjët e Kishës, veçanërisht në këtë moment sinodal, shton drejtori i korit, për të kuptuar se Bazilika e Shën Gjonit në Lateran është simbol i unitetit, simbol i bashkimit, jo vetëm për dioqezën e Romës, por për të gjithë Kishën Katolike, pasi ajo është katedralja e Papës. Vërtet, ajo është e para e katër bazilikave papnore të mëdha, më e lashta e më e rëndësishmja e Perëndimit, seli e Papëve deri në shekullin XV.

Kompozimet

Do të jetë vetë imzot Frisina, me korin e Dioqezës së Romës, që do të interpretojë këngë të kompozuara posaçërisht për meshën solemne të rastit: “Desha të kompozoj një meshë për festën e kushtimit të Shën Gjonit, me Kyrie, Gloria, Sanctus dhe Agnus Dei. Por kompozova edhe një himn për Kishën, sepse katedralja është simbol, shenjë e Kishës bërë me gurë të gjallë. Duke e marrë frymëzimin nga imazhet, që na jep ‘Lumen Gentium’, i bëra një himn tempullit të Zotit, pikërisht duke i pasur ato parasysh". Kisha e Romës, shpjegon imzot Frisina, “jeton me trashëgiminë e mrekullueshme të shumë dëshmitarëve të fesë, jo vetëm të apostujve Pjetër dhe Pal, por edhe të gjithë martirëve, të shumë shenjtorëve, barinjve, laikëve, të shumë familjeve, që ende sot jetojnë me fe dhe, për mendimin tim, janë stolitë më të bukura të saj”.

03 nëntor 2023, 18:04