Kërko

 Papa Paolo VI con Athenagoras Papa Paolo VI con Athenagoras

Papa Bartolomeut I: të krishterët luten që të heshtin armët

Mesazhi i Papës drejtuar Patriarkut Ortodoks, me rastin e festës së Shën Andreut, shenjtit mbrojtës të Kishës së Kostandinopojës: kujtimi i përqafimit midis Palit VI dhe Atenagoras në vitin 1964 "ishte hap themelor përpara në thyerjen e barrierës së keqkuptimi, mosbesimi dhe madje armiqësia që pati ekzistuar për gati një mijëvjeçar”

R.SH. - Vatikan

Në kuadrin tradicional të shkëmbimit të delegacioneve të Selisë së Shenjtë dhe Patriarkanës së Kostandinopojës, për kremtimin e festave përkatëse të pajtorëve qiellorë të shën Pjetrit e Palit Apostull më 29 qershor në Vatikan, e të shën Andreut Apostull, më 30 nëntor në Stamboll, presidenti i Dikasterit të Vatikanit për nxitjen e bashkimit të krishterëve, kardinali Kurt Koch, sivjet udhëheq delegacionin e Selisë së Shenjtë për festën e Patriarkanës ekumenike të Kostandinopojës. Kardinali Koch shoqërohet nga ipeshkvi Brian Farrel, sekretar i dikasterit vatikanas, e nga imzot Andrea Palmieri, zëvendës sekretar.

Delegacioni i Selisë së Shenjtë ka marrë pjesë në kremtimet solemne të liturgjisë hyjnore kryesuar nga Bartolomeu në Kishën patriarkale të shën Gjergjit në Fanar, ka pasur një takim me Patrikun dhe bisedime me komisionin sinodal të ngarkuar për marrëdhëniet me Kishën katolike. Kardinali Koch i ka dorëzuar patriarkut ekumenik një mesazh shkruar personalisht nga Papa, të cilën e lexoi në përfundim të liturgjisë hyjnore, shoqëruar me një dhuratë.

“I shtyrë nga ndjenjat e dashurisë vëllazërore dhe nga lidhjet e thella të fesë, shpresës dhe bamirësisë që i bashkojnë Kishat simotra të Romës dhe të Kostandinopojës, dërgoj përshëndetjet më të përzemërta duke uruar punë të mbarë, shpresë dhe dashuri”, lexojmë në mesazhin e Papës.

“Kremtimi i parapriu përkujtimit të një ngjarje kishtare vërtet historike: takimit midis Papës Palit VI e Patriarkut Ekumenik Athenagoras në Jeruzalem në janar të vitit 1964. Ai takim ka qenë një hap themelor në shembjen e barrierës së keqkuptimit, mosbesimit e madje edhe armiqësisë që ekzistonte për pothuajse një mijëvjeçar”, thuhet akoma në mesazhin e Papës.

“Është shumë domethënëse që kjo rrugë e pajtimit, afrimit në rritje dhe tejkalimit të pengesave që ende nuk e mundësojnë bashkimin e plotë të dukshëm, filloi me një përqafim, me një gjest që shpreh në mënyrë elokuente njohjen reciproke të vëllazërisë kishtare”, nënvizon Papa Françesku.

Në Mesazh, Ati i Shenjtë Bergoglio kujton me kënaqësi edhe "takimin e fundit në Romë me rastin vigjiljes së lutjes ekumenike mbajtur në pragun e hapjes së Asamblesë së Përgjithshme të XVI të Sinodit të Ipeshkvijve".

“Në festën e Andreu apostull, i lutemi Zotit, Atit tonë të mëshirshëm, që të pushojë zhurma e armëve, që sjell vetëm vdekje e shkatërrim, dhe që qeveritë e udhëheqësit fetarë të mund të kërkojnë gjithmonë rrugën e dialogut dhe të pajtimit.”, përfundon mesazhi i Papës.

30 nëntor 2023, 17:34