Kërko

Selia e Shenjtë: impenjim maksimal për paqen e drejtësinë ndërmjet Izraelit e Palestinës

Kryeipeshkvi Ettore Balestrero, vëzhgues i Vatikanit në Kombet e Bashkuara dhe në organizata të tjera ndërkombëtare në Gjenevë, flet në Unctad. “Paqja është zgjidhje me dy shtete, mundësi e vlefshme për Selinë e Shenjtë”

R.SH. – Vatikan

         Dënimi i qartë dhe i fuqishëm i "sulmit çnjerëzor terrorist të kryer nga Hamasi, më 7 tetor, kundër civilëve të pafajshëm në Izrael" dhe shqetësimi i thellë "për gjendjen katastrofike humanitare në Rripin e Gazës, e cila ka shkaktuar humbjen e mijëra jetëve të pafajshme palestineze, përfshirë ato të më se 5000 fëmijëve”. Ky, qëndrimi i Selisë së Shenjtë, shprehur nga kryeipeshkvi Ettore Balestrero, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë, me rastin e Sesionit të 74-të Ekzekutiv të Unctad-it, Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin, mbi temën e ndihmës për popullin palestinez.

Impenjimi i Selisë së Shenjtë

Selia e Shenjtë "mbetet plotësisht e përkushtuar për të promovuar paqen dhe drejtësinë në Izrael dhe Palestinë", shpjegoi imzot Balestrero, i cili kujtoi "vrasjen dhe plagosjen brutale të mijëra njerëzve, por edhe pengjet, ku bëjnë pjesë fëmijë e të moshuar". Imzot Balestrero nuk harroi as sakrificën e më se njëqind anëtarëve të UNRËA-s, vrarë në Gaza javët e fundit dhe falënderoi Unctad-in për ndihmën e tij në favor të palestinezëve.

Thirrjet e Papës

Delegati i Vatikanit përsëriti thirrjen e Papës për lirimin e menjëhershëm të "të gjitha pengjeve në Gazë", si edhe denoncimin e Atit të Shenjtë se "terrorizmi dhe ekstremizmi ushqejnë urrejtjen, dhunën dhe hakmarrjen, duke shkaktuar vuajtje reciproke". Ai theksoi se Selia e Shenjtë mbështet të drejtën për vetëmbrojtje, por "të gjitha palët duhet të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare, përfshirë parimin e proporcionalitetit". Vuajtja pa dallim e popullatës palestineze "është e papranueshme", prandaj kërkohet "mbrojtja e çdo civili" dhe "garantimi i ndihmave humanitare".

Për paqen, opcioni me dy shtete

Së fundi, imzot Balestrero përsëriti thirrjen e Françeskut që "të gjitha palët të ndalojnë menjëherë përdorimin e armëve" pasi "çdo luftë është disfatë" dhe u kërkoi autoriteteve izraelite dhe palestineze "të ripërtërijnë me guxim angazhimin e tyre për paqen e bazuar në drejtësi, duke respektuar ligjin dhe aspiratat e të dyja palëve”. Për Selinë e Shenjtë, opcioni i vetëm i vlefshëm është ai i dy shteteve të pavarura, në fqinjësi të mirë.

21 nëntor 2023, 16:49