Kërko

Hyrja e Dikasterit vatikanas për Doktrinën e Fesë Hyrja e Dikasterit vatikanas për Doktrinën e Fesë

Pjesëmarrja në masoneri vazhdon të jetë e ndaluar për katolikët

Përgjigja e Dikasterit për Doktrinën e Fesë, miratuar nga Papa, plotëson kërkesën e një ipeshkvi filipinas: theksohet sërish papajtueshmëria ndërmjet anëtarësimit në lozhat e masonerisë dhe fesë katolike

R.SH. – Vatikan

         Katolikëve u ndalohet të bëjnë pjesë në Masoneri. Kështu i përgjigjet Dikasteri për Doktrinën e Fesë pyetjes së ipeshkvit të Dumanguete në Filipine, imzot Julito Cortes. Nota e nënshkruar nga prefekti Victor Fernandéz, me miratimin e Papës Françesku, mban datën 13 nëntor 2023. Ipeshkvi filipinas, sqarohet në notë, “pasi përshkruan me shqetësim gjendjen e dioqezës së tij, ku po shtohen vazhdimisht anëtarët e Masonerisë, kërkon sugjerime për t’i bërë ballë si duhet këtij realiteti nga pikëpamja baritore, duke marrë parasysh edhe implikimet doktrinore”.

Për t'iu përgjigjur pyetjes, dikasteri u lidh me Konferencën Ipeshkvnore të Filipineve, "duke e njoftuar se do të ishte e nevojshme të zbatohej një strategji e koordinuar ndërmjet ipeshkvijve, në dy drejtime".

I pari ka të bëjë me planin doktrinor: dikasteri thekson se “anëtarësimi aktiv i besimtarëve katolikë në Masoneri është i ndaluar, për shkak të papajtueshmërisë ndërmjet doktrinës katolike dhe masonerisë”, siç shkruhet në Deklaratën e Kongregatës vatikanase për Doktrinën e Fesë në vitin 1983 e, edhe në Udhëzimet e botuara nga Konferenca Ipeshkvnore e Filipineve më 2003.

Prandaj, sqaron nota, “ata që, formalisht dhe me vetëdije, bëhen anëtarë të lozhave masonike dhe përqafojnë parimet masonike, trajtohen sipas dispozitave të Deklaratës së sipërpërmendur. Këto masa vlejnë edhe për çdo klerik të regjistruar në Masoneri”.

Aspekti i dytë ka të bëjë me planin baritor: dikasteri u propozon ipeshkvijve filipinas "të zhvillojnë një katekezë popullore në të gjitha famullitë, lidhur me arsyet e papajtueshmërisë ndërmjet fesë katolike dhe masonerisë". Së fundi, ipeshkvijtë ftohen të vlerësojnë mundësinë për një deklaratë publike mbi këtë temë.

Deklarata e nëntorit 1983 u botua në prag të hyrjes në fuqi të Kodit të ri të së Drejtës Kanonike. Kodi zëvendësoi atë të vitit 1917 dhe, ndër risitë e tij, u vu re - nga disa me kënaqësi, nga të tjerët me shqetësim - mungesa e dënimit të qartë të masonerisë dhe e shkishërimit për anëtarët e saj, të pranishëm në tekstin e vjetër. Deklarata e nënshkruar nga kardinali i atëhershëm Joseph Ratzinger dhe nga sekretari i Kongregatës Jérôme Hamer, miratuar nga Papa Gjon Pali II, nënvizonte se katolikët e regjistruar në lozhat masonike bëjnë "mëkat të rëndë".

15 nëntor 2023, 10:56