Kërko

 Piazza San Pietro e Basilica San Pietro Piazza San Pietro e Basilica San Pietro

Personat transeksualë mund të marrin Pagëzimin

Një dokument i Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë nënshkruar nga Prefekti kard. Fernandez dhe i miratuar nga Papa në audiencë më 31 tetor shpreh mendimin pozitiv për pagëzimin e personave transeksualë, nëse nuk krijon skandal ndërmjet besimtarëve. Nuk ka asnjë pengesë për të qenë dëshmitarë në një martesë. Po Pagëzimit të fëmijëve të çifteve homoseksuale edhe nëse të lindur nga mitra me qira

R.SH. / Vatikan

Personat transeksualë, edhe nëse i janë nënshtruar trajtimit hormonal ose operacionit të ndryshimit të seksit, mund të pagëzohen "nëse nuk ka situata në të cilat ekziston rreziku i gjenerimit të skandalit publik ose çorientimit ndërmjet besimtarëve". Edhe fëmijët e çifteve homoseksuale mund të pagëzohen edhe nëse lindin nga mitra me qira për aq kohë sa ka shpresë të bazuar se ata do të edukohen në fenë katolike. Kështu pohon Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë në një përgjigje të nënshkruar nga prefekti kardinali Victor Manuel Fernandéz, miratuar nga Papa më 31 tetor.

LEXONI TEKSTIN E PLOTË TË DOKUMENTIT

LEGGI IL TESTO INTEGRALE DEL DOCUMENTO

Imzot José Negri, ipeshkëv i Santo Amaro në Brazil, kërkoi sqarime mbi pjesëmarrjen e mundshme në Sakramentet e Pagëzimit dhe të Martesës nga persona transseksualë dhe homo-afektivë, do të thotë persona që përjetojnë ndjenja afeksioni dhe dashurie ndaj njerëzve të të njëjtit seks, korrikun e kaluar. Përgjigjet "ripropozojnë, në thelb, përmbajtjet themelore të asaj që tashmë është thënë mbi këtë temë nga ky Dikaster në të kaluarën".

Për sa i përket Pagëzimit të personit transeksual, përgjigja është po, me kusht që të mos krijojë skandal. Qoftë i rritur, fëmijë apo adoleshent, "nëse janë të përgatitur mirë dhe të gatshëm". Dikasteri, përball dyshimeve "për situatën morale objektive në të cilën ndodhet një person", ose për "vullnetin e tij subjektiv ndaj hirit Tënzot" (dhe për rrjedhojë edhe kur qëllimi për të ndryshuar veten nuk shfaqet plotësisht) propozon disa konsiderata. Kisha mëson se, kur sakramenti i Pagëzimit "merret pa pendim për mëkate të rënda, subjekti nuk e merr hirin shenjtërues, megjithëse merr karakterin sakramental", i cili është i pashlyeshëm, siç lexojmë në Katekizëm, dhe "mbetet për gjithmonë tek i krishteri si prirje pozitive ndaj hirit”. Nëpërmjet citimeve të Shën Tomës dhe Shën Agustinit, Dikasteri i Selisë së Shenjtë kujton se Krishti vazhdon të kërkojë mëkatarin dhe kur ndodh pendimi, natyra sakramentale e marrë e disponon menjëherë për të marrë hirin. Për këtë arsye Papa Françesku e ka përsëritur disa herë se Kisha nuk është doganë dhe, veçanërisht përsa i përket pagëzimit, dera nuk duhet t'i mbyllet askujt.

Më problematike është kur një person transseksual duhet të jetë nun apo ndrikull në Pagëzim. “Në kushte të caktuara, mund të pranohet”, lexojmë në dokument, por kujtohet se kjo detyrë nuk përbën një të drejtë, prandaj “maturia baritore kërkon që të mos lejohet nëse ekziston rreziku i skandalit, legjitimimit të padrejtë ose një çorientimi në fushën edukative të komunitetit kishtar”. Nuk ka asnjë problem që personi transseksual të jetë dëshmitar i një martese sepse asgjë nuk e ndalon atë në "legjislacionin aktual kanonik universal" të Kishës.

Pjesa e dytë e njoftimit ka të bëjë me njerëzit homo-afektivë. A mund të paraqiten ata si prindër të një fëmije që do të pagëzohet, edhe nëse birësohet ose lind me "metoda të tjera si mitra me qira"? Dikasteri përgjigjet: “që fëmija të pagëzohet duhet të ketë një shpresë të bazuar se ai do të edukohet në fenë katolike”. Më pas trajtohet rasti i një personi homo-afektiv dhe bashkëjetues, i cili kërkon të jetë kumbar apo ndrikull për një person që duhet të pagëzohet. Atij i kërkohet të bëjë “një jetë në përkim me fenë dhe rolin që merr”. “Çështja është ndryshe – sqaron dokumenti – në rastin në të cilin bashkëjetesa e dy personave homo-afektivë konsiston jo në një bashkëjetesë të thjeshtë, por në një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të deklaruar more uxorio, të mirënjohur nga komuniteti”.

Dikasteri për Doktrinën e Fesë bën thirrje për maturinë e duhur për të "ruajtur sakramentin e Pagëzimit dhe mbi të gjitha marrjen e tij, i cili është një thesar i çmuar për t'u mbrojtur e ruajtur, pasi është i nevojshëm për shpëtim". Por Dikasteri kujton se duhet “të kemi parasysh vlerën reale që komuniteti kishtar i jep detyrave të nunave dhe nuneshave, të mos harrohet roli që ata kanë në komunitet dhe konsideratën që ata tregojnë ndaj mësimit të Kishës”. Së fundi, sugjerohet mundësia që “të jetë një person tjetër nga rrethi familjar që mund të garantojë transmetimin e drejtë të fesë katolike tek personi që pagëzohet”. Së fundi, leja (nulla osta) lëshohet që "një person homo-afektiv që bashkëjeton" të jetë dëshmitar në një martesë.

09 nëntor 2023, 11:02