Kërko

Kardinali Pietro Parolin në Gregoriana Kardinali Pietro Parolin në Gregoriana

Kard. Parolin: të ngulim këmbë në edukimin, që të shmangim akte dhune kundër grave

Gjatë një konference për Papën Gjon Pali I në Universitetin Gregorian të Romës, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve mbi ngjarjet aktuale. Fillimisht, rastet e feminicidit: “Duhet punë e madhe sinergjike nga të gjitha agjencitë edukative, pa mesazhe kontradiktore”. Për konfliktin në Lindjen e Mesme ai përsërit afërsinë e Papës "me këdo që vuan" dhe nxit të kërkohet falje: "Nuk është e lehtë, por mund të sjellë diçka të re në botë"

R.SH. – Vatikan

Dhuna kundër grave, roli i Selisë së Shenjtë në zgjidhjet ndërkombëtare për krizën klimatike, lufta, afërsia e Papës me njerëzit në dhimbje, vlera e faljes për të luftuar çdo dhunë apo ndjenjë dhune. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një bisedë me gazetarët, reflekton mbi çështjet aktuale të botës së sotme, gjatë një konference për Papën Gjon Pali I në Universitetin Gregorian të Romës, më 24 nëntor.

Edukimi, për të luftuar dhunën kundër grave

Kardinali është president i Fondacionit vatikanas Gjon Pali I, organizator i konferencës. Fillimisht, ai iu përgjigj pyetjes për dhunën kundër grave, që ditët e fundit është diskutuar mjaft në Itali, për shkak të vrasjes së një vajze, por që është e rëndësishme edhe në vende të tjera të botës, përfshirë trevat shqiptare. “Duhet të ngulim këmbë në edukimin”, pohoi Sekretari i Shtetit. “Kur Papa flet për formim, ai flet sidomos për edukimin e brezave të rinj për të kapërcyer mendësinë, që mund të çojë në këto akte tragjike, vërtet tragjike, dhe për të krijuar një kulturë respekti. Nevojitet punë të madhe sinergjike nga ana e të gjitha agjencive edukative, të cilat duhet të ecin në të njëjtin drejtim dhe të mos dërgojnë mesazhe kontradiktore, duke forcuar vlerat në themel të bashkëjetesës civile dhe në marrëdhëniet ndërmjet gjinive”.

Ku ka njerëz që vuajnë, aty është Papa

I pyetur për kritikat, që bënë më 23 nëntor rabinët e Italisë për disa fjalë të Papës lidhur me konfliktin në Lindjen e Mesme, duke e akuzuar se mban të njëjtën distancë si nga palestinezët, ashtu edhe nga izraelitët, kardinali nënvizoi: “Nuk ka asnjë ekuidistancë, por ndarje të dhimbjes së të gjithëve”. “Ngul këmbë në këtë: është këndvështrim njerëzor, humanitar, Papa është i pranishëm dhe u qëndron afër të gjithë atyre që vuajnë. Kjo - sqaron Parolin - nuk do të thotë të mos pranosh se ka ndryshime e dallime, do të thotë që kur njerëzit vuajnë Papa është aty”.

Falja për të “mbyllur qarkun” e dhunës

Në një kuadër botëror, ku duket se mbizotërojnë forma të ndryshme të dhunës, kardinali nxit "të kultivohet një gamë e gjerë virtytesh, që na lejojnë t'u përgjigjemi paqësisht këtyre provokimeve". Para së gjithash, falja: “Pa falje nuk mund të ecim përpara, sepse mbetet vetëm ligji i hakmarrjes. E qarku nuk mbyllet kurrë. E kuptoj që të falësh nuk është e lehtë, e provojmë edhe vetë – pranon kardinali Parolin – por nëse e marrim këtë guxim, nëse kemi guximin ta thyejmë këtë spirale, vërtet sjellim diçka të re në botë”.

Autoriteti është shërbim

Duke kujtuar fjalët e shkrimtarit, poetit e dramturgut italian Alessandro Manzoni, të përmendura nga Papa Gjon Pali I në veprën e tij “Illustrissimi”, kardinali vë në dukje se "çdo autoritet është shërbim ndaj të tjerëve, përndryshe, bëhet ushtrim despotik i pushtetit, prandaj, nëse ndokush del mbi të tjerët, thjesht për faktin se ka poste të larta, duhet ta kuptojë se i ka jo për interes personal, jo për të arritur rezultate personale, por për ta vënë veten realisht në shërbim të të tjerëve”. Këtë thotë edhet Doktrina Shoqërore e Kishës: “Politika është shërbim për të mirën e përbashkët. E kjo vlen për meshtarët, për ipeshkvijtë, vlen edhe për Papën”, thekson Sekretari i Shtetit të Vatikanit.

Papa në Cop28

Së fundi ai iu përgjigj pyetjeve për udhëtimet e ardhshme të Papës. Kardinalit "nuk i rezulton se është planifikuar ndonjë vizitë" në Rripin e Gazës; nëse ka marrë ftesë për këtë, “do të jetë Papa, që merr në konsideratë, reflekton dhe vendos se çfarë duhet të bëjë, por nuk mendoj se është iniciativë e nisur nga ai”. Përsa i përket udhëtimit të afërt të Papës në Dubai për COP28, kardinali Parolin nënvizon se ai do të jetë një kontribut i mëtejshëm për impenjimin “serioz” të Selisë së Shenjtë në çështjen e klimës. “Duke u nisur nga “Laudato Si’” ka pasur përpjekje të mëdha nga ana e Selisë së Shenjtë për të rritur nivelin e ndërgjegjësimit si për problemet klimatike, ashtu edhe për zgjidhjet”, vëren kardinali. “Selia e Shenjtë nuk ofron zgjidhje teknike, nuk është detyrë e saj, pasi nuk i ka mjetet, por ajo mund të jetë ndërgjegjja morale e bashkësisë ndërkombëtare për këtë çështje dhe për shumë të tjera. Gjithashtu, mund të ngulë këmbë t'i kushtohet vëmendje problemit dhe të kërkohen zgjidhje në nivelin ndërkombëtar”.

24 nëntor 2023, 17:38